”Kodi ka masa të forta për drogën”, deputeti Gjoni: Dënohesh dy herë më shumë se në vendet e BE
Deputeti i PD-së, Gjin Gjoni thotë se Kodi Penal shqiptar parashikon masa ndëshkuese shumë më të ashpra për veprat penale që lidhen me drogën, krahasuar me shumicën e vendeve të Bashkimit Europian. Ai tregon se për të njëjtat vepra penale, dënimet në Shqipëri janë pothuajse dyfish më të rënda se në shtete si Gjermania, Spanja apo Holanda.
Sipas tij, ndryshimet e vazhdueshme në Kodin Penal, të ndërmarra nga ministrat e Drejtësisë ndër vite, janë bërë shpesh me nxitim dhe pa analizë të thelluar juridike. ”Çdo ministër që ulet në karrigen e Drejtësisë e sheh si arritje kryesore ndryshimin e Kodit Penal, por këto ndërhyrje të shpejta shpesh çojnë në gabime”,-tha Gjoni në ”A2cnn”.
Ai theksoi se megjithëse justifikimi zyrtar është përafrimi me direktivat europiane, në praktikë Shqipëria ka ndëshkime shumë më represive, veçanërisht për veprat që lidhen me trafikimin dhe përdorimin e lëndëve narkotike. Për të kjo është arsyeja pse shumë shtetas shqiptarë të dënuar jashtë vendit preferojnë të gjykohen në shtetet ku janë arrestuar. ”Rreth 80 për qind e shqiptarëve që vuajnë dënime jashtë Shqipërisë nuk kërkojnë transferim, sepse e dinë që në vendet e BE-së dënimet për drogën janë më të lehta se në Shqipëri”.
KOHA JONË SONDAZH

