Kodi Kadare

 

Nga Edison Ypi

Ëndërra sheh, se ëndërra vetëm idiotët nuk shohin.
Nga era e dheut të ka ndodhur që je dehur.
Disa herë në pyll natën ke fjetur.
Dëshpërimin që shkakton ndajnat’hera e ke mik.
Në detin e një pike lot disa herë je mbytur.
Të paktën nja dy a tri tragjedi të Shekspirit, disa romane nga letërsia klasike, disa novela nga Çehovi, diçka nga Gëte dhe Pushkini ke lexuar, nja tre a katër poezi i di përmendësh.
E ke të qartë se talent nuk duhet vetëm për të shkruar por edhe për të lexuar.
Ke vënë re se ndonjëherë një fjali e vetme të mbreson më fort se një roman i tërë.
Me atë që tha se: “Gjithmonë ka një mënyrë për t’i hedhur hi syve shtetit që dyshon”, je dakord.
Që ferri është plot e përplot me shkrimtarë grafomanë mediokër që zhgarravisin vjershëza që i mbajnë për kryevepra, nuk ke asnjë kundërshtim.
E di se themeluesi i Endokrinologjisë nuk është mjek, por shkrimtar, Balzaku.
Që Tolstoi nuk e honepste dot Shekspirin, dhe se mospëlqime të tilla mes shkrimtarësh të mëdhenj ka pafund, e ke të qartë prej kohësh.
E di gjithashtu se libër i vërtetë nuk është ai libër që lexojmë, por ai libër që na lexon.
Pse shkrimtarin e godasin me shpifje dhe intriga, ndërsa inxhinierin kurrë me hekura të ndryshkur, e ke më se të qartë.
Përderisa cilësitë karakteriale nuk kanë asnjë lidhje me talentin letrar, provon neveri kur dëgjon të thonë për ndonjë shkrimtar se, si shkrimtar është i imrë por si njeri jo dhe aq.
Nga "mbledhja e kolektivit" kishe ndoht.
Aksionet e rinisë të bënin për të vjellë.
Kur Pikaso po bënte Guernika-n, jashtë bëhej luftë, kërcisnin bomba. Papritmas i hyri në derë një antifashist që e ndiqnin për ta vrarë dhe j'u lut ta fshihte. Pikaso i tha; Ik, mos më pengo se po bëj një Kryevepër, dhe ja mbylli derën nuk e futi brenda, e la përjashta mes plumbave.
Ta kanë thënë, ose e ke lexuar, se Romen Rolan e vizitoi Bashkimin Sovjetik në kulmin e krimit stalinist. Nuk habitesh pse kur u kthye nga ajo vizitë në vendin e Gulagëve, nuk tha asnjë fjale për ato që pa.
E di prej kohësh se njëri ndër miqtë më të afërt të Nënë Terezës të cilin Ajo e takonte shpesh ishte Moris Dyvalie, diktatori i Haitit, një nga diktatorët më mizorë që ka njohur bota.
Nuk e vë aspak në dyshim se Ismail Kadaresë zemra nuk i punon me naftë dhe truri me bateri, lëkurën nuk e ka prej amianti, kockat nuk i ka prej duralumini.
Mrekullohesh kur mendon se çfarë rrënqethje i shkakton cilitdo urrejtës të diktaturave leximi i “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”.
Ke vënë re qysh herët se në librat e Kadaresë diktatori është personazhi më i shpëlarë, partia është inekzistente ose qesharake, komunistët janë të gjithë të trashë të penduar ose të dëshpëruar.
Je kënaqur kur ke vënë re sa me pasion dhe sa imtësisht i përshkruan dhe sa kompleksë i paraqet Kadare përfaqësuesit e “Klasës së Përmbysur”.
Ke qeshur me episodet përcëlluese, thumbat, kunjat, që në librat e Kadaresë nuk janë katër a pesë por me qindra.
Ato katër vargjet;
“Mirëmbrëma Perëndim
Gjithçka është e qartë
Reklamat ndrijnë poshtë
Oxhakët nxijnë lartë"
ta bëjnë zemrën mal kur mendon se këtë definicion të përsosur mbi Perëndimin të cilit nuk mund t’i shtojë as t’i heqë asnjë gërmë askush, as kapitalisti, as komunisti, as i dituri as i padituri, as fukarai, as pasunari, e ka dhënë me dymbëdhjetë fjalë Kadare kur nuk ishte vetëm 18 vjeç.
Të merret fryma nga krenaria kur mendon se Evropa, Amerika, Perëndimi, nëse nuk i vjedh zgjedhjet, nëse rri urtë e nuk bën rrëmuja, nëse nuk vjedh paratë e taksapaguesve, të jep çfarë të duash dhe sa të duash, por shkrimtarë si Kadare nuk të jep asnjë, jo sepse nuk do, por sepse nuk ka.
Vargun e Kadaresë "Ju që gjer në hënë keni vajtur, si s’depërtoni dot gjer në gjoksin tim" ja ke përsëritur qindra herë vetvetes.
Je i bindur se Ismail Kadare është shkrimtari më i madh i botës.
Nëse të mësipërmet nuk të rezultojnë të vërteta, vazhdo gjallo, ha, pi, shumzohu, fli, gërrhit, dërrdëllit, po tu tek shkruaj dhe vjershëza të këllirta, por mos guxo të thuash se ke ndjenja të holla dhe merr vesh nga Letërsia.
Ama nëse tek sa më sipër veten e sheh,
Një Xhehnet plot mrekullira ka hapur dyert e të pret.
Kodin Kadare e ke.

SHKARKO APP