Koha për përmirësimin e ligjit për pyjet
Nga Rexhep Ndreu
Proçesi për hartimin e ligjit të ri të pyjeve është në vazhdim. Një hap i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të pylltarisë për të cilin disa çështje duhet të merren në konsideratë. Për hartimin e një ligji të ri për pyjet duhet të merren në konsideratë zhvillimet në të kaluarën si edhe zhvillimet e dëshiruara për të ardhmen. Ligji i ri i pyjeve duhet t’i rezistojë kohës dhe jo të dalë jashtë përdorimit qysh në fillimin e tij. Duhet të merren në konsideratë shumë aspekte! Në këtë artikull ofrohen disa mendime në lidhje me pyjet komunalë. Këto janë çështje që duhet të merren në konsideratë dhe nuk pretendohet të japin totalisht zgjidhje, por sugjerime për zhvillimet dhe diskutimet e mëtejshme për këtë proçes. Kjo do të mbështeste reformat e decentralizimit të qeverisjes së pyjeve dhe kullotave, përafrimit të tyre me përdoruesit, përafrimin me direktivat Europiane, duke synuar mirëqënien, veçanërisht në zonat e varfra rurale dhe mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit në vend. Ligji duhet të garantojë një rregullore qe lejon dhënien e të drejtave përdoruesve nga komunat për përdoruesit e pyjeve dhe kullotave komunale të identifikuar, duke përfshirë të drejtën për regjistrimin e këtyre të drejtave. Pyjet e Shqipërisë së pari kanë nevojë për mbrojtje dhe kohë për tu rigjeneruar pas asaj përvoje të kaluar mbishfrytëzimi. Pyjet komunale të mbrojtur që janë rigjeneruar duhet të përdoren dhe menaxhohen përmes të drejtave të përdorimit për banorët lokalë. Regjistrimi i mëtejshëm mund të jetë sipas legjislacionit të regjistrimit të tokës.
Delegimi i menaxhimit mund të bëhet te Shërbimi Pyjor Shtetëror për pyjet e mbrojtur (parqet kombëtare) në pronësi të shtetit. Ndërsa për pyjet komunalë në pronësi të NjQV (aktuale dhe çka do të transferohet më tej) rekomandohet që ligji të garantojë që menaxhimi i pyjeve të bëhet me përfshirjen e SHPPKK të krijuara në nivel lokal. Ligji gjithashtu duhet të rregullojë financimin për pyjet. Kjo është e rëndësishme për Shtetin (Ministrinë, DSHP, Parqet Kombëtare), por, gjithashtu e rëndësishme janë rregullat në lidhje me financimin për pyjet komunale. Do të ishte mirë të rregulloheshin udhëzuesit për burimet e të ardhurave dhe shpenzimeve. Një opsion mund të ishte si më poshtë: Të ardhurat e NjQV nga Pyjet Komunale të përcaktuara nga udhëzuesit: një ndarje e caktuar psh. për Shtetin 20% dhe 80% për nivelin lokal. Prej këtij 80%, komuna me rregullore mund t’i ndajë: maksimumi 30% për administratën e vet (inxhinieri i pyjeve të komunës, teknikët etj.), 20% për funksionimin e SHPP-ve dhe 50% për riinvestime në pyje. Riinvestimet duhet të bëhen nëpërmjet planeve vjetore për pyjet komunale, duke përfshirë edhe shfrytëzimin. Ndërsa SHPP pasi marrin 20% të financimit kanë detyrimin për ndërgjegjësimin, organizimin dhe përfaqësimin e komunitetit. (Shifrat e përqindjeve të mësipërme thjesht janë dhënë si shembull/ide). Pyjet komunale (NjQV dhe SHPP) duhet të kenë të drejtën të shfrytëzojnë dhe të shesin. Të ardhurat nga këto duhet të rregullohen sipas ligjit përkatës të taksave. E rëndësishme është çështja që NjQV mund të blejnë produktet e tyre nga pyjet e tyre komunale për nevojat në institucionet publike të veta. Të drejtat e përdoruesit për njerëzit e mbështesin këtë. Atëherë njerëzit menaxhojnë pyjet e tyre sipas të drejtave të tyre të përdorimit dhe mund të shesin tepricat, psh. t’ia shesin Bashkisë (duke respektuar rregulloret e taksave). Përdorimi i parimit të MQP do të ndikojë edhe planifikimin e menaxhimit. Duhet të qartësohet plotësisht se kush i zhvillon këto plane dhe se kush i zbaton ato. Pasja e të drejtave të përdoruesve do të ndryshojë proçesin aktual të planifikimit (planet vjetore dhe të menaxhimit). Përdoruesit aktualë duhet të përfshihen në procesin e planifikimit. Ligji duhet të mbështesë operacionet ekonomike, por gjithashtu të lehtësojë produktet pyjore të shfrytëzuara ligjërisht. Prandaj është e rëndësishme të jetë në përputhje me rregulloren e BE për lëndën drusore të vjelë ligjërisht për t’a lejuar për eksport në të ardhmen. Gjithashtu është e rëndësishme që ligji të krijojë lehtësira për zinxhirin e kujdestarisë (chain of custody), “përkujdes i duhur”. Megjithatë kjo nuk nevojitet të jetë e rregulluar plotësisht në ligj. Kjo mund të bëhet nga tregu dhe me anë të akteve nën-ligjore. Po ashtu të rëndësishme janë kontrolli i efektivitetit dhe kapaciteti i strukturave të qeverisë për t’i implementuar rregulloret aktuale mbi shfrytëzimin realisht rregullat e propozuara nuk praktikohen.. Rregullat aktuale për lejet e shfrytëzimit, damkimit dhe dokumentet e transportit janë të pamundura për t’u përmbushur. Qeverisë do t’i duhej një shumëfishim i stafit për t’a bërë këtë. Është shumë më mirë të shihen praktikat efiçente në Europë për këtë gjë. Rregulloret duhet të bazohen në parimin që pronari, menaxheri përmbush praktikat e menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve. Kjo mund të kontrollohet në çdo kohë në terren nga organet përkatëse.