Kolegji Zgjedhor: Ndarja territoriale, jo referendume

Kërkesa e opozitëspër të zhvilluar referendume lokalekundër hartës së re administrative të miratuar nga Parlamenti, ka gjetur kundërshtimin e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Duke hedhur poshtë në këtë mënyrë parimisht edhe opsionin e saj për bojkot të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit 2015, në në fuqi do të jetë  pikërisht kjo hartë e re. Kujtojmë se ishin në total rreth 

130 kërkesa të paraqitura në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për një çështje të tillë, teksa ky i fundit kishte aprovuar të drejtën për mbledhjen e firmave. Por mazhoranca iu drejtua Kolegjit Zgjedhor duke kërkuar shfuqizimin e këtij vendimi të KQZ-së. Teksa Kolegji një javë më parë mori në shqyrtim kërkesën dhe i bashkoi të gjitha ankesat në një, duke qenë se të gjitha kishin të njëjtin objekt. Dhe ditën e djeshme, Kolegji dha vendimin duke e hedhur poshtë vendimin e KQZ-së duke i dhënë kështu fund edhe përpjekjes së opozitës për të ndryshuar ndarjen e re territoriale përmes referendumeve lokale. Megjithatë, përfaqësuesit e opozitës thanë se ky vendim i Kolegjit nuk e zhbën nismën e saj për referendumet pasi firmat janë mbledhur ndërkohë. Konkretisht, gjatë seancës të zhvilluar dje në Kolegjin Zgjedhor, përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Koli Bele, tha se vendimi i KQZ-së është i jashtëligjshëm. Sipas tij, ligji nuk e lejon mbajtjen e referendumeve për qëllime të tilla. Bele tha gjithashtu edhe se kërkesat e grupeve nismëtare kanë thjesht efektet e një sondazhi, ndërsa kërkoi të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ndarjen e re territoriale. Por ndryshe nga përfaqësuesi i Partisë Socialiste, drejtorja juridike e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Pasko, theksoi se vendimi i këtij institucioni është bazuar në ligj dhe se duhet pranuar. Ndërsa përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Spiro Dodbiba, tha se padisë së PS-së i mungon sipas tij baza ligjore,

Kurse deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, deklaroi se qëllimi i vetëm i PS-së është të pengojë zgjedhësit të ushtrojnë të drejtën që u garanton Kushtetuta. Në fund, pasi i dëgjoi të gjitha palët, Kolegji Zgjedhor rrëzoi vendimin e KQZ-së, duke pranuar kërkeën e Partisë Socialiste.

 

 

QËNDRIMET

 

Partia Socialiste

Vendimi i KQZ-së është i jashtëligjshëm, sepse ligji nuk e lejon mbajtjen e referendumeve për qëllime të tilla. Ndërsa kërkesat e grupeve nismëtare kanë thjesht efektet e një sondazhi.

 

Partia Demokratike

Padisë së Partisë Socialiste kundër referendumeve i mungon baza e nevojshme ligjore. Qëllimi i vetëm i saj është të pengojë zgjedhësit të ushtrojnë të drejtën që u garanton Kushtetuta.

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Vendimi i marrë nga ky institucion për zhvillimin e referendumeve lokale kundër ndarjes së re territoriale të vendit është bazuar në ligj dhe për këtë arsye ai duhet pranuar.

 

 

 

SITUATA

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë denoncon mungesat rreth procesit

 

Vëzhguesit vendorë:

 5 muaj nga zgjedhjet, kuadri ligjor i paplotë

 

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë deklaroi dje publikisht se megjithëse duhen vetëm 5 muaj para zgjedhjeve vendore, kuadri ligjor për këto zgjedhje nuk është ende i plotë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende ka vakancë. Gjithashtu, një nga pikat që bashkëdrejtuesit e Koalicionit Premti Goga, Gerta Meta dhe Raimonda Prifti u ndalën ishte edhe dialogimi i politikës për reformën zgjedhore. Drejtuesit gjithashtu bënë me dije edhe një sërë problematikash të tjera në prag të zgjedhjeve 2015, ku fokusi kryesor ishte përfaqësimi i grave në politikë, votimi i emigrantëve, por edhe njoftimi i votuesve. “Kuadri ligjor për zgjedhjet lokale është i paplotë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ende e paplotë 5 muaj para zgjedhjeve. Përfaqësimi i grave në politikë është ende sfidë. Njoftimi me shkrim i zgjedhësve s’është zbatuar”, tha Gerta Meta. Kurse në lidhje me votimin e emigrantëve, bashkëdrejtuesit e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë u shprehën se kanë këmbëngulur që qmigrantët duhet të votojnë në vendet ku jetojnë dhe për këtë duhet t’u krijohen kushtet e nevojshme.

 

KRITIKAT

“Kuadri ligjor për zgjedhjet lokale është i paplotë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ende e paplotë 5 muaj para zgjedhjeve. Përfaqësimi i grave në politikë është ende sfidë. Njoftimi me shkrim i zgjedhësve s’është zbatuar”

 

 

SHKARKO APP