Kolumbianët, “ ustallarë” të kokainës rrëfehen para gjykatës
Dy shtetasit kolumbianë, të arrestuar në godinën e laboratorit ku përpunohej kokaina, në fshatin Xibrakë të Elbasanit, pranuan se kanë punuar prej muajsh në përpunimin dhe nxjerrjen e ekstraktëve të kokainës nga rrobat dhe solucione të ndryshme. Cezar Avila dhe Valther Moreno, me ndihmën e një përkthyeseje ligjore, i thanë dje gjyqtares që drejtoi seancën ndaj tyre, arsyen e ardhjes në Shqipëri, të gjitha lëvizjet dhe qëndrimin në Tiranë, si dhe pagesat që merrnin për punën në laboratorin e kokainës. Kolumbianët pretenduan se ishin njohur me një shtetas kolumbian me shtetësi holandeze në Bogota, që mbante emrin Karlos, i cili fliste mirë spanjisht dhe se u kishte ofruar punë në Greqi. Ata pretenduan se kanë udhëtuar nga Bogota në Lisbonë, dhe më pas në Romë, Athinë e Janinë nga ku me autobusin e linjës kishin ardhur në Gjirokastër. Gjatë gjithë kohës, ata pretenduan se ishin të shoqëruar nga personi që njihej me emrin Karlo dhe pas ardhjes në Greqi, ai u kishte treguar se do të punonin në Shqipëri, por në një punë të ligjshme. Sipas tyre, nga Gjirokastra në Tiranë ata kanë ardhur me makinë dhe janë vendosur në një hotel pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. Sipas dy kolumbianëve Karlos u ka dhënë fillimisht 4 mijë euro për ushqime dhe qëndrimin me qera. Më pas edhe 6 mijë euro të tjera për punën që bënin në laboratorin e drogës. Për udhëtimin nga Tirana në Elbasan, ata pretenduan në gjykatë se ndërronin disa makina deri në laboratorin e Xibrakës, ku i orientonte vazhdimisht personi i njohur me emrin Karlos, i cili i udhëzonte edhe për punën që kryenin. Ditën që u arrestuan, kolumbianët pretenduan se aty ndodhej edhe Karlos, që për hetuesit është emër jo real, ose pseudonim i ndonjë prej të arrestuarve. Avokatët e tyre mbrojtës në sallën e gjyqit mësohet se kanë kërkuar nga gjykata caktimin e masës së sigurisë së bllokimit të pasaportës, por kjo kërkesë e tyre nuk u pranua, ndërkohë që kolumbianët pas seancës së djeshme janë lënë në burg.