Kombi në epruvetë
OPINION
Nga Frrok Çupi
Kombi që kishim, apo kombi që duam?…
Çuditërisht, gjithë bota është tronditur sa herë “të mëdhenjtë” e kombeve kanë shtruar këtë pyetje. Në një frazë të vjetër latine të adaptuar prej rumunëve më së shumti, thuhet kështu: Kombi “Res facto” apo “Res facta et picta?”. Që do të thotë: “Kombin ta kemi… apo ta kemi dhe ta bëjmë?”
Dje tek dëgjoja kryeministrin e Tiranës duke folur në Prishtinë mu duk se e njëjta gjë e historisë po përsëritet. Unë nuk jam i sigurt se piktori nga Tirana di ndonjë gjë kushedi nga historia; por unë e di se instinkti i sjell prepotentët e kombeve që t'a bëjnë kombin kavje. Kur e dëgjova që ky i Tiranës fliste para shqiptarëve të Prishtinës, u ndodha mes dy ndjesive:
E para,
që ky djalë i Tiranës ka shkuar në Prishtinë me ngarkesat emocionale negative të pakicës minimale të shqiptarëve të këtushëm sikur “shqiptarët e Kosovës nuk dinë aq sa dimë ne”. Kjo psikozë është e përhapur më së shumti te më të paditurit. Dhe bash për këtë arsye, ky nga Tirana fliste broçkulla për shtatë palë qejfe para një audience shqiptarësh të Kosovës… Por po kaq e dukshme ishte edhe habia e audiencës së shqiptarëve në Prishtinë që i bënë fytyrat si mermer dhe dukej se pyesnin: “Po ky, kujt ia thotë vallë?…”
E dyta,
se kryeministri i Tiranës iu tha shqiptarëve të Kosovës, pak a shumë kështu: “Deri më sot askush nuk ka punuar mirë për çështjen shqiptare”. Sa e hershme është kjo frazë fatkeqe që e fyen kombin duke u dukur sikur i përkëdhel kokën. Thuajse njësoj, tamam kështu pat thënë Millosheviç kur vizitoi Kosovën në vitin 1987 dhe ku shpalli platformën e “ringritjes së kombit të Serbisë”. Kështu pat thënë vetë Hitleri në platformën e “bërjes së kombit gjerman”. Kështu folën Markos, Pol Pot, Mao Ce Dun, Kim Ir Sen….
Duket pak e rëndë kur bëhen krahasime të vërteta; por ja që epokat kanë mbetjet e njëra-tjetrës.
Të gjithë iu drejtuan kombit duke i thënë se “do të të bëj”.
A bëhet kombi? Apo është kombi ky që është?… “Res facta… apo Res facta et picta?”.
Dilema, që në fakt nuk është dilemë filozofike, por vetëm e mburravecëve dhe diktatorëve, ka mijëra vjet, që kur lindi koncepti komb. Filozofët, po, kanë rënë “viktimë” e shpikësve të dhunës mbi kombin dhe kanë nisur të rrokomisen me pikëpyetjet “a bëhet vallë kombi?…”. Gjë që kurrë nuk ka marrë përgjigje të mirë. Kombi vetë, teksa ekstremet e tij (mburraveci dhe filozofët) po përpiqeshin ta gatuanin kombin në enë të ndryshme, vetë zhvillohej. Kombi, në fakt, nuk është bërë nga diktatorët, por ka bërë e zhbërë diktatorë… Ja, kjo është “res picta”.
A do të arrijë vallë ky i Tiranës që të “bëjë edhe kombin shqiptar” në Kosovë?
Kjo është çështja, të paktën sipas fjalimit të djeshëm në Prishtinë.
Kur është bërë kombi prej dikujt?
U bë gjatë viteve 1945 deri në vitin 1990. Udhëheqësi i Tiranës i hodhi sytë në Prishtinë dhe në Shkup. Ishin momentet më të fundit të izolimit të shqiptarëve të Shqipërisë. Atëherë kur diktatori Enver Hoxha ndodhej në kulmin e frikës se “mund të na sulmojë Perëndimi”, bash në atë kohë iu bëri thirrje shqiptarëve atje se “o sot o kurrë/ ju në Morinë nga Kosova dhe ju të tjerët në Vardar nga Shkupi”. Diktatori, për ruajtjen e vetes, e shtronte çështjen kombëtarisht. Po të mos bënin këtë gjë, shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë “duhen bërë si shqiptarë të mirë”. Kështu tha Enveri. Më parë kishte treguar se si duhej bërë shqiptari në Prishtinë, kishte dhënë model stalinist, kishte dërguar disa libra dhe disa ahengje për të ngritur më këmbë kombin. Enver Hoxha kishte lënë në hije patriotët e mëdhenj të Kosovës, ata që nuk i kishte vetë për zemër. Dhe më në fund kishte thënë se “deri tani askush nuk ka punuar për çështjen kombëtare”.
Kombi u bë edhe këtu në Shqipëri.
Që nga viti 1945 nisi farkëtimi i “njeriut të ri”. Njeriu i ri nënkuptonte kombin e ri. Kombi do të zhvishej prej traditës, prej burrit të shtëpisë, prej zakonit të besës për mikun, prej besimit dhe etnografisë së vet. Kjo u arrit hap pas hapi, deri në shembjen e kulteve fetare dhe në shembjen e kultit të familjes. Enver Hoxha e bëri kombin në epruvetën e vet. Deri në vitin 1990. Aty kombi tregoi se kishte qenë i bërë dhe iu kthye vetes. “Res facta”.
Hera e dytë kur po tentohet që të bëhet kombi ynë:
Në Tiranë ka nisur krijimi i “njeriut të ndershëm”, që do të thotë “njeriu i ri”. A nuk e keni dëgjuar qeverinë dhe kryeministrin tek thonë përditë se “shqiptarët e ndershëm”, paguajnë dritat ose hanë bukë si njerëz… Domethënë se disa janë të ndershëm e disa të pandershëm; qeveria e ka të drejtën të bëjë edhe moralin e kombit. A nuk e keni dëgjuar qeverinë që thotë se “do të bëjë reformën e njeriut…, nga hajdut do ta kthejë në të ndershëm”? A nuk po dëgjoni përditë që njeriut i kërkohet të paguajë…, vetëm të paguajë, por kurrë t'i jepet llogari ose t'i paguhet e keqja që i bën shteti. Shteti mund ti presë dritat sa herë të dojë, por individi do të paguajë çdo herë…. Ky është njeriu i ndershëm, ose i ri… Në Kinë u dyndën dyzina me shkrimtarë për të krijuar njeriun e ndershëm Lej Fen dhe kur e krijuan e lanë pa autor. Këtu jemi akoma në proces
… Dje, ideja për ta bërë kombin në epruvetë u shtri edhe në Kosovë. A do të bëhet kombi në epruvetën e secilit që vjen në karrigen e qeverisë?… Filozofët nuk lodhen më me absurdin e kapërcyer disa shekuj më parë. Kombi “Res facta… res facta e picta”.