Koment: Mbrojtja prej terrorizmit me ritmin e kërmillit

Takimi i ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë në Riga e bëri edhe një herë të qartë se mullinjtë e BE bluajnë ngadalë, megjithë rritjen e kërcënimit nga terrorizmi islamik. Shumë ngadalë, mendon Bernd Riegert.

Progresi në Riga ishte minimal. Atje u theksua dhe u nënvizua edhe një herë ajo që është në diskutim në BE prej muajsh, madje prej vitesh. As atentatet e fundit në Paris dhe as parandalimi i atentateve në Belgjikë nuk i dhanë dot hov diskutimeve. Ministrit të Brendshëm gjerman Thomas de Maizière mund t'i dalloje një farë dëshpërimi, kur tha se numri i mercenarëve terroristë vazhdon të rritet. Kundërmasat në Europë nuk kanë bërë deri tani efekt. Përse?

Që në tetor ministrat kanë rënë dakord për forcimin e kontrollit në kufijtë e jashtëm të BE-së. Por zbatimi në praktikë, derisa sistemet kompjuterike të rojeve kufitare të tregojnë me të vërtetë se kush mund të jetë i dyshimtë, zgjat. Administrata dhe teknika janë të ngadalta. Pas disa muajsh sistemi kufitar Shengen do të jetë modernizuar.

Pengesa ligjore dhe dëshira për të ruajtur privatësinë

Pengesat ligjore në BE janë të larta. Pra krahasimi i secilit udhëtar me listat e të dyshuarve për terrorizëm dhe personave të rrezikshëm është i përjashtuar. Ligji aktual evropian lejon të vihen në fokus të veçantë rrugë të caktuara, kalime kufitare, ose grupe personash. Duket e pabesueshme, por deri tani ka vetëm kontrolle të rastësishme. Në mënyrë rutinore kontrollohet vetëm vërtetësia dhe vlefshmëria e dokumenteve të udhëtimit. Krahasim me listat e të kërkuarve si në hyrjen në SHBA nuk ekziston. Këto mangësi sigurie e bëjnë komod udhëtimin për qytetarët e BE, por në kohët e kërcënimit në rritje nga terrorizmi duhet ndoshta të hiqet dorë përkohësisht nga ky komoditet.

Mbrojtja e të dhënave është një diçka e çmuar në BE. Memorizimi dhe konservimi i të dhënave për ndjekje penale nuk është i rregulluar përfundimisht me ligj. Mbledhja e të dhënave të pasagjerëve dhe vlerësimi i tyre, siç bëhet zakonisht në udhëtimet mes SHBA dhe Evropës, nuk është i lejuar në BE. Mundohuni t'ia shpjegoni njëherë këtë një amerikani! Ministrat e brendshëm të BE-së kanë vendosur tani të bëjnë një përpjekje tjetër për të rregulluar me Parlamentin Evropian si mbledhjen ashtu edhe vlerësimin e të dhënave të pasagjerëve. Por në parlament ka rezistencë për shkak të shqetësimeve për mbrojtjen e të dhënave. Nga kjo rezistencë duhet të hiqet dorë për shkak të kërcënimit. Për një marrëveshje do të duheshin muaj, në qoftë se jo vite.

Rreziku i luftëtarëve, që kthehen nga Siria

Një detyrë e vështirë është ndjekja penale e luftëtarëve evropianë të kthyer, apo mbikqyrja e tyre në BE. Për këtë duhet personel dhe shumë para. Autoritetet në shtetet anëtare të BE po përgatiten ngadalë. Angazhimi është shumë i ndryshëm në mesin e 28 shteteve, në varësi se si përceptohet dhe vlerësohet kërcënimi. Bashkëpunimi i policive dhe autoriteteve gjyqësore, si dhe shërbimeve sekrete në nivel evropian ka nevojë të madhe për përmirësim, ankohen shumë ekspertë. Siguria dhe puna hetimore është për shumicën e ministrave një çështje kombëtare, megjithese terroristët ka kohë që punojnë në nivel global dhe shfrytëzojnë edhe mundësitë, që u ofron zona Shengen pa kufij.

Karvani evropian lëviz me vështirësi dhe vetëm pas sulmeve tragjike si në Madrid, Londër, Bruksel dhe tani në Paris. Por duke patur parasysh mijëra luftëtarë terroristë të radikalizuar, që mund të kthehen në muajt apo vitet e ardhshme në Evropë, nevojitet urgjentisht që të veprohet shpejt.

SHKARKO APP