Komentet negative në rrjet pas vr*sjes së gjyqtarit, Çepani: Dh*na jo zgjidhje
Juristja Edlira Çepani kanë komentuar qëndrimet negative në rrjetet sociale për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit. Për të rasti i vrasjes së gjyqtarit nuk duhet trajtuar si fenomen i normalizuar. Ajo po ashtu ka theksuar se është fatkeqësi e madhe që fenomeni i dhunës nuk është luftuar që në rrënjë.
“Ka një problematikë me shoqërinë shqiptare jo vetëm në këtë rast por edhe në raste të tjera, kur dhuna ngjan si fenomen i normalizuar në Shqipëri. Dhe kjo problematikë duhet të trajtohet në të gjitha rastet dhe jo vetëm në rastin ekstrem të sotëm. Ne flasim për dhunën në familje dhe shkolla, që ka një normalizim të tejskajshëm. Është një fatkeqësi e madhe që ne nuk kemi marrë masa që ky fenomen të luftohet nga rrënjët.
Nga ana tjetër ka një problematikë që i përket drejtësisë. Ka një problematikë të mosbesimit të qytetarëve dhe është situatë që mund të themi armiqësore mes qytetarëve dhe sistemit të drejtësisë. Ndonjëherë kjo është e nxitur nga politika, por ndonjëherë është edhe vetë sistemi i drejtësisë kur nuk ka funksionuar dhe nuk ka vendosur drejtësi. Dhe kjo ka krijuar një barrierë shumë të madhe mes qytetarëve dhe sistemit të drejtësisë”, u shpreh ajo.
Çepani komentoi edhe rastet e konfliktit për pronën, teksa tha se edhe vete endet në sistemin e drejtësisë prej 25 vitesh pasi kërkon pronën e saj. Teksa më tej theksoi se vetëgjyqësia, dhuna dhe as nxitja e krimit, nuk është zgjidhja e duhur për konfliktet.
”Çështja e pronave që ne kemi, është një problematikë e thelluar, që vjen që nga viti 1991, ku nuk u bë ndarja e duhur dhe u mbivendosën për shkak të ligjit 7501, i cili është një nga ligjet më të këqija që ne kemi pasur dhe fatkeqësisht është ende në fuqi. Unë jam vetë nga ata pronarë, që nuk e ka marrë pronën dhe që prej 25 vitesh endem në rrugët e sistemit të drejtësisë. Ka një problematikë shumë të thellë që duhet parë nga gjitha anët, por nga ana tjetër duhet parë që as vetëgjyqësia dhe as dhuna dhe as nxitja e krimit, nuk është zgjidhja e duhur. Dhuna gjeneron dhunë dhe problematika të tjera”, tha Çepani në Report Tv.
KOHA JONË SONDAZH

