Kompania italo-amerikane do ndërtojë impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane

Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, priti disa përfaqësues të kompanisë italo-amerikane “Matthews”. Gjatë këtij takimi u fol kryesisht për ndërtimin e një impianti për përpunimin e mbetjeve urbane. Përfaqësuesit e kësaj kompanie prezantuan para kreut të Bashkisë disa impiante për përpunimin e mbetjeve, duke propozuar edhe ngritjen e një të tilli në Kamëz. Drejtori i menaxhimit në kompaninë “Mattheës”, z. Fabrizio Giust, theksoi se kompania e tyre është e specializuar në menaxhimin e mbetjeve organike të kafshëve, të njerëzve, duke bërë djegien si të kafshëve ashtu edhe të njerëzve, si dhe në përpunimin e mbetjeve urbane.
Duke i falënderuar për vizitën, kryebashkiaku Mziu bëri një rezyme të përgjithshme për Kamzën, duke vënë theksin te plani urbanistik i qytetit, që është bashkëkohor. Ndërkaq, për sa u përket impianteve të prezantuara, z. Mziu tha se janë bashkëkohorë dhe se Shqipëria dhe Kamza kanë nevojë për to. Megjithatë, sipas z. Mziu, impianti i djegies së njerëzve të vdekur apo kafshëve të ngordhura mund të jetë  luks për Shqipërinë dhe Kamzën, por që në të ardhmen edhe mund të jetë një opsion për t’u marrë në konsideratë.
“Impianti i përpunimit të mbetjeve urbane është me të vërtetë një nevojë e jashtëzakonshme tashmë edhe për Shqipërinë dhe Kamzën. Kam pasur mundësinë për të vizituar disa impiante, qoftë të përpunimit të mbetjeve urbane, qoftë të ujërave të zeza. Kam parë dhe kam vizituar disa impiante të vendeve të Bashkimit Evropian dhe gjatë gjithë kësaj periudhe kam tentuar për të gjetur një mundësi për ta ngritur një impiant për përpunimin e mbetjeve urbane”, – u shpreh z. Mziu lidhur me ndërtimin e një impianti përpunimi të mbetjeve urbane, duke shtuar se edhe në një takim me një përfaqësuese të Bashkimit Evropian, fokusi kryesor ishte ndërtimi i impiantit të mbetjeve urbane. “Qyteti i Kamzës ka një popullsi mbi 150 mijë banorë tashmë dhe i duhet ky impiant, pasi ka progresin më të madh të rritjes së numrit të popullsisë”, – ka vijuar më tej kryebashkiaku Mziu. “Matthews”.
Duke folur për sistemin aktual të menaxhimit të mbetjeve urbane në qytetin e Kamzës, kreu i Bashkisë pohoi se është alternuar grumbullimi i mbetjeve urbane nëpër shtëpi ose nëpërmjet kontejnerëve në pika të caktuara. Përpunimi bëhet me anë të groposjes së tyre. Ndërkaq, duke iu kthyer ndërtimit të impiantit, z. Mziu tha: “Jemi të angazhuar maksimalisht për të shkuar drejt finalizimit të këtij impianti që ju prezantuat, megjithatë Bashkia e ka të pamundur për ta financuar, por ajo çka garantojmë është gjetja e truallit, venddepozitimit, i mjaftueshëm për këtë impiant. Së dyti garancinë e dhënies së lejeve për ndërtimin e këtij impianti dhe angazhimi i Bashkisë për të sjellë të gjitha mbetjet urbane tek kjo pikë grumbullimi”. Interesit të përfaqësuesve të kompanisë “Mattews” për sasinë e mbetjeve urbane në ditë, z. Mziu iu përgjigj se afërsisht është 1 ton për 1 mijë banorë, çka do të thotë që mesatarisht që mund të prodhohen 150-170 tonë mbetje në ditë. Për këtë i është kërkuar edhe ministrisë përkatëse ndërtimi i një impianti të tillë, duke qenë koherent edhe me planin urbanistik të qytetit, pasi është parashikuar në këtë plan vendi i ndërtimit të impiantit.
Më tej kryetari i Bashkisë, z. Xhelal Mziu, u shpreh se pozicioni gjeografik i Kamzës është i favorshëm dhe impianti do të shërbente edhe për njësitë e tjera në kufi me të. Edhe këto zona nuk e kanë një impiant të tillë dhe realizimi i këtij projekti do t’u shërbente edhe atyre. Gjithashtu, z. Mziu e vlerësoi projektin edhe në aspektin ekologjik. Një tjetër favor i rëndësishëm, sipas z. Mziu, është se diku afër këtij impianti do të ndërtohet një tjetër impiant nga fondet e Bankës Botërore dhe nga KfW-së për përpunimin e ujërave të ndenjura.

SHKARKO APP