Kompensimi i dëmeve, qeveria mund të detyrohet të ndryshojë buxhetin

Dëmet e mëdha materiale të shkaktuara nga vërshimi i lumenjve në jug të vendit mund të detyrojnë qeverinë të ndërhyjë në buxhet. Burime nga Ministria e Financave thanë për Top Channel se deri më tani shpenzimet për të asistuar familjet e prekura nga përmbytjet po përballohen nga fondi rezerve prej 50 milionë lekësh i Ministrisë së Brendshme. Por këto janë vetëm shpenzimet për nevojat emergjente si akomodimi i banorëve të evakuar dhe furnizimi i tyre me ushqime apo veshmbathje. Fatura më e madhe vjen më pas, kur uji të tërhiqet dhe të nis vlerësimi i dëmeve në terren.

Qeveria ka një fond rezervë në buxhet prej 1.5 miliardë lekësh. Burime nga financat thonë se ky do të jetë fondi bazë për kompensimin e dëmeve. Por fatura e saktë e tyre do të mësohet vetëm pasi të ketë përfunduar vlerësimi në terren, dhe pasi Qeveria të ketë vendosur se deri në ç’masë do i kompensojë dëmet. Një ditë më parë, Kryeministri deklaroi se banorët e prekur do të dëmshpërblehen. Nëse masa e kompensimit do të dalë më e lartë se fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, Qeverisë do t’i duhet të gjejë burime të tjera për dëmshpërblimin.

Por edhe nëse fatura do të jetë më e vogël se 1.5 miliardë, sërish prekja fondit rezervë që në muajt e parë të vitit, do e linte buxhetin zbuluar përballë ngjarjeve të tjera të papritura deri në fund të vitit. Ndaj në të dy rastet, gjendja e jashtëzakoshme në jug të vendit mund të çoje në rishikimin e detyruar të buxhetit, i cili mund të shmanget vetëm nëse qeveria do të sigurojë grant nga ndërkombëtarët.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?