Kompleksi Tropikal në Durrës në shitje për 634 mijë euro për llogari të Raiffeisen Bank
Teksa kreditë e këqija janë mbi 20 për qind të totalit të huave të dhëna, shitja e kolateraleve nuk është se po shkon shumë për mbarë.Shoqëria përmbarimore E.S.P.A ka nxjerrë në ankand për shitje kompleksin turistik Tropikal në Durrës me një vlerë fillestare 633, 654 euro.
Sipas të dhënave të ankandit ndërtesa përbehet nga 24 apartamente dhe 2 njësi, ZK 8518, e ndodhur në Durrës në pronësi të Roger shpk. “Kjo pasuri është hipotekuar në favor të Banka Raiffeisen sha për shumën 1,000,000 Euro. Çmimi me të cilin fillon ankandi në total për të gjitha pasuritë është 633,654 Euro, por secila pasuri ka vlerën e shitjes e veçuar dhe mund të blihet me vete”.Burimet nga Shoqëria përmbarimore pohuan se ankandi nuk e ka kaluar ende fazën e parë të tij. Në bazë të ligjit për ankandet në fazën e dytë objekti shitet me gjysmën e vlerës dhe në rast se ka një dështim të dytë kalon në pronësi të bBankës.
Hoteli ndodhet shumë pranë kryeqytetit Tiranë dhe Aeroportit Ndërkombëtar të vendit “Nënë Tereza” (35 km) dhe 6 km larg qytetit të dytë të madh ne Shqipëri, Durrës.
Tropikal Resort është ndoshta një prej resorteve më të mëdha në Shqipëri, të ofruara të gjitha në një vend: hoteli, restoranti, plazhi, salla e konferencave për takime biznesi, kopshti i gjelbëruar, këndi i lojërave, mjedisi sportiv. / Monitor