Koncesionet, caktohen rregulla të reja për licencimin dhe funksionimin e tyre
Një riorientim i praktikës së dhënies dhe monitorimit të marrëveshjeve koncesionare. Si edhe konsolidim i strukturave institucionale dhe përmirësim i kuadrit ligjor e nënligjor që ka lidhje me to. Kjo është ajo çka parashikon një marrëveshje e re e lidhur mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në lidhje me koncesionet e fushës së energjetikës dhe energjisë. “Faktikisht, problemet e vërejtura në tërësinë e marrëveshjeve koncesionare të kontrolluara tregojnë që partneriteti publik-privat lë shumë për të dëshiruar. Në fakt, për arritjen e suksesit në zbatim të këtij programi ambicioz investimesh do të jetë e nevojshme të ndërhyet në të dyja drejtimet: – Përsosje e politikave në këtë sektor; – Përsosje dhe konsolidim i strukturës institucionale”, sqarojnë ekspertët e qeverisë në relacionin përkatës që shpjegon edhe argumentat përse lidhet një marëveshje e tillë, por edhe rregulla të reja për koncesionet në të njëjtën kohë.
I gjithë procesi sipas tyre, duhet që të paraprihet nga orientimi i tij në kuadër të zbatimit të një strategjie afatgjatë të zhvillimit të reformës së tregjeve në këtë sektor qenësisht më të rëndësishëm të ekonomisë së vendit dhe jo vetëm të strategjisë së zhvillimit të sektorëve energjetikë. “Për sa më sipër, jemi të mendimit që realizimi i marrëveshjes me BERZH-in për ndërtimin e kapaciteteve teknike për investimet koncesionare në energji dhe industri do të krijonte kushte konkrete për të bërë të mundur arritje të tilla, si dixhitalizimin e procedurave dhe monitorimin e kontratave koncesionare që konsiston në krijimin e një data base me të gjitha të dhënat e koncesioneve të aksesueshem edhe për palët e treta; asistencë në zhvillimin e procedurave konkuruese për dhënien me koncesion të HEC-eve që konsistojne në investime rreth 100 mln euro; përmirësime në aktet ligjore dhe nënligjore; propozime për ndërhyrje rregulluese në marrëveshjet e miratuara deri më tani; propozime për përmirësime në institucionalizimin e proceseve sipas fazave për rolet e institucioneve shtetërore, instituteve shkencore apo firmave private që administrojnë pronësi intelektuale dhe ofrojnë projekte pronësie industriale; të evidentimit të projekteve koncesionare; përgatitjes për miratim dhe realizim të procesit të konkurrimit; negociimit të kontratave; monitorimit ligjor, teknik, ekonomiko-financiar të kontratave etj”, sqaron mes të tjerash marrëveshja në fjalë.
REZERVAT
“Marrëveshjet e deritanishme
koncesionare, me probleme”
Sipas ekspertëve të qeverisë, janë vërejtur një numër jo i vogël parregullsish në zbatimin e kontratave koncesionare në sektorin e energjisë, të cilat lidhen jo vetëm me fazat e caktuara, por edhe me veprimtarinë procedurale të realizimit të këtyre marrëveshjeve koncesionare, si dhe me monitorimin e zbatimit të këtyre kontratave. “Vlen të theksohet fakti që ky program shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit është realizuar pa asnjë asistencë teknike të specializuar”, citojnë ata gjithashtu në relacionin përkatës. Duke sqaruar më tej se konkretisht, gjatë viteve 2007 deri në shtator 2013, është realizuar një sasi e konsiderueshme kontratash koncesionare në sektorin e hidroenergjisë, gjithsej 164 kontrata koncesionare për ndërtimin e 435 HEC-ve, me kapacitet rreth 1.900 M dhe me vlerë investimi të parashikuar rreth 2.5 miliard euro. Dhe duke theksuar se është evidentuar që gjatë fazës së zbatimit të këtyre kontratave koncesionare është vërejtur një numër jo i vogël problemesh që në një farë mase, kanë krijuar vështirësi në zbatimin e projekteve dhe realizimin e investimeve në këtë sektor.
164
Kontrata koncesionare për ndërtimin e 435 HEC-ve, me kapacitet rreth 1.900 M dhe me vlerë investimi të parashikuar rreth 2.5 miliard euro, u akorduan vetëm gjatë periudhës së viteve 2007 deri në shtator 2013