Koncesionet e HEC-eve, qeveria rregulla të reja
“Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve”. Kujtojmë se që kur erdhi në pushtet, kjo qeveri krijoi kuadrin e nevojshëm ligjor për të mundësuar dhënien e lejeve koncesionare në sektorin energjetik privat, nën argumentimin se prodhimi i energjisë së siguruar prej tyre do ta ndihmonte në tërësi këtë sektor të vendit tonë. Dhe sipas të dhënave, ky prodhim, arriti deri në nivelin prej 10% të totalit të energjisë që prodhohet brenda territorit të tij. Por mesa duket, për të gjeneruar një efiçencë më të madhe të këtij sektori, qeveria e re e së majtës ka vendosur të ndërhyjë në çmimet që rregullojnë tregun e shitjes së energjisë së siguruar pikërisht prej këtyre veprave energjetike që rregullohen mes marrëveshjesh koncesionare të caktuara. Duke saktësuar në vendimin e ri se “për koncesionet e hidrocentraleve deri në 15 megavat, në kontratë përfshihen kushtet e përgjithshme apo të veçanta për shitblerjen e energjisë”. “Kur e kërkon koncesionari, operatori i energjisë elektrike që është ngarkuar me këtë detyrim detyrohet ta blejë energjinë elektrike të prodhuar nga këto hidrocentrale nëpërmjet një kontrate afatgjatë”, citon gjithashtu vendimi i ri i qeverisë. Për të pohuar më tej me detaje se çmimi i shitjes së energjisë elektrike të prodhuar nga hidrocentralet e lidhura në sistemin e shpërndarjes dhe çmimi i shitjes së energjisë elektrike të prodhuar nga hidrocentralet e lidhura në sistemin e transmetimit të energjisë elektrike do të llogaritet çdo vit nga Enti Rregullator i Energjisë e do të shpallet prej tij në fillim të çdo viti, në bazë të formulës së mëposhtme: çmimi shitjes (lekë/kvh) = çmimi mesatar i vitit përkatës të bursës hungareze (HUPX) të energjisë elektrike në eurocent /kvh X koeficientin 1.1 (kur është i aplikueshëm) X normën mesatare të këmbimit në euro/lekë për vitin e fundit. Por edhe me çmim mesatar të vitit përkatës të bursës hungareze HUPX të energjisë elektrike kuptohet çmimi mesatar vjetor, i ponderuar për produktin në bandë për vitin, për të cilin ERE do të miratojë tarifën përkatëse, siç publikohet nga bursa e Hungarisë HUPX, më 1 dhjetor të vitit kur ERE merr vendimin për miratimin e çmimit. Ku koefiçenti 1.1 llogaritet dhe përfshihet vetëm për përcaktimin e çmimit të energjisë së prodhuar nga hidrocentralet e lidhura në sistemin e shpërndarjes dhe merr në konsideratë reduktimin e humbjeve teknike në këtë rrjet si pasojë e furnizimit të energjisë elektrike në pikat e lidhjes së këtyre hidrocentraleve në rrjetin energjetik të tensionit të mesëm dhe/ose të ulët. “Me normë mesatare të shkëmbimit euro/lekë të vitit të fundit kuptohet kursi mesatar vjetor i këmbimit nga euro/lekë, i publikuar nga Banka e Shqipërisë për vitin në të cilin ERE merr vendimin”, përmendet gjithashtu në këtë VKM.