Konflikti për linjat urbane – Shoqata kundër Administratives: Vendim abuziv

Linja e transportit të udhëtarëve Tiranë-Elbasan është kthyer në një mollë sherri mes operatorëve dhe Gjykatës Administrative. Kjo e fundit ka vendosur dhënien e lejes për një operator të ri, ndërsa Shoqata e Transportit Ndërqytetas e quan këtë një vendim abuziv në shkelje të ligjit të transportit të miratuar 6 muaj më parë.

Shoqata e Transportit të Udhëtarëve Ndërqytetas ka denoncuar një rast që ata e quajnë korruptiv përsa i përket një vendimi të Gjykatës Administrative për dhënien e një leje transporti për linjën Elbasan-Tiranë.

Kryetari i Shoqatës, Kujtim Mema, kërkoi që të zbatohet ligji i transporteve i miratuar 6 muaj më parë dhe të mos jepen vendime abuzive.

Mema: Rastin flagrant që kemi dhe duam ta denoncojmë sot është rasti i Gjykatës Administrative në Tiranë, të gjyqtares Gentina Muça, e cila gjykon një proçes të Ministrisë së Transporteve mbi një operator, gjyqtarja jep kundra këtë vendim, kundra Ministrisë.

Mema paralajmëron se në rast se ky vendim nuk hidhet në apel nga Ministria e Transporteve do të përshkallëzohen protestat.

Mema: Sigurisht që ne nuk do të rrimë të heshtur, ne pas konferencës tjetër do të përgatitemi dhe për protestë nëqoftëse nuk do të na merren parasysh.
Prej dy vitesh për linjën Tiranë-Elbasan ekziston një konflikt i dublimit të linjave.

Me miratimin e ligjit të transporteve ku u bë edhe përgjysmimi i linjave u vendos të ishte vetëm një operator.

SHKARKO APP