Kongresi i ri i SHBA

Kongresi i 115 i SHBA bëri të martën betimin në Uashington. Republikani Paul Ryan u zgjodh pa vështirësi kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve. Në Senat, republikanët kanë paraqitur një projektligj që do t’i paraprijë përpjekjes së tyre për të shfuqizuar reformën e kujdesit shëndetësor të Presidentit Obama.

Ndërkaq, kryetari republikan i Komisionit të Senatit për Politikën e Jashtme tha se seancat e konfirmimit për kandidaturën e zotit Rex Tillerson si Sekretar i Shtetit do të fillojnë javën tjetër dhe pritet të zgjasin dy ditë. Komisioni do të marrë shumë shpejt një deklaratë të hollësishme financiare nga zoti Tillerson, i cili ka punuar për firmën Exxon Mobil prej 43 vjetësh.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump do ta fillojë mandatin e tij me një Kongres të kontrolluar nga republikanët. Por megjithë zotimet ambicioze që bëri gjatë fushatës për reforma në kujdesin shëndetësor, në politikat fiskale si dhe për shkurtime buxhetore, asgjë nuk është e garantuar për presidentin e ardhshëm:

Në fillim të dhjetorit u pa një moment uniteti pas takimit të Kreut të Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan dhe presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Jemi shumë entuziastë për mundësinë që kemi t’i futemi menjëherë punës për ta vënë vendin në rrugën e duhur,” tha zoti Ryan.

Për presidentin e ardhshëm suksesi do të matet nga disa reforma të rëndësishme:

“Donald Trumpi do të përpiqet të sigurojë ulje masive taksash, ndërkohë që ka premtuar shtimin e shpenzimeve për mbrojtjen, dhe ka propozuar projekte në infrastrukturë me shpresën se do të mund të deklarojë fitore në këto përpjekje për reforma brenda 100 ditëve të para,” – thotë analisti Norm Ornstein.

Për amerikanët, të cilët me votën e tyre sollën këtë qeverisje republikane në Uashington, suksesi matet me reforma në politikat e imigracionit, me ekonominë dhe shkurtime në programet qeveritare. Edhe pa ardhur zoti Trump në Shtëpinë e Bardhë, Kongresi është mobilizuar për të anuluar ligjin e Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor.

Por republikanët kanë vetëm një shumicë të ngushtë në Senat dhe do të duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të mos anulojnë elementë të ligjit që gëzojnë popullaritet, në mënyrë që të mos humbin kapital të nevojshëm politik.

SHKARKO APP