Konkurenca: Të mos zgjatet më ekskluziviteti i koncensionit të Rinasit
Teksa qeveria shqiptare është përfshirë në një proces negociatash shumëvjeçare për rishikimin e kontratës së koncesionit të Aeroportit të Rinasit, Autoriteti i Konkurrencës (AK) i ka rekomanduar asaj të mos e marrë në konsideratë opsionin për zgjatjen e afateve të kontratës.
Kështu, në raportin vjetor për vitin 2015 që AK ka dorëzuar tashmë në Kuvend, raportohet se me anë të vendimit të datës 24 dhjetor 2015 “Për disa rekomandime në lidhje me draft-amendamentin e Marrëveshjes së Koncesionit të lidhur më datë 15 Tetor 2004 ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Tirana internacional Aeroport SHPK”, ka rekomanduar moszgjatjen e afatit të ekskluzivitetit për fluturimet ndërkombëtare, pavarësisht kushteve të vendosura nga koncesionari për rishikimin e marrëveshjes.
Autoriteti i ka rekomanduar gjithashtu liberalizimin e shërbimeve (ground handling) sipas anekseve të kontratës koncesionare, rishikimin e pagesës së shërbimit në tokë dhe e uljes dhe e ngritjes.
Gjithashtu, AKka kërkuar rishikimin e pagesës për pasagjerët, të Kargos, pagesës së Parkimit të Avionëve dhe rishikimin e pagesës së ndriçimit të aerodromit.
Nëpërmjet këtij vendimi është kërkuar edhe zbatimi i vendimit të 50 Komisionit të Konkurrencës nr. 308, datë 21.02.2014 “Për disa rekomandime për rritjen e konkurrencës në tregun e shërbimit të transportit ajror”, në mënyrë të veçantë: “Për shkak të pozicionit të kompanisë koncesionare si i vetmi ofrues i shërbimeve ndërkombëtare të transportit të pasagjerëve, OSHA të hartojë dhe aprovojë një metodologji/rregullore për vendosjen e tarifave të aeroportit, si edhe tarifat të jenë të orientuara drejt kostos”.
Qeveria shqiptare në vitin 2004 formuloi së bashku me kompaninë koncesionare “Tirana Airport Partners”, një marrëveshje për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit të ardhshëm ndërkombëtar të Rinasit, që parashikonte një klauzolë bllokuese. Sipas së cilës, “gjatë periudhës së koncesionit, asnjë aeroport tjetër nuk do të licensohet për fluturime komerciale (mallra apo pasagjerë), në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Më tej thuhet se, do të lejohen ulje avionësh të linjave ndërkombëtare në aeroporte të tjera, veç atij të Rinasit, vetëm në rastet e emergjencës, ose në kohë katastrofash.
KOHA JONË SONDAZH

