Konkurrenca: ERE të rishikojë procedurat e blerjes së energjisë
Vendim ky i marrë në mbledhjen e datës 31.10.2014, pasi shqyrtoi raportin e monitorimit të tregut të importit të energjisë elektrike nga CEZ për mbulimin e humbjeve. Ky autoritet çmon gjithashtu se rekomandimet janë të vlefshme në periudhën afatshkurtër (meqënëse tenderat janë në periodicitet mujor) deri në momentin e miratimit të pligjit “Për energjinë elektrike” dhe miratimin e Modelit të ri të Energjisë. Rekomandimet synojnë sipas tij (a) nxitjen e pjesëmarrjes në procedurat e blerjes së energjisë, (b) nxitjen e konkurrencës ndërmjet blerësve; (c) sigurimin e trajtimit të barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë pjesëmarrësit në procedurën e blerjes së energjisë; dhe (d) sigurimin e integritetit, besimit publik dhe transparencës në procedurat e blerjes së energjisë elektrike dhe kosto sa më të ulëta për këto lloj transaksionesh. “Komisioni i Konkurrencës ka rekomanduar të rishikohet vendimi 30, datë 23.3.2001 i ERE-s “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të blerjes nga KESH” duke specifikuar që pranimi, vleresimi dhe negocimi i ofertave të kryhet në prani të ofertuesve duke rritur në këtë mënyrë besueshmërinë e procesit dhe konkurrencën ndërmjet ofruesve dhe duke hapur tregun dhe lejuar të gjithë aktoret e tregut (edhe prodhuesit vendas të energjisë) të marrin pjesë në procedurat e tenderit duke e bërë në këtë mënyrë më konkurrues procesin”, citojnë ekspertët e Autoritetit të Konkurrencës. Dhe duke marrë në konsideratë faktin që aktualisht në Shqipëri të gjitha procedurat e prokurimit publik janë në formë elektronike dhe realizohen nëpërmjet platformave përkatëse elektronike, ky ent rekomandon që kjo procedurë të parashikohet edhe në rregullat e blerjes së energjisë elektrike.
Në këtë treg, Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një procedurë hetimi sipas një ankese se “ofertat e paraqitura nga disa prej operatorëve janë të paarsyeshme dhe mbi çmimin e tregut dhe me diferenca të papërfillshme me njëri tjetrin, me 5 cent dhe ka koordinim për sasitë e ofertuara dhe se skualifikimi i ofertave me çmime konkurruese ka sjellë humbje për OSHEE-në, buxhetin e shtetit dhe për konsumatorin përfundimtar”.
LIBERALIZIMI
Segmenti i tregut të energjisë elektrike për blerjen e OSHEE-së për mbulimin e humbjeve sipas Modelit Të Tregut Të Energjisë Elektrike, është i vetmi segment i liberalizuar dhe ku mund të zhvillohet konkurrenca, pasi OSSHEE-ja ka të drejtë të prokurojë energjinë nga operatorët e licencuar.
HETIMI
Autoriteti i Konkurrencës ka hapur procedurën hetimore për të evidentuar kufizimet e mundshme të konkurrencës nga sjellja e pjesëmarrësve në procedurat e prokurimit të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve nga ana e OSHEE-së, që mund të sjellin pengimin, kufizimin dhe shtrembërimin e konkurrencës në treg.