Konkurrenca: Karburantet, s’ka prova për abuzime në treg

Autoriteti i Konkurrencës konstaton se nuk ka asnjë gjasë për bashkëpunim mes kompanive për të caktuar çmimet dhe rregullat e lojës në tregun e naftës dhe gazit në vend

Nuk ka asnjë gjasë për bashkëpunim mes kompanive për të caktuar çmimet dhe rregullat e lojës në tregun e naftës dhe gazit në vend. Ky është përfundimi kryesor në të cilin ka arritur një hetim i realizuar së fundmi nga Autoriteti i Konkurrencës lidhur me funksionimin në tërësi të tregut të karburanteve në vendin tonë. I titulluar konkretisht “Për mbylljen e hetimit të thelluar në tregun e prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të karburanteve dhe disa rekomandime për mirëfunksionimin e këtij tregu”, ky hetim u realizua mbi bazën e disa inspektimeve në të njëjtën ditë dhe orë në ndërmarrjet objekt hetimi, me qëllimin për gjetjen e evidencave direkte dhe indirekte të një bashkëpunimi të mundshëm midis konkurrentëve. “Por gjatë këtyre inspektimeve nuk u gjet asnjë provë apo evidencë direkte”, kanë pohuar ekspertët e Autoritetit të Konkurrencës, lidhur me një fakt të tillë. Duke saktësuar më tej se diferencat e mëdha mes pjesëve të tregut dhe strukturat e tregut jo të krahasueshme midis ndërmarrjeve, hyrjet dhe daljet nga tregu gjatë periudhës objekt-hetimi janar 2010-prill 2014, si edhe ekzistenca e dy modeleve të tregut të importit, në të cilat operojnë ndërmarrje të ndryshme konkurrente me njëra-tjetrën, nuk përbëjnë evidenca të mjaftueshme për të argumentuar dominancën e përbashkët të disa ndërmarrjeve që operojnë në tregun përkatës gjatë periudhës së hetimit. Teksa shtojnë nga ana tjetër se gjatë periudhës objekt hetimi është evidentuar një ngurtësim i tregut të shitjes me pakicë. Por edhe lidhur me këtë të fundit, ata e argumentojnë se kjo nuk ka ndodhur enkas, por në fakt si pasojë e një situate të caktuar në treg. “Ky është një kufizim vertikal i konkurrences që është rrjedhojë e udhëzimit të vitit 2008, i cili përcaktonte se shitësi me shumicë (kryesori) i cakton çmimet shitësit me pakicë (agjenti). Për këtë arsye, nuk ka qenë e mundur matja e efekteve të cdo segmenti, përkatësisht importi, shitja me shumicë dhe shitja me pakicë në çmimin final të produkteve eurodiezel dhe benzinë që i ofrohen konsumatorit fundor. Gjatë periudhës hetimore u evidentua se nga zbatimi jo korrekt i udhëzimit nuk u mundësua konkurrenca midis logove respektive të pretenduara nga tregtarët e shumicës. Gjithashtu, u evidentua që komisionet e aplikuara nga ndërmarrjet e shumicës për ato të pakicës ju krijonte këtyre të fundit mundësinë që të vazhdonin aktivitetin e tyre edhe në kushtet e mungësës së eficiencës”, saktësojnë ekspertët e Konkurrencës. Për të shtuar më tej se pas shqyrtimit të raportit të hetimit të thelluar dhe pretendimeve të palëve në seancat dëgjimore rezultoi se gjatë periudhës objekt hetimi nuk u gjetën evidenca të mjaftueshme që të provonin marrëveshje të ndaluara apo abuzimi me dominancën kolektive midis ndërmarrjeve objekt hetimi. “Megjithatë konkurrenca në tregun e importit dhe tregëtimit me shumicë të karburanteve nuk është mjaftueshëm efektive për shkak të strukturave të tregut dhe rregullimit ligjor (Ligji “Për hidrokarburet)” dhe atij nënligjor (Udhëzimet e Ministrisë së Financave dhe asaj të Energjetikës) të këtij tregu”, përfundon hetimi i realizuar nga Autoriteti i Konkurrencës. Duke ia hedhur në njëfarë mënyre “fajin” për mosrespektimin e rregullave në tregun e karburanteve, pikërisht mungesës së legjislacionit të duhur dhe hallkave të munguara ligjore, të cilat nëse do të rregullohen siç duhet, atëherë patjetër që do të kemi një funksionim më të mirë të tregut të karburanteve në vendin tonë.

 

REZERVAT

“Autoriteti i Konkurrencës evidentoi faktin se ekzistojnë hallka të tepërta në strukturat e tregut që nuk justifikojnë vlerën e shtuar që nga importi, zonat e lira doganore, shitjet me shumicë, shitjet me pakicë, deri tek konsumatori fundor, duke shkaktuar rritjen artificiale të kostove dhe një elasticitet të çmimit mesatarisht të ulët, kryesisht kur ulet çmimi në tregun ndërkombtar. Shkalla e lartë e përqëndrimit të tregut dhe tendecat për rritjen e këtij përqëndrimi, kryesisht në tregun e importit, kërkon përmirësime strukturore të tregut dhe ndërthurjen e instrumentave përtej atyre të Autoritetit të Konkurrencës, për të ndihmuar në kontrollin e abuzimit dhe ndalimin e këtij abuzimi që mund të shkaktohet nga ndërmarrjet që kanë fuqi tregu, të aplikojnë praktika abuzive duke dëmtuar konsumatorin fundor”.

 

REKOMANDIMET

“Qeveria të rregullojë

ligjin për përpunimin

dhe tregtimin e naftës”

Komisioni i Konkurrencës, vendosi t’i rekomandojë qeverisë shqiptare të rishikojë ligjin e vitit 1991 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, duke u krijuar mundësi ndërmarrjeve që operojnë në tregun e shitjes me shumicë të eurodieselit dhe benzinës: a) të realizojnë edhe shitjen me pakicë, duke eleminuar në këtë mënyrë hallkat e tepërta në zinxhirin e tregtimit, për të mundësuar uljen e kostove të pajustifikuara ekonomike në krahasim me vlerën e shtuar të produktit; b) të ruajnë identitetin e produktit dhe të konkurrojnë nëpërmjet logos respektive tek shitësit me pakicë, për të mundësuar nxitjen e konkurrencës efektive në këtë treg. Sikundër i kërkoi që të krijojë edhe bazën ligjore dhe infrastrukturën administrative të nevojshme, për një njësi të transparencës së çmimit të hidrokarbureve , në të cilën ndërmarrjet që operojnë në tregun e prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të karburateve duhet të njoftojnë në kohë reale brenda 5-15 minuta këtë njësi dhe Autoritetin e Konkurrencës për çdo ndryshim të çmimit të shitjes me shumicë. Por edhe vlerësimin e zbatimit të marrëveshjes koncesionare në portin “Vlora 1” për respektimin e detyrimit të mospërfshirjes së koncensionarit në tregtimin e karburantit si dhe transferimin e së drejtës ekskluzive në tregjet e lidhura. Në fund, qeverisë i kërkohet që të ndërtojë edhe instrumentat e duhura për të kontrolluar hyrjet dhe daljet e shpeshta brenda vitit financiar të ndërmarrjeve që operojnë në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve, të cilët gjenerojnë konkurrencë të pandershme. “Ndërmarrjet që operojnë në tregun e hidrokarbureve të paraqesin pranë Autoritetit të Konkurrencës për vlerësim, marrëveshjet që ato lidhin për realizimin e importeve të përbashkëta apo përdorimin e logjistikës, për të përfituar përjashtimin individual të tyre”, përfundon hetimi i thelluar i Autoritetit tëKonkurrencëslidhur me tregun e karburanteve.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

SHKARKO APP