Konkurrenca: Të rishihet koncesioni i pullave fiskale

Por në të njëjtën kohë, edhe vlerësim ekonomik e teknik mbi zbatueshmërinë e kushteve të kontratës koncensionare për pullat fiskale në tërësi dhe analizën e justifikimit ekonomik të tij, i cili është pasuar me rritjen e kostos së biznesit për pullat fiskale. Këto janë dy nga rekomandimet kryesore me të cilat ka dalë së fundmi Autoriteti i Konkurrencës, lidhur me hetimin e koncesionit të pullave fiskale, të cilat sipas ekspertëve të tij, duhet të përfshijnë gjithashtu dhe përmbushjen e qëllimit për të cilin është dhënë ky koncensioni, pikërisht rritja e të ardhurave fiskale dhe lufta ndaj evazionit e kontrabandës së produkteve të akcizës. Konkretisht, ky institucion bën me dije se bazuar në shqetësimet e komunitetit të biznesit të bëra prezent në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet mediave, realizoi procesin e vlerësimit të marrëveshjes koncesionare për ofrimin e sherbimit publik të pullave fiskale. Dhe në kuadrin e tij, doli me vendimin “Për disa rekomandime në lidhje me kontratën e koncesionit për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emëtimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave”. “Nga krahasimi i çmimeve të pullave fiskale para dhe pas dhënies së koncensionit rezulton se për cigaret dhe alkoolin çmimet e pullave janë rritur rreth 4 herë duke përbërë kosto të shtuar për biznesin”, kanë vlerësuar ekspertët e AK-së lidhur me efektet konkrete që sipas tyre, ka dhënë aplikimi i këtij koncesioni në vendin tonë. Duke saktësuar më tej, se çmimi i shitjes së pullave fiskale para marrëveshjes koncensionare ka qënë: Pullat fiskale të cigareve 0.49992 lekë/copa me TVSH dhe pullat fiskale të pijeve 1.20 lekë/copa me TVSH. “Pas dhënies së koncensionit, çmimi i pullës fiskale ka ndryshuar si vijon: për duhanin 2.7 lekë, 4.4 lekë për alkoolin, 3 lekë për birrën dhe 2.9 lekë për ilaçet”, argumentohet më tej prej tyre. Ndërsa vihet në dukje se zbatimi i koncensionit për prodhimin e pullave fiskale per barnat nuk është realizuar deri më sot. Dhe se vendosja e një tarife 2.3 lekë/copë më e lartë e pullës fiskale për çdo medikament, do të ishte një kosto e lartë për produktet farmaceutike, të cilat kanë ndjeshmëri shumë të lartë tek konsumatori. Koncesioni i pullave fiskalë është vetëm njëri nga ata që janë lidhur gjatë qeverisë së shkuar dhe që janë vënë në pikëpyetje prej qeverisë së re të së majtës, që në kohën kur ajo ishte në opozitë, me pretendimin se ka rritur kostot e biznesit, siç edhe u argumentua më lart. Por edhe se pretendohet që paratë e siguruara nga shërbimi i tij, si edhe koncesionet e tjera, i merren arkës së shtetit dhe i jepen pa të drejtë privatit.

 

QËNDRIMI

“Vendosja e një tarife 2.3 lekë/copë më e lartë e pullës fiskale për çdo medikament, do të ishte një kosto e lartë për produktet farmaceutike, të cilat kanë ndjeshmëri shumë të lartë tek konsumatori”

 

30 nëntor 2012

 Si u nënshkrua marrëveshja e koncesionit nga ish-qeveria?

Marrëveshja koncesionare për pullat fiskale ndërmjet Ministrisë së Financave dhe shoqërisë SICPA Holding SA është nënshkruar në 30 nëntor 2012. Ku shoqëria koncensionare SICPA HOLDING SA është një shoqëri anonime e regjistruar sipas kuadrit ligjor të Zvicrës. Sipas Autoritetit të Konkurrencës, nga vlerësimi i marrëveshjes koncensionare rezulton se para lidhjes së marrëveshjes së koncesionit nuk janë respektuar dispozitat e Ligjit 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” i ndryshuar, dhe konkretisht nuk është respektuar neni 69 i Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” sipas të cilit duhet të ishte marrë vlerësimi i Autoritetit. Teksa ky institucion ka detyrimin ligjor për vlerësimin e të drejtave ekskluzive dhe të veçanta të dhëna në territorin e Republikës së Shqipërisë referuar nenit 2 pika c e Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, si dhe detyrimeve në kuadër të respektimit të marrëveshjes së Stabilizim Associmit (AK është lider dhe koordinator i kapitullit 8 dhe ka detyrimin për të raportuar mbi të drejtat e veçanta dhe ekskluzive në territorin e Shqipërisë).

 

SHKARKO APP