Konsensusi është te “Venecia”
Nga Vladimir Lulaj –
Ngjarjet aspak rastësore, që po na ndodhin, tregojnë se, për fat të keq, nuk kemi shtet ligjor të pavarur nga partitë politike parlamentare dhe as klasë politike, që di të solidarizohet në veprimtari të unifikuara strategjike; të cilat kanë lidhje vetëm me mbrojtjen e interesave të përgjithshme të popullit.
***
Në mediat vizive gëlojnë përgojime politike; thuhen jo vetëm replika boshe me tautologji 25 vjeçare; por madje aktivizohen në emisione të posaçme “analistët më të mirë”; të cilët kanë bindje se, duke qenë gazetarë ‘të vjetër’, mund të jenë edhe “ekspertë” për “reformën në drejtësi”, ose për “ndryshimet kushtetuese”, ndaj mëtojnë ‘mijëra broçkulla’ pa përmbajtje juridike.
Deputetët partiakë të PD flasin kundër diadës politike racionale ‘PS –LSI’, duke thënë se, “nuk ka reformë pa Partinë Demokratike”. Sipas tyre, duhet konsensusi “maxhorancë – opozitë”, ose ndryshe “rrudhje dhe barabitje funksionale” midis pushteteve të përkohshëm politikë. Me fjalë të tjera “qeveria hije me kryeministër” z. Lulzim Basha, që ka organizuar “ballon e mosbindjes civile”, duhet trajtuar si më protagoniste se partia qeverisëse dhe kryeministri socialist, z. Edi Rama.
Kjo ‘dalldisje e madhe i ngjan stuhisë brenda ‘godave’ të partive politike në përgjithësi dhe asaj të Partisë Demokratike në veçanti; të cilat po “luftojnë” për të mbrojtur paprekshmërinë e liderëve “Berisha – Basha”; sepse ‘storma e reformimit të sistemit të drejtësisë’ mund të shpjerë në bankën e akuzës penale autorët e gjenocidit të ushtruar kundër Popullit Shqiptar në pranverën e vitit 1997.
Dridhma frike, sepse ndryshimet kushtetuese dhe drafti për reformën në drejtësi mund të krijojnë kushtet ligjore dhe institucionale për të ushtruar ndjekje penale ndaj atyre që nënshkruan marrëveshjen antikombëtare të 9 marsit 1997; përgjegjësi penale për ata që thyen embargon ndërkombëtare të naftës dhe furnizuan me këtë lëndë strategjike tanket e ushtrisë serbe të diktatorit Sllobodan Millosheviç. Ndjekje penale për organizatorët e grushtit të shtetit, të zhvilluar në 14 shtator 1998, dhe ‘mercenarët’ që sulmuan e “pushtuan me armë” godinën e Kryeministrisë; që armatosën militantët e PD me armë zjarri automatike, si dhe rrëmbyen teknikë dhe armë kolektive, siç janë tanket e frikshëm, për të mbrojtur selinë e PD. Akuza penale ndaj atyre që frymëzuan dhe firmosën marrëveshjen antikombëtare për ‘lëshim territori ose shitje’ në favor të Greqisë të 300 kilometrave katrorë hapësirë detare, (me rezerva nafte dhe gaz natyror, që barabiten me qindra miliardë USD;). Gjyq penal për ata që ushtruan gjenocid në Gërdec, ku u vranë 26 njerëz të pafajshëm dhe u plagosën qindra të tjerë; si dhe për vrasjen e katër demonstruesve para godinës së Kryeministrisë më 21 janar 2011. Hetim penal për politikanët, që kanë bërë thirrje për ‘mosbindje civile’ në fund vitin kalendarik 2015.
Synimi dihet. Kukullat partiake, përfshirë edhe analistët e paguar për shërbesa të kamufluara politike, ushtrojnë presion mediatik për të krijuar përshtypjen e rreme sikur gjoja shoqëria civile shqiptare dhe shteti ynë juridik kanë nevojë që triada PS-PD –LSI të mëtojë ‘dakortësi reciproke’ për procedurën dhe përmbajtjen e reformës në drejtësi, si dhe ndryshimet e domosdoshme të Kushtetutës.
***
Janë krejt qesharake, aspak serioze dhe madje ‘skandaloze’, ose barabiten me mungesën e arsyetimit ligjor, argumentet partiake që ofrojnë ‘ekspertët’ politikë të PD lidhur me draftin për reformën në Drejtësi dhe ndryshimet Kushtetuese. Ata, në çdo diskutim mediatik, nuk nisen nga pozita juridike ‘super partes’; nuk e shohin veten të kuadruar, ose si zëdhënës të interesit së shtetit ligjor, por si përfaqësues të interesit pragmatist të liderëve aktualë të PD. Nisur nga këto pozita ekstremisht partiake dhe të kufizuara, shpërfaqin “frikën” e madhe se kryeministri socialist kërkon të “kapë” pushtetin gjyqësor. Dokrra të tilla jo vetëm i deklarojnë, por bëjnë çmos për të krijuar përshtypjen e rreme dhe satanike sikur tërë shteti do bjerë në “robërinë” e diadës Rama – Meta.
Sigurisht është e pamundur të merresh vesh me ata, destruktivët, që kanë ‘mizën nën kësulë’ dhe ‘lepurin në bark’; për vetë faktin se kanë probleme të ‘hapura’ me drejtësinë shqiptare; sepse janë të akuzuar jo vetëm potencialisht për ‘grabitjen’ e qindramilionë eurove gjatë ndërtimit të rrugës strategjike të ‘Kombit’; por sepse, me dashje dhe paramendim antikushtetues, kanë firmosur marrëveshjen antikombëtare për lëshim të hapësirës detare të Republikës së Shqipërisë në favor të Greqisë; madje, duke i dhënë urdhër antiligjor efektivit të Gardës së Republikës, çuan në vrasjen e katër demonstruesve paqësorë përpara godinës së Kryeministrisë.
Kryeministri aktual i Shqipërisë, z. Edi Rama, gjatë daljeve aspak rastësore në mediat e ndryshme vizive, ka mëtuar vizionin e qartë të një politikëbërësi racional, që respekton strategjinë pragmatiste dhe perspektive të Shtetit tonë Juridik, që nuk varet aspak nga mizanskenat, apo debatet partiake në Kuvendin Popullor, por nga vendimet që merr Parlamenti aktual, si pushteti i pavarur kryesor i Shtetit Unitar të Republikës së Shqipërisë.
***
Vini re veprimet dhe mosveprimet e kujdesshme të kryeministrit prudent, z. Edi Rama. Të gjithë e dinë se vete Ai te zyra e kryetarit të shtetit, z. Bujar Nishani, dhe te zyra e figurës numër dy të Republikës, që është kryetari gjithashtu i ‘urtë’ i Parlamentit, z. Ilir Meta. Kjo sjellje formale, që respekton protokollin shtetëror, flet për ‘tre burra shteti’ që nuk bëjnë ‘hije dhe karshillëk institucional’ kundrejt njeri tjetrit, por përpiqen të kryejnë detyrat funksionale, duke bashkëvepruar në shërbim të strategjisë imediate dhe perspektike të Shtetit Ligjor. Janë këta, triada Nishani – Meta –Rama, aktorët protagonistë dhe liderët kryesorë të Kombit Shqiptar, që përfaqësojnë tre pushtetet e pavarur shtetërorë të Shtetit tonë unitar Kombëtar.
Ndaj nuk ka zë tjetër të pavarur shteti ynë kombëtar, sepse e folura si lider partiak ka qasje vetëm me interesat thjesht pragmatiste të forcave politike, që orientohen drejt pushtetit të përkohshëm politik, ose pushtetit qendror, apo lokal ekzekutiv. Në këtë kuadër duhet parë “gallata” e binomit ‘Berisha – Basha’, që nuk kupton se në këto momente historike Shteti Shqiptar ka si përparësi jo ‘ballot e mosbindjes civile’ për të kaluar në zgjedhje të parakohshme elektorale, por angazhimin për të plotësuar detyrat strategjike, që mundësojnë hapjen e negociatave për pranimin dhe integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
***
Pse ka deklaruar Kryeministri aktual i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, se ai është ‘..një politikan i bindjeve, jo i konsensusit’ dhe pse, sipas ‘Tij: “Konsensusi është te ‘Venecia’..”?. Pse nuk pranon të ulet me statusin zyrtar të kryeministrit për të gjetur ‘mirëkuptim’ me Saliun dhe Lulin lidhur me reformën në drejtësi dhe ndryshimet kushtetuese?
Përgjigjen e ka dhënë të qartë dhe të plotë; sepse këto dy reforma s’janë procedura të pushtetit qendror ekzekutiv, por tagëra të pushtetit vendimmarrës parlamentar dhe veprimtari, që kanë lidhje vetëm me komisionin parlamentar të ligjeve dhe grupet eksperte të punës.
Kryeministri transparent, z. Edi Rama, ka kurajon e dukshme për të mos i ‘shtrirë duart’ mbi pushtetet e tjera shtetërorë; ndaj pikërisht sepse ka mbajtur qëndrime të tilla racionale; pra për shkak se respekton ndërtimin organik dhe veprimtarinë funksionale të Shtetit unitar të Shqipërisë; duke dhënë kontribut institucional për mbarëvajtjen strategjike të punëve të përbashkëta në interes të Kombit; sulmohet dhe akuzohet nga ‘kryeministri hije’.
Ligjërisht dhe procedurialisht, pushteti ekzekutiv qendror, është pjesë unitare e Shtetit Ligjor, kurse Qeveria “Rama” palë strategjike e interesuar për ndryshimet kushtetuese dhe reformën në drejtësi; ndaj ka pasur si detyrë të jepte kontribut dhe opinione me shkrim për realizimin sa më cilësor të kësaj veprimtarie shtetërore. Në këtë kuadër, ministri kurajoz i Ministrisë së Drejtësisë, z. Ylli Manjani, ka caktuar dy ekspertë të aftë profesionalisht në grupin e punës. Por liderët destruktive të PD, kryesisht ‘diada Berisha – Basha’ dhe lakenjtë e tyre; që bëjnë thirrje për ‘mosbindje civile’..; e konsiderojnë pjesëmarrjen e dy ekspertëve si veprimtari partiake që ‘komandohet’ nga kryeministri, z. Edi Rama, gjoja me synimin për të kapur pushtetin ‘e pavarur’ gjyqësor…
Me sjelljet dhe deklaratat e tyre destruktive deputetët ‘mjeranë’ të tipit Halimi dhe ‘ekspertët – ish- ministra’, ose kandidatët “berishianë”, që dështuan në zgjedhjet vendore të pushtetit lokal të vitit kalendarik 2015, po tregojnë se nuk kanë njohuritë e domosdoshme mbi shtetformimin demokratik dhe veprimtarinë ligjore të Shtetit Juridik. Njëlloj si ‘diada Berisha – Basha’ edhe oborri i lakenjve beson se Shqipëria nuk duhet të jetë ‘Republikë Parlamentare’, por ‘shtet rrumpallë’ nën diktaturën e qeverisë partiake dhe jo llogaridhënëse berishiane, që duhet të jetë nën kontrollin dhe komandën destruktive të ‘diadës nepotiste Berisha – Basha’…
***
Lind pyetja ftilluese: a e di ‘kryeministri hije’, beniamini berishian, kryetari aktual i asetit politik kombëtar me emrin Partia Demokratike dhe zëngjiruri narcist, z. Lulzim Basha, se forcat politike janë të ndara nga Shteti juridik i Shqipërisë?.
Ky, ‘aktor politik me diafragmë të kufizuar’, që fryhet ‘si mace, ose gjel deti’ dhe shkrofëtin sikur të ishte ‘mbreti i Zeusit…’, duke i bërë thirrje Sovranit Popull për ‘mosbindje civile’…, a e di vallë se në cilat raste mund t’u bëhet thirrje qytetarëve për ‘mosbindje civile’…?.
A janë të interesuar për shtet ligjor, apo për ‘shtet të pakufizuar partiak’ ata politikanë destruktivë, që janë përgjegjës për krijimin e një drejtësie të padrejtë dhe tashmë kërkojnë ‘konsensus’ për ndryshimet kushtetuese dhe reformën në drejtësi, duke akuzuar kryeministrin, z. Edi Rama, për reminishenca berishiane në shtetformim dhe shtetdrejtim?.
A e kuptojnë deputetët partiakë, ose kori politik berishian , se kur z. Edi Rama flet nga selia e Partisë Socialiste duhet parë dhe dëgjuar thjesht si kryetar i kësaj force politike, pra pa tagërën strategjike te kryeministrit të Shtetit Shqiptar; por, në rastet kur flet si kryeministër, opozita berishiane asnjëherë nuk ka shanse ligjore për ta kuptuar ose interpretuar partiakisht, ose ndryshe nga funksioni që përfaqëson.
Për fat të mirë Kryeministri, z. Edi Rama, nuk ka formim intelektual berishian, nuk shpërfaqet aspak destruktiv; nuk ndihet narcist, nuk sillet si numri një ose dy i Shtetit, por modestisht, si politikëbërës me topndërgjegje shtetërore, që e ka të qartë se veprimtaria shtetërore për ndryshimet kushtetuese dhe reformën në Drejtësi drejtohet nga kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, z. Ilir Meta. Ndërkohë nuk hesht, deklaron se reforma kushtetuese dhe ajo në drejtësi nuk mund të jetë ‘një kompromis i partive politike parlamentare’; por një vendim superpartiak dhe kombëtar i Kuvendit Popullor të Shqipërisë; që nuk përfaqëson partitë politike, që vetëfunksionojnë të ndara nga shteti, por Sovranin Popull; i cili kontrollon dhe ‘ndreq’ veprimtaritë destruktive të pushteteve të përkohshëm politikë.
Referuar nenit 2 të Kushtetutës, sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket vetëm popullit dhe jo partive politike. “2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti.”. Vetëm kur Parlamenti nuk i shërben Shtetit Ligjor, sepse deputetët partiakë shndërrohen në ‘mercenarë’ kundër pushtetit qeverisës së shtetit unitar të Kombit; vetëm atëherë Populli ushtron ‘mosbindje civile dhe rivendos drejtpërsëdrejti sovranitetin e vet, duke hedhur në ‘koshin e plehrave’ dhe zëvendësuar të gjithë ‘klasën e deformuar politike’…