Kopertina e “Sports Illustrated” shqetëson prindërit
Shfaqja e Hannah Davis në kopertinën e “Sport Illustrated”, e veshur vetëm me një kostum banjoje, mund të jetë ëndrra e saj që bëhet realitet, por për prindërit do të jetë një makth i vërtetë.
Kopertina e revistës ka shkaktuar shumë polemika që nga dita e publikimit të saj, të mërkurën, pasi modelja shfaqet teksa ul pjesën e poshtme të kostumit të banjës në një plazh në Ishujt e Virgjër.
Nëpër forumet e mediave prestigjoze amerikane online, si “Washington Post”, kanë qarkulluar një sërë kritikash të tipit “Mesazh i tmerrshëm për vajzat e reja”, “Revista duhet të ndryshojë emrin në ‘SI Playboy’”.
Ndërsa një komentator shkoi më tej duke akuzuar revistën për “kontribut në përshpejtimin e procesit të humbjes së pafajësisë”.
Në një sondazh të “US Weekly”, 72 për qind e mbi 12 mijë të intervistuarve e konsideronin kopertinën “material erotik”. Ndërsa në një sondazh analog të “Yahoo Health”, 48 për qind e të intervistuarve e komentuan atë si “degradim”.