Korça
Nga Edison Ypi
Kur Iljaz Mirahori ishte fëmijë dhe një ditë behari flinte në një lëndinë i bënte hije një shqiponjë duke i ndejtur sipër si satelit gjeostacionar. Që domethënë se Mirahori ishte njeri i shenjtë, dhe qyteti i Korçës që më pas e themeloi, ishte një qytet i jashtëzakonshëm.
Korça është një Zonjë e madhe me motra e vëllezër shumë. Motrat e Korçës janë Vjena, Roma, Londra. Vëllezërit e Korçës janë Parisi, Milano, Budapesti. Korça ka dhe plot kushurinj e kushurira, kunata, nipa, mbesa. Selanikun, Bukureshtin, Athinën, Stambollin, Zagrebin, Prishtinën, Shkupin.
Korça është i pari qytet ballkanik dhe i vetmi qytet shqiptar që është edhe kontinental edhe mesdhetar.
Ky fakt gjeografiko-klimatik, kjo mpleksje e mesdhetarizmit me kontinentalizmin, e bën Korçën dhe hapësirën rreth saj një qytet absolutisht magjik, dhe udhëtimin drejt Korçës definitivisht magjepsës, të tillë që nuk mërzitet kurrë, edhe me miliona herë sikur të shkosh e të vish.
Si xhevahirët që ngado ti’ shohësh janë ndryshe të bukur, edhe hijeshia e Korçës varet nga cili drejtim e sheh, nga cila anë i afrohesh.
Që udhëtimin drejt Korçës ta shijosh të tërin, në Korçë duhet vajtur i pa kushtëzuar nga kthesat e asnjë rruge, dredhat dhe ngushticat e asnjë shtegu, vështirësitë e asnjë pengese. Pra e mira fare është në Korçë të shkosh si Zog' i Qiejve.
Në pamundësi për të vajtur në Korçë nga qielli, variantet e tjera janë këto;
T’i afrohesh Korçës nga perëndimi.
Kur ndodhesh mbi majë të Qafës së Thanës, mu aty, ndërkohë që ndjen se nga pas mesdhetarizmi i ngrohtë po jep shpirt, përpara po lind një fllad i ri, një magji e re, kontinenti.
Po t’i afrohesh Korçës nga lindja, pra nga Devolli, provon ndjesinë e kundërt. Nga pas le freskinë kontinentale, ndërsa përpara të pret ngrohtësia mesdhetare, Korça e butë dhe e ngrohtë.
Ardhja në Korçë nga jugu nuk rekomandohet, është me zarar. Nga Gryka e Këlcyrës, Lugina e Vjosës, Laskoviku, Kolonja, ke bërë mbi 100 kilometra mes bukurive më tronditëse të planetit gjatë të cilave s’ke asnjë gjasë të shpëtosh pa u prekur nga “Sindroma e Stendalit”, pra nga bukuria që lodh dhe sëmur. Dhe pas Stendalit dhe Sindromës së tij, edhe Korça të duhet, që të çmendesh ose të vdesësh.
Udhëtarët me shije estetike më të sofistikuara mund t’i aviten Korçës edhe nga drejtime te tjera.
Nga Gramshi nëpër rrjedhën e Devollit për të dalë në Maliq, pastaj në Korçë.
Kalimi nëpër këtë kanion me humnera dhe ujvara frymëndalëse nëpër këtë rrugë të cilën pak janë ata që e dinë se ekziston, është udhëtim që mbetet përgjithmonë në kujtesë.
Nga Skrapari, përmes maleve.
Ky variant, përveç sofistikimit të shijeve, kërkon edhe guxim, muskuj, si dhe përvojë, kushte këto që i plotësojnë fare pak entuziastë udhëtimesh, fatlumë për tu patur zili.
Nga rrëzë Malit të Thatë, Podgorie, Zvezdë, Plasë, Korçë.
Ky variant i tërthortë është për të ngeshmit që nuk kanë problem kohën por vetëm rrënqethjet estetike të cilat i duan sa më të forta dhe që të zgjasin sa më tepër në kohë. Ky itinerar preferohet sidomos nga lasgushianë të krisur që shkojnë me shpresë se duke udhëtuar andej do shohin ndonjë “shqiponjë të arratisur që fluturon mbi Mal’ të Thatë”.
Kolonja, Poradeci, Devolli, Prespa, Voskopoja, janë 5 xhevahirët e gjerdanit të artë që zbukuron gushën e Zonjës Korçë.
Vendet ku magjepsja Korçare bëhet e papërballueshme, vendet ku nga kjo magjepsje mund të të ikësh nga fiqiri janë dy; Prespa dhe Voskopoja. Njëra më magjike se tjetra janë që të dyja “Vende të Mira” si Jeruzalemi dhe Meka, ku po të jesh’ i sëmurë, shërohesh, po të jesh i shëndetshëm, nuk sëmuresh. Voskopja dhe Prespa janë të dyja vende të shenjta të pandotura nga kallaballëku. Kur ndodhesh në këto dy vende, kur bërtet dhe dëgjon jehonat, ke ndjesinë se po llafosesh me Zotin.
Po të flesh një natë në Prespë apo Voskopojë dhe nuk sheh asnjë ëndërr, testi i idotit të ka dalë me sukses. Vuan nga pamjaftueshmëri shpirtërore dhe cerebrale. Je qënie inferiore. Leri udhëtimet dhe leximet. Ik shit rraqe mbi ndonjë tezgë.
Nëse idiot nuk je, dhe shtrihesh të flesh një natë në Voskopojë ose Prespë, kujdesu që gjatë asaj nate të mos të zerë gjumi. Lere atë natë të bardhë. Po fjete, me siguri do shohësh ëndërr, në ëndërr me siguri do shohësh Shenjtor, Kishë, afreske, varre të vjetër, Manastir me myshk, që do të çfaqen nat’ për nat’ 20 vjet rrjesht.
Shkodra i do, dhe mburret, por s’ka mardhënie të qënësishme me rrethinat e saj. Qytetarëia shkodrane ka qënë, dhe deridiku është, e lartë, por e izoluar, ishullore, sepse periferinë e ka pasur, dhe e ka, të paragjykuar, çka është një asimetri sa e panatyrshme dhe e pakëndëshme.
Vlora është e dominuar nga krahinat përrreth, pra e çbalancuar.
Gjirokastra është e njëjta gjë rrethepërqark. Libohoviti dhe tepelenjoti të nxjerrin sytë po u the se ata janë katundarë ndërsa gjirokastriti është qytetar.
Durrsi është një mishmash.
Lushnja, Fieri, Elbasani, s’merret vesh ku fillon qyteti ku mbaron fshati.
I vetmi qytet i Shqipërisë ku, si çdo qytet europian, qyteti është qytet dhe fshati është fshat, secili kryelartë në dinjitetin e vet, është Korça.
Po Korça njërëzore, Korça nga brenda, si është vallë Korça nga brenda ?
Qytet europian me kisha dhe kumbanore, me Zonja dhe Zotërinj si gjithë Europa, Korça ka një butësi të brendëshme të ruajtur me një vendosmëri të pashoqe që nuk kanë arritur ta prekin dot as luftrat dhe asgjë. Ta prekësh butësinë njerëzore korçare është më vështirë se të gërricësh diamantin.
Prandaj Korçës nuk guxoj t’i afrohem më tepër. Po të kuturisja do dukesha si elefanti brenda dyqanit të qelqurinave. Më merren mentë nga sofistikimi i saj. Më mirë më jep penel dhe ngjyra të bëj një Monaliza më mahnitëse se të Leonardos sesa të më shtjesh në mëkat të “vizatoj” Korçën. Do ishte njësoj sikur t’i thuash kovaçit të Sovjanit; Daltat dhe çekiçat i ke, mermerin ik merre në Strelcë, gdhëndmë Davidin.
Ata që nuk i besojnë këto për Korçën janë lëkurë-shollët, soc-shkrimtarët, himnizuesit e djersës së kooperativës, mbledhjeve të kolektivit, adhuruesit e zborit, burgjeve, internimeve, pushkatimeve, punës me turne, bunkerave.
Të llafosesh për Korçën pa thënë dy fjalë për magjepsjen e saj më të hatashme, periferinë e saj në mbrëmje, zëre se s’ke thënë asgjë;
Shkëlqar Voskopoja. Rrezar Shën Prodhomi. Vizllin Liqeri. Ngrysur Mal' i Thatë. Vrënjtur Ivani. Zgjuar Gora. Fle Opari. Rrjedhin kruajt e Gorës. Paqe Prespa. Rrjedh Devolli. Raki' heq Sovjani. Dehet Plasa. Aheng Zvirina. Fresk Dardha. Zheg Pirgu. Dasmë Lubonja, Krisëm Korita. S'pipëtin Dvorani. Ulëret Ormani. Qan Qarri. Zjarr e flak’ Starja. Zymtohet Valamara. Vrënjtet Helmësi. Urtë Nizhaveci. Gjurulldi Kapështica. Prush nën kazana Boboshtica. Llaç e tulla Pojani. Valle hedh Bulgareci. Afër, fusha. Larg, fshatra. Më tutje, zjarre çobenjsh. Edhe më larg, horizonti, qielli. Akoma më larg, s’dihet se çfarë.
Thonë se Korçës do t’i vijë fundi kur Liqeni i Prespës të bëhet sa një filxhan kafeje dhe Mali i Thatë sa një lajthi. Domethënë kurrë.