Korça ky amfiteatër i shpirtit krijues që sjell në “Skulptura e Parkut”, jetën që zgjohet nga guri, heshtjen që flet me zë eteri

Nga Albert Vataj
Në një kohë kur qytetet luftojnë për të ruajtur identitetin mes zhurmës së përditshmërisë, Korça zgjedh të flasë me gurin, me zërin që del nga thellësia e tokës dhe e kohës. Jo me fjalë të zhurmshme, por me skulptura që flasin dhe frymëzojnë, me etjen e një ligjërimi që më shumë se është, ai rreket të thotë, t’u pëshpëris në vesh atyre që zgjohen përmes këtyre trajtave dhe linjave, ledhatimeve të ftohta dhe fuqisë shpërthyese të mesazhit që bartin.
Edicioni i 11-të i Simpoziumit Ndërkombëtar “Skulptura e Parkut” nuk është thjesht një ngjarje artistike, e cila vjen për ta bërë më dinamikën jetën kulturore dhe përjetimin e një qyteti, është një akt i thellë i kujtesës urbane, një përpjekje për ta kthyer Korçën në një muze të hapur, ku çdo vepër është një ftesë për reflektim, ku çdo jetë që ç’burgoset nga shkëmbi, ka një liri shprehëse për të ndarë me të gjithë dhe një gjallëri për ta rrokaqiellur në fluturimin e tij etern.

Pesë artistë nga Austria, Sllovenia, Italia, Kosova dhe India, erdhën në Parkun “Rinia”, jo si vizitorë, por si ndërtues të një gjuhe të përbashkët, ku forma dhe materiali bëhen mesazh, ku larmia dhe diversiteti i kulturave gjetën një gjuhë dinamizmi shprehës. Ata nuk sollën vetëm skulptura, por hodhën në qytetin e traditave, dashurisë dhe serenatave, farën e shpirtit ëmbëlak të vendeve të tyre, jetësuar në gur, dru, dhe ide. Në duart e tyre, Korça mori frymë ndryshe, u ndi në gjallërinë e vet, me një përjetim më të thellë, më përshkues, më të bukur, siç ajo është.
Në një epokë ku gjithçka është e përkohshme, skulptura mbetet, sepse ajo vjen nga shumë larg, nga shumë thellë, nga një dimension tjetër për të rrokur përjetësinë në një përqafim qiellor shpirti. Ajo nuk kërkon vëmendje, nuk bërtet, nuk konsumon, por i bëhet prehje një përjetimi, i bëhet blatim një besimi, i bëhet frymë një çasti që të lë pa frymë. Ajo qëndron. Dhe në Parkun “Rinia”, ajo vjen për të marrë nga ju dakordësim dhe adhurim, si dëshmi e një qyteti dhe një qytetarie, që nuk ka frikë nga prania gojëkyçur e një zëri që del nga shpirti përmes gurit, por lejon mënyrën se si ne duam të komunikojmë me heshtjen.

Ky simpozium është më shumë se një ekspozitë, është një ritual i përvitshëm, ku Korça fton botën të gdhendë kujtime në trupin e saj, ta stolisi atë me gurë të çmuar nga gjerdani i kulturave dhe traditave që pasurojnë botën me thesarin e artit. Artistët nuk konkurrojnë në këtë betejë për të bukurën, për ligjërimin e meditatives dhe idesë, ata bashkëbisedojnë me natyrën, me qytetin, me historinë, me çdo frymëmarrje ku kolovitet ky hir qytetarie. Dhe në fund, veprat e tyre mbeten si dhurata pa zë, por me jehonë të gjatë.
Fakti që vijnë artistë nga pesë vende të ndryshme nuk është rastësi. Është manifestim i një filozofie që beson në dialogun kulturor, në shkëmbimin e ndjenjave përmes formës. Skulptura nuk ka nevojë për përkthim, ajo flet me të gjithë dhe është përfshirje e të gjithëve brenda saj. Dhe në Korçë, ajo flet me një gjuhë që është njëkohësisht lokale dhe universale, flet me shpirtin e artit.
Në fund, ky simpozium është një kujtesë se qyteti nuk është vetëm ndërtesa, asfalt dhe dritë. Qyteti është ndjenjë, është kujtim, është frymë. Dhe Korça, me këtë traditë të bukur, na mëson se arti nuk është luks, por nevojë. Një nevojë për të ndalur, për të parë, për të ndjerë, për t’u zgjuar një ditë shtatori me një dëshirim më të thellë, për të përshkuar heshtjen që të zgjon gjithë zërat që shuhen nën peshën e ngurimit dhe frikës për të qenë dhe për t’u ndjerë, vetja, në këtë spektakël të harmonisë së shpirtit krijues.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?