Korrupsioni dëmton demokracinë
Në Gjermani ka një numër dobësish në lidhje me transparencën dhe kontrollin e financimit të partive politike si dhe një numër mangësish në ligjet penale ndaj korrupsionit. Flet për DW eksperti Michael Janssen.
DW: Ku është Gjermania në lidhje me korrupsionin në krahasim me vendet e tjera të përfaqësuara në Këshillin e Evropës dhe në krahasim me raportet e mëparshme?
Michael Janssen: Sipas raporteve të GRECO-s Gjermania zë në rang ndërkombëtar një nga vendet e para në luftën kundër korrupsionit dhe ka baza të forta për ndjekjen penale dhe parandalimin e korrupsionit. Edhe në opinionin publik korrupsioni perceptohet si pak i përhapur dhe nën mesataren e BE-së. Në një nga raportet e saj të mëparshme GRECO ka vënë në dukje se në Gjermani që prej fillimit të viteve 1990 korrupsioni është në rritje dhe po perceptohet si i tillë dhe se autoritetet janë përgjigjur pozitivisht ndak kësaj sfide. Gjermania gëzon ndër vendet e tjera reputacionin se vepron me forcë kundër korrupsionit.
Cilat janë dobësitë specifike në Gjermani?
GRECO identifikoi në vitin 2009 një numër dobësish në lidhje me transparencën dhe kontrollin e financimit të partive politike si dhe një numër mangësish në ligjet penale ndaj korrupsionit. Prandaj ajo rekomandoi që të mbushen boshllëqet në ligjin penal gjerman për korrupsionin si p.sh. në lidhje me kufizimin e ndjekjes penale për mitmarrje nga ana e deputetëve.
Cilat janë saktësisht problemet me financimin e partive politike?
Ndërsa ligji për partitë politike përmban rregulla të detajuara për financimin e partive politike, deklarimi i veçantë i mjeteve financiare për fushatat elektorale është lënë pas dore. Kjo nuk përshtatet me standardet ndërkombëtare që janë të vendosur në mënyrë të veçantë me rekomandimet e Këshillit të Evropës. Prandaj GRECO ka rekomanduar ndër të tjera që të krijohet një sistem për publikimin me kohë të raporteve financiare për fushatat zgjedhore dhe për përmirësimin e transparencës të donacioneve të drejtpërdrejta për parlamentarët dhe kandidatët në zgjedhje. Po ashtu kërkohet edhe forcimi i mëtejshëm i burimeve që ka në dispozicion kryetari i parlamentit për monitorimin e financimit të partive. Përveç kësaj praktika e sponsorizimit duhet shqyrtuar dhe në rastin ideal duhet vendosur në një kuadër të qartë ligjor.
Një pikë ka të bëjë me ndikimin e grupeve të lobimit në procesin legjislativ. A mund të na jepni shembuj dhe të na thoni se ku është kufiri midis ndikimit të ligjshëm dhe atij të padrejtë nga ana e grupeve të interesit?
Deri tani nuk ka standarde të sakta ndërkombëtare për përkufizimin e ndikimit të padrejtë dhe të lobimit problematik në procesin legjislativ. Sigurisht është një gjë mjaft serioze në qoftë se palët e interesuara mund të ndikojnë në veprimtarinë legjislative të ministrive dhe të parlamentit pa e publikuar këtë dhe pa garantuar një lojë të barabartë i forcave. Mund të supozojmë se veprime të tilla mund të riprodhohen me forcë në arenën ndërkombëtare – dhe demokracia merr dëme në përputhje me rrethanat. Për më tepër, ndikime të tilla duhet të konsiderohen si vepra penale, në qoftë se ato shoqërohen me mitmarrje. Kushtet për këtë duhet të krijohen tani edhe në Gjermani me rregullat e reja për deputetë në rast se marrin ryshfete.
Si reagoi qeveria gjermane ndaj kritikave?
Gjermania është në thelb një anëtare shumë e besueshme, por reformat e kërkuara në fushën e ligjeve për luftimin e korrupsionit dhe financimit të partive u desh shumë kohë e gjatë që të bëheshin. Prandaj gëzohemi që tani projektligji për rregullat e reja për deputetët në rast e marrin ryshfete dhe për korrupsionin në sektorin e biznesit, është gati. Me të protësohet një nga kërkesat kryesore të GRECO-s. Ky është një sinjal i qartë se kërkesat ndërkombëtare merren seriozisht.
Michael Janssen është një prej ekspertëve të Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO) të Këshillit të Evropës. Ekspertët nga 47 vendet anëtare publikojnë rregullisht raporte mbi situatën në secilin vend. Ata këshillojnë qeveritë mbi masat antikorrupsion dhe të shohin se deri në ç'masë i ndjekin qeveritë këto rekomandime.