Kosova, tetë vite pesimiste

Nga Ardit Rada – 

Tetë vite më pas Kosova kremton Pavarësinë, ndërsa panorama e situatës politike e shoqërore nuk ka asnjë ndryshim, së paku në sytë e dashamirësve që guxojnë t’ia thonë të vërtetën në sy popullit tjetër shqiptar. Në prag të këtij 8 vjetori, kur të gjithë presin një shtet më të konsoliduar dhe në rrugë të drejtë të mirëqenies, politika kosovare duket se nuk ofron asnjë alternativë përveç dy-tre figurave që me pazare koalicionesh riciklohen herë si presidentë, herë si kryeministra e herë si krerë delegacionesh me Serbinë.

Përball kësaj sëmundje alla-shqiptare qëndrojnë proceset integruese të shtetit më të ri të Evropës, procese këto të shoqëruar me hapa që nuk japin shpresë për qytetarët të cilët dita ditës shtojnë më tepër kërkesat për mirëqenie dhe drejtësi sesa për një imazh të delegacioneve në dyert e Evropës.

Në një rrugëtim 8-vjeçar, Kosova nuk i ka dhënë asnjë leksion shteteve fqinje dhe aq më tepër pushtuesit të cilit i shpëtoi paq. Ka raste madje që ky i fundit i komenton me ironi jo vetëm zhvillimet spontane të politikës, por edhe hapat e Prishtinë që paralel me ndërkombëtarët ecën në dy drejtime; Dorëzimin në kushte të pabarabarta para marrëveshjeve dhe thellimin e krizave institucionale, politike dhe të korrupsionit.

Misionet ndërkombëtare madje, janë së paku në dijeni të aferave dhe hera-herës shtypi ndërkombëtar flet si për dështim, ashtu edhe përfshirje e bashkëfajësi të EULEX, UNMIK e të tjerë organizma. Pjesë e këtyre ndërhyrjeve për keq madje kanë qenë edhe ambasadorët e vendeve më të mëdha dhe aleatë të shqiptarëve, të cilët me SMS dhe direktiva në forma të ndryshme kanë tentuar të caktojnë edhe Presidentë…

Sot, shqiptarët e Kosovës festojnë si çdo vit përveçse në debate të ashpra politike, por edhe nën dy flamuj e mes një himni e një simfonie të detyruar. Ka shumë për t’u thënë për Kosovën sot dhe çdo ditë, kryesisht për afrimin mes shqiptarëve ku në një bashkëfajësi, marrëdhëniet ekonomike me Tiranën hasin pengesa të paarsyeshme, shkëmbimet arsimore e kulturore nuk janë të ndjeshme dhe eksperiencat institucionale janë në nivele qesharake.

Në 8 vite Kosova ka parë shumë. Që nga arrestimet e atyre që drejtuan luftën, burgosje të ish-kryeministrit, vrasje pas shpine dhe vrasje shtetërore në bulevard të protestuesve. Të gjitha këto ngjarje të risjella përciptazi nuk tregojnë as më shumë dhe as më pak se Shqipëria ka qenë një shembull i keq për t’u marrë, ndërsa individë të prezencës ndërkombëtare janë sjellë si pushtues paqësorë, që e ka parë shtetin e ri jo vetëm si një eksperiment për të përfituar eksperiencë administrative, por edhe si një burim pasurimi të jashtëligjshëm.

Tetë vite më parë, Kosova u nis drejt rrugës më të pabesueshme të kohës, duke kërkuar formimin e shtetit dhe njohjen në arenën ndërkombëtare. Pavarësisht panoramës së zymtë e pesimiste, të gjithë shtetet në fund të fundit kështu e nisin, por qytetarët janë ata që bëjnë ndryshimin pavarësisht alternativave të pakta që u jep politika. Këto vite pavarësie le të shërbejnë si eksperiencë për shqiptarët që e durojnë te keqen e kurrsesi nuk dorëzohen para saj. (Javanews.al)

SHKARKO APP