Kreditë, BSH urdhëron bankat: Tani e tutje, transparente me klientët

Të gjithë ata qytetarë që do të marrin një kredi konsumatore tashmë do të jenë më të mbrojtur. Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore ku përcaktohet se bankat e nivelit të dytë janë të detyruara që të bëjnë transparencë në lidhje me interesin apo çdo komision  që duhet të paguaj një kreditor .

Qëllimi i kësaj rregulloreje është mbrojtja e interesave të kredimarrësve të kredisë konsumatore dhe kredisë hipotekare për individët. Bankat e nivelit të dytë tashmë duhet ti paraqesin konsumatorit në formë të shkruar informacionin e duhur dhe kryesor, përpara lidhjes së kontratës së kredisë konsumatore, në mënyrë që ai të ketë njohuri të plota për transaksionin e lidhjes dhe ekzekutimit të kontratës, si dhe të ketë mundësi të zgjedhë ofertën më të leverdisshme në treg.

Madje tashmë bankat  kanë si detyrim të njoftojnë konsumatorët edhe në rastet e mosmiratimit të kredisë, shoqëruar me arsyet përkatese.Nëse deri tani bankat kanë vendosur komisione pa asnjë limit ligjor, me këtë dokument këto subjekte nuk do të mund të detyrojnë klientët të paguajnë më shumë se 2 përqind të vlerës së kredisë nëse ata duan ta shlyejnë huanë përpara afatit të rënë dakord në kontratën e kredisë.

Po ashtu në këtë rregullore i jepet e drejta  çdo kreditori që të tërhiqet nga huamarrja pa dhënë asnjë sqarim edhe pasi ka hedhur firmen ne kontrate. Afati për tërheqjen e tyre për nje kredi konsumatore, është 14 dite nga nënshkrimi i kontratës, ndërkohë  që kreditë hipotekore që perfshijnë hua për shtëpi apo pasuri të tjera të paluajtshme kanë  një javë kohë afat.

SHKARKO APP