Kreditë e këqija, bankat “pastrojnë” 11 miliardë lekë

Shumë qytetarë e kanë të vështirë të marrin një kredi në shumë të vogla, edhe pse pretendojnë se plotësojnë kriteret, por paradoksal është fakti se të tjerë e kanë më të lehtë të marrin kredi në  shumë të mëdha. Dhe rezulton shpesh që bankat e nivelit të dytë të përballen me mld të humbura  nga kreditë e këqija . Shërbimi bankar në Shqipëri është pasqyrë e një ekonomie të “sëmurë”. Në gjashtë muajt e parë të vitit bankat fshinë gati 11 miliardë lekë kredi të këqija nga bilancet e tyre.

Kjo është hera e parë që bankat private pastrojnë bilancet nga kreditë e këqija dhe ky operacion diktohet nga një rregullore e re, e miratuar nga Banka e Shqipërisë.

Rregullorja, e cila është pjesë e planit kombëtar për uljen e kredive me probleme, detyron bankat që të çregjistrojnë nga bilancet çdo kredi të keqe që ka lindur më shumë se tre vjet më parë. Deri tani, një veprim i tillë ka qenë i pamundur.

Por ekspertët e Bankës së Shqipërisë tërheqin vëmendjen se nxjerrja jashtë bilancit të bankave nuk do të thotë se kreditë falen. Sipas tyre, këto kredi do të vazhdojnë të ndiqen deri në rekuperimin e tyre, të plotë apo të pjesshëm.

Nxjerrja nga bilanci i një shume kaq të madhe të huave të humbura është arsyeja kryesore se pse treguesi i kredive të këqija u përmirësua.

Të dhënat zyrtare nga BSH tregojnë se në fund të qershorit kreditë me probleme ranë në nivelin 20.3 për qind, nga 22.7 për qind që ishin në tremujorin e parë të vitit.

Rënia me 2.4 pikë përqindje brenda një tremujori është më e forta e regjistruar ndonjëherë që nga fillimi i krizës dhe 80 për qind e saj vjen pikërisht për shkak të fshirjeve.

Paralelisht, veç kësaj mase, ulja e kredive me probleme është ndihmuar edhe nga ristrukturimi i tyre, si dhe rritja e kredisë totale për ekonominë.

Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është që brenda vitit kreditë e pakthyera të zbresin nën nivelin 20 për qind, një target i cili me shifrat e tremujorit të dytë tashmë duket gati i arritur.

SHKARKO APP