Kreu i GJKKO, Erion Bani: Sot Shqipëria ka një plagë të hapur në raport me sistemin gjyqësor
Në mbledhjen e 260 gjyqtarëve nga i gjithë vendi, drejtuesi i GJKKO, Erjon Bani, ka deklaruar se vrasja e gjyqtarit është ngjarje që ka tronditur gjithë opinionin publik.
Bani tha se sistemi i drejtësisë duhet të bashkohet për të mbrojtur vlerat themelore të sistemit të drejtësisë shqiptare.
“Është e papranueshme që një shtet që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian të ketë ende një perceptim publik kaq të paragjykuar ndaj gjyqësorit”, theksoi Bani.
“Ngjarja tragjike e datës 6 Nëntor, në Gjykatën e Apelit, ku kolegu ynë i ndjerë, gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën gjatë ushtrimit të detyrës, do të mbetet gjatë në kujtesën tonë si një plagë e thellë dhe një goditje e rëndë për sistemin gjyqësor të Republikës së Shqipërisë.
Kjo ngjarje, që tronditi jo vetëm trupën e magjistratëve por gjithë opinionin publik, duhet të shërbejë si pikë kthese historike për të rivlerësuar rrënjësisht mënyrën se si trajtohet siguria në ambientet e gjykatave dhe për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi respektin ndaj institucioneve të drejtësisë.
Gjithashtu, kjo ngjarje është një moment kur më shumë se kurrë duhet të jemi të bashkuar dhe të vendosur për të mbrojtur vlerat themelore të sistemit të drejtësisë shqiptare.
Sot, jemi të vetëdijshëm se Shqipëria ka një plagë të hapur në raport me sistemin gjyqësor. Problemi nuk është i kufizuar vetëm brenda mureve të gjykatave, ai fillon nga mungesa e kulturës juridike në shoqëri, nga moskuptimi i rolit të drejtësisë si garanci e paqes sociale dhe përfundon tek një diskurs publik shpesh agresiv e denigrues ndaj gjyqtarëve. Është e papranueshme që një shtet që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian të ketë ende një perceptim publik kaq të paragjykuar ndaj gjyqësorit.
Në vendet e zhvilluara, respekti për pushtetin gjyqësor është i pakushtëzuar, askush nuk e vë në dyshim rolin e gjyqtarit si mbrojtës i ligjit dhe i të drejtave themelore të njeriut. Në Shqipëri, për fat të keq, ky respekt është gërryer me vite nga sulmet politike, nga mungesa e mbrojtjes institucionale dhe nga një frymë publike që shpeshherë e sheh gjyqtarin si armik, jo si garantues të drejtësisë.
Gjendja në të cilën ndodhet sot gjyqësori është e papranueshme dhe demoralizuese, por kjo mbledhje duhet të na shërbejë si moment bashkimi e reflektimi. Ne duhet t’i japim forcë njëri-tjetrit, të ringjallim idealin që na udhëhoqi që prej bankave të Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës, idealin për një Shqipëri ku sundon ligji, ku çdo qytetar është i barabartë përpara tij dhe ku çdo magjistrat mund të ushtrojë detyrën me dinjitet dhe në siguri të plotë.
Ky ndryshim duhet të nisë nga themeli i shoqërisë, nga shkollat, universitetet, familjet dhe sidomos media, për të krijuar një kulturë të re respekti ndaj ligjit dhe institucioneve të drejtësisë. Vetëm në këtë mënyrë mund të formohet brezi i ardhshëm që e sheh gjyqësorin si simbol të shtetit, jo si objekt presioni apo urrejtjeje“, tha ndër të tjera Bani.
KOHA JONË SONDAZH

