Kreu i SHISH, Vlora Hyseni, drejton punimet e Komitetit të Inteligjencës Civile të NATO-s
Në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut në Bruksel është mbajtur takimi i drejtuesve të shërbimeve të inteligjencës.
Shërbimi Informativ i Shtetit, në një njoftim zyrtar cilësoi se takimet e Komitetit të Inteligjencës Civile (CIC), Komitetit të Inteligjencës Ushtarake (MIC) dhe takimi i Përbashkët Plenar CIC-MIC u mbajtën në Selinë e NATO-s gjatë kësaj jave.
Punimet e takimit të Komitetit të Inteligjencës Civile u drejtuan nga kreu i SHISH, Vlora Hyseni, në cilësinë e kryesuesit të CIC për vitin 2025.
“Ne nuk do të ishim në gjendje të kundërvepronim ndaj kërcënimeve gjithnjë në rritje dhe më të sofistikuara me të cilat përballemi si Aleancë pa kontributin e shërbimeve të inteligjencës Aleate”, tha Sekretari i Përgjithshëm, duke shtuar se “Inteligjenca ka një rol kritik për të luajtur në informimin e planeve tona të mbrojtjes, rritjen e ndërgjegjësimit për aftësitë e kundërshtarëve tanë dhe vazhdimin e ndihmës sonë për Ukrainën”.
Ndërkohë, Asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm, Scot Bray, në profilin e tij zyrtar i cilësoi këto si takime shumë të rëndësishme për të thelluar punën tonë të përbashkët. Në mënyrë të veçantë ai thekson se: “Misioni ynë është i qartë: t’i japim përparësi vendimmarrjes në Aleancën tonë në të gjithë spektrin e sfidave me të cilat përballemi për të bërë të mundur që vlerat tona dhe 1 miliard njerëzve tanë të jenë të siguruara në një botë me kërcënime në rritje.”
Seria e takimeve pati diskutime strategjike midis Aleatëve mbi çështjet kryesore të inteligjencës, ndërkohë që diskutime u zhvilluan edhe me partnerë të vlefshëm të NATO-s. Tematika e agjendës së takimeve përfshiu luftën e paligjshme të Rusisë në Ukrainë, marrëdhëniet e Moskës me Kinën, Korenë e Veriut, Bjellorusinë dhe Iranin, të ardhmen e inteligjencës së NATO-s, integrimi i teknologjive në zhvillim dhe atyre shkatërruese si dhe tema të tjera me interes.
“Konflikti në Ukrainë tregon qartë se siguria jonë nuk është rajonale, por globale, dhe kjo nënvizon rëndësinë e inteligjencës”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte.
“Aleatët e NATO-s nuk kanë ndarë kurrë inteligjencë më shpejt, më fuqishëm dhe mbi një gamë më të gjerë temash sesa tani”, tha ai.
Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone nënvizoi se çdo ditë, Aleatët e NATO-s janë të ndërgjegjshëm se përballen me kërcënime gjithnjë e më shumëdimensionale. Admirali theksoi se “Jam vazhdimisht i impresionuar nga thellësia, gjerësia dhe cilësia e inteligjencës së NATO-s. E gjitha kjo ka ndikim dhe rëndësi për Komitetin Ushtarak, udhëheqësit tanë dhe stafin tonë në mënyrë që të mund të lundrojmë në mjedisin tonë aktual të sigurisë.”
Takimet vjetore i bashkojnë Aleatët për të diskutuar politikën, strategjinë dhe planifikimin e inteligjencës, me qëllim forcimin e mbështetjes për planifikimin, operacionet dhe vendimmarrjen e Aleancës. Përveç takimeve plenare vjetore në Bruksel, çdo komitet takohet rregullisht gjatë gjithë vitit. Për vitin 2025, Komitetin e Inteligjencës Civile, në emër të Shqipërisë e kryesoi Shërbimi Informativ i Shtetit. Gjatë këtij viti kryesimi nga SHISH, janë marrë vendime shumë të rëndësishme dhe është shënuar progres në angazhimin dhe kontributin e shërbimeve të inteligjencës civile të vendeve aleate në mbështetje të vendimmarrjes strategjike të NATO-s. ATSH
KOHA JONË SONDAZH

