Krimi, po merr çdo ditë jetë njerëzish

Nga Fran Gjoka

Pothuajse çdo ditë media zhurmëmadhe jep raste të krimit në familje. Vetëvrasje dhe vrasje. Me një shpërndarje gjeografike pothuajse gjithëshqiptare. Ka treva të veçanta, ku çdo tre ditë shënohet nga një i vdekur apo gati për të vdekur nga vetëhelmimet, hedhjet nga lartësitë ose duke përdorur mjete e rrugë të tjera. Akoma edhe më të shëmtuara janë rastet kur babai vret djalin dhe anasjelltas, vëllai motrën, burri gruan… Ngjarje të tilla po bëhen aq të shpeshta në truallin shqiptar sa që shoqëria, politika, opinioni, shteti dhe institucionet e tjera sikur po mësohen me to. Nuk qarkullon kot mendimi tek qytetarët, sipas të cilit në Shqipëri tashmë asgjë s’na bën përshtypje. Shkurt: Kronikat e zeza na kanë lodhur. Krimi në familje po na rrënon. Po vë në diskutim ekzistencën e familjes dhe pas kësaj të shoqërisë. E turpshme për ne që vazhdojmë të jetojmë me shpresën e humbur se pas reflektimit diçka do të korrigjohet, se politika dhe pushtetbërësit do t’i vënë gishtin kokës për të shëruar disi këtë plagë të shëmtuar të kohës. Pas rastit të përditshëm të krimit familjar, që jepen me aq zell nga media, vijnë prej saj edhe shkaqet, motivet: “Ishte në gjendje të rëndë depresive, i sëmurë psikik, i dehur…” Janë të rralla rastet kur bëhen përpjekje për të dalë përtej këtyre “argumenteve”, që s’bindin askënd. Të merresh me pozimin e problemit, me informimin e publikut është njëra prej detyrave funksionale të medias, por jo e gjitha. Qytetarët dhe shoqëria në tërësi duan të dalin përtej konstatimit, duan analiza dhe konkluzione për problemin. Duan të njihen me shkaqet e këtij krimi makabër, duan të dinë pse-të jo thjeshtë për kuriozitet, por për të marrë masa parandaluese. Në pamundësi për të mënjanuar dukurinë, së pari, për ta zbutur, mund të bëjnë presion mbi shtetin në të gjitha nivelet dhe strukturat e tij dhe mbi të gjitha institucionet e edukimit dhe të arsimit për formën e qeverisjes dhe të drejtimit. Në këtë kuptim, shkaqet e krimit që jep media janë thjeshtë një përpjekje për të gjetur arsye të paarsyeshme, sepse gjendjet depresive tek njerëzit nuk krijohen menjëherë, se budallenjtë, me përjashtime të rralla, nuk lindin të tillë, por formohen, se pijanecët kronikë e kanë një hall që shkrehen shumë pas alkoolit. Përtej këtyre “motiveve“ vrastare, teje tronditëse e shkatërruese për familjen e sotme, janë shkaqe, motive dhe arsye të tjera me arsye sociale, psikologjike dhe ekonomike, që duan analiza dhe konkluzione që studiuesit e të gjithë fushat dhe gazetarët duhet të merren me to dhe t’i japin rekomandime shoqërisë dhe shtetit për ta kapërcyer fenomenin rrëqethës. Pa pretenduar se analizës do t’i shkohet deri në fund, po përmend vetëm disa prej shkaqeve që e ngacmojnë mendimin qytetar dhe atë intelektual, i cili është i ndjeshëm ndaj fenomenit dhe që mund të ndikojë mjaftueshmërisht në përmirësimin e situatës. Shkolla nuk e përgatit brezin e ri për të përballuar vështirësitë e jetës, për të kapërcyer konfliktet e brendshme që krijohen tek të rinjtë nga dëshira për një jetë ndryshe dhe pamundësia, për arsye sociale, race, financiare, psikologjike e traditë e familjes për të arritur një synim të tillë. Kur intensiteti i llojeve të këtyre konflikteve është i lartë, shkakton lodhje të mëdha mendore tek nxënësit, çka nënkupton një mundësi më shumë për të krye krim. Shkolla, sidomos ajo e mesme dhe me një numër të madh nxënësish, ka nevojë për një psikolog ose sociolog për t’u marrë me shëndoshjen e mendjes të të rinjve të stresuar. Sipas studimit, “Strategjia kombëtare e zhvillimit ekonomik dhe social”, tregon se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë është analfabete. Ky grup i madh social përbën kontingjentin më të pranueshëm për krim. Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që miratohen ligje, siç është prej vitesh ai për detyrimin shkollor dhe nuk zbatohen. Arsimimi i brezit të ri dhe trajnimi i asaj kategorie me probleme për mënyrat e të jetuarit, të sjellurit dhe të vepruarit në qendra të specializuara, përben një shans më tepër për parandalimin e krimit familjar.

Presionet, kërcënimet, dhuna në formën emocionale dhe fizike, neglizhimi dhe ndalimi i adoleshentëve nga më të rriturit për ta bërë jetën sipas perceptimit të tyre, paçka se ajo mund të jetë edhe iluzive, janë pararendëse të krimit familjar. Një fëmijë i dhunuar dhe i keqtrajtuar në familje do të sillet e të veproje si i tillë edhe ai kur të rritet. Dhuna gjeneron vetëm dhunë. Kontingjenti i fëmijëve të dhunuar është më i rriskuar për t’u vetëvrarë, sidomos tipat e ndjeshëm, që preken shpejt, janë më të zbuluar ndaj kësaj forme krimi. Familja ka nevojë të rikthehet në funksionin e saj vërtet edukues. Papunësia të çon në varfëri dhe kjo e fundit i jep krahë zhurmës, grindjeve, dhunës, vrasjes në familje, por edhe vetëflijimit të kryefamiljarit, kur ai nuk ka mundësi t’i ushqejë, t’i veshë, t’i argëtojë e shkollojë fëmijët. Të papunët përbëjnë pjesën më të madhe të të dënuarve.

Papunësia për të përballuar kushtet minimale të jetesës është shtyesi kryesor që çon të zotët e shtëpisë drejt vetëvrasjes pasi zgjidhja është e papranueshme. Aq më tepër që situata në familje me një veprim të tillë nuk lehtësohet, përkundrazi rëndohet. Qeverisjet e këqija për 25-vite me radhë, kriza morale e shpirtërore ne veçanti dhe humbja e besimit e kanë thyer shpresën e shqiptarëve se ky vend nuk mund të bëhet. Është një psikologji që duhet ndryshuar me veprime konkrete e dashamirëse nga shteti ynë ,por edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila duhet të investojë sa më shumë në Shqipëri.

Për sa kohë shteti nuk mbështet e favorizon maksimalisht biznesin e vogël dhe të mesëm, si dhe prodhimin vendas, për arsye që tashmë dihen, hapja e vendeve të reja të punës është vetëm një slogan dhe mashtrim elektoral i radhës. I vetmi vend i Europës ish -komuniste është Shqipëria ku 10% e qytetarëve të pasur zotërojnë 30% të pasurisë ndërkombëtare dhe ku polarizimi i jetës, në një kohë relativisht të shkurtër, është i jashtëzakonshëm. Jeta boshe, pa të ardhme, me trysni të gjithanshme dhe të vazhdueshme, e shoqëruar me padrejtësi, varfëri morale dhe materiale dhe ku ligjin e bëjnë të” fortët“, ata që kanë para, intelektualët adhamudhë e partiak, klanorë dhe kulisarë e depersonalizon individin e shkurajon atë. Lodhja mendore është aq e madhe sa në një moment të caktuar i riu, ose e reja, nëna ose kryefamiljari mund të kryejnë edhe krimin. Në këto raste vrasja nuk ndodh rastësisht, përkundrazi ajo ka një skenar të parapërgatitur nga autori. Në mendjen e vrasësit zhvillohet një luftë e frikës psikologjike e të kundërtave.  Gjatë periudhës së përpunimit kriminal, ai shpesh herë rri i mërzitur dhe më vete. Jeta e vetmuar, pa aktivitet dinamik, pa objektiva dhe ideale e varfëron botën emocionale dhe shpirtërore të individit dhe e hedh atë në një jetë boshe. Në këtë kuptim, njerëzit duhet ta jetojnë jetën larg burgut të vetmisë. Shokët dhe të afërmit duhet t’i ndihmojmë për t’u integruar me shoqërinë. Hallet e njerëzve duhen dëgjuar e vlerësuar me shumë kujdes. Zyrtari, kushdo qoftë ai, duhet të bëjë të pamundurën për t’ja zgjidhur në kohë dhe brenda kuadrit ligjor, ankesën që ka parashtruar qytetari. Së paku ta mbajë me shpresën se diçka do të bëhet dhe për aq kohë sa ai ta kapërcejë krizën momentale nervore. Zbutja e varfërisë përmes përmirësimit të politikave të punësimit, një farë drejtësie relative sociale dhe investime më të shumta për argëtimin e njerëzve, do të ulnin numrin e rasteve të krimit familjar dhe tentativës për ta kryer atë.

Shumë konflikte në familje agravojnë deri në ekstrem dhe bëhen vrasës si rezultat i xhelozisë që ushqehet nga mjedisi përreth, nga komuniteti i vogël, ku si rregull jetohet me trillime. Emancipimi i shoqërisë deri në atë masë që askush të mos hyjë në jetën private të individit mbetet detyrë parësore e shkollës, familjes, OJF, institucioneve shtetërore të specializuara etj.. Krimi në familje çdo ditë godet. Alarmi ka kohë që është dhënë. Reagimet e shoqërisë, shtetit dhe institucioneve janë të vakëta. Po të vazhdohet kështu familja mund të shpërbëhet. Shoqëria degradon. Mos qoftë e thënë … Është shkrimi i dytë në llojin e tij dhe përmes këtyre shënimeve ne veç po përpiqemi të argumentojmë dhe të sensibilizojmë sadopak se, në ç’rrethana të tilla ndodhen familjet shqiptare dhe sa njohje kanë organet shtetërore dhe vendore, ku këto të fundit duhet të vlerësojnë në maksimum ankesat e qytetarëve. Sa më shpejt të evidentohen apo dhe të merren masat për zbutjen e tyre, aq më pak vrasje e vetëvrasje do të kemi në të ardhmen. Me këtë shpresë, duhet të ecim të gjithë.

SHKARKO APP