Kriminalizimi i Çamërisë dhe mosvemendja europiane

Nga Hyqmet ZANE/Ngjarjet tragjike në rajonin e Lindjes së Mesme dhe lidhjet e tyre me Europën, në një farë mënyre janë përsëritje të atyre ngjarjeve që kanë ndodhur edhe në rajonin e Ballkanit në kohë të ndryshme si një hakmarrje ekskluzive ndaj shqiptarëve. Kohë pas kohe kam mundur të bëj publike sentenca të ngjarjeve të hidhura që kanë ndodhur në krahinën e Çamërisë dhe që kanë pasur jo vetëm përfundime tragjike, por edhe heshtje tragjike nga ata që shpesh bëjnë avokatin e  kriminelëve në një kohë që duhet të bëjnë drejtësinë.

Ngjarjet e mëdha kanë edhe historitë e tyre të veçanta që bëjnë bujë në pasojat që lenë dhe në antivlerat që gjenerojnë. Për shqiptarët në përgjithësi dhe çamët në veçanti, po aq sa edhe për kosovarët, kanë qenë bashkudhëtarë jeta me një tragjizëm të spikatur dhe mosvemendja europiane për të respektuar të drejtat e njeriut në këto më shumë se 100 vjetët e fundit. Leksionet e herë pas hershme të ndërkombëtarëve në Shqipëri, veç anëve pozitive që kanë pasur në sensin e tyre, kanë lënë edhe shijen e hidhur të mosrespektimit të standardeve që kërkohen në zhvillimet e vendeve që kanë nevojë për sinqeritetin e ndihmës dhe jo për mosvëmendje apo indiferentizëm dhe aq më tepër harresë të qëllimshme, kur vjen fjala për të vënë dorë ndaj fenomeneve që kanë lënë gjurmë në historinë e jetës së kombit që më shumë se është respektuar, është sulmuar, është goditur, është masakruar deri në gjenocid, po aq sa edhe nga pushtimet nazifashiste dhe ato komuniste, si dhe nga filozofia e të qenurit shqiptarë krenarë me histori të lashtë.

Nëse po mbushet 104 vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkë me të kaloi edhe 103 vjetori i copëtimit të trojeve etnike shqiptare, tashmë avash-avash po vijnë njeri pas tjetrit përvjetorët e kriminaliteteve dhe tragjizmit që i është bërë këtij kombi nga fqinjët e tij që për fatin e keq janë edhe miqtë e ngushtë të europianëve. Në këto 25 vjetët e demokracisë shqiptare, pak ose aspak nuk kam kuptuar se ku fshihet ajo e keqe që kanë bërë çamët që nuk përmendet asnjëherë çështja që lidhet me genocidin që ka ndodhur realisht në këtë vend jo vetëm pas 27 qershorit 1944, por edhe në atë mars 1913, territore që sot ndodhet në hapësirën e Greqisë dhe që popullsia etnike autoktone e këtij vendi u përzu me forcën ekstreme të armëve dhe shantazheve, me urrejtjen e madhe dhe pushtimin e një vendi që ka qenë historikisht Shqipëri.

Çfarë ka ndodhur që Greqia mbahet si e përkëdhelura dhe Shqipëria dhe bashkë me të edhe Kosova dhe Çamëria janë konsideruar si viktima të drejta (?!) të kohë pas kohëshme. Do të heshtë vallë Europa nëse Serbisë dhe Greqisë do t’i ndodhte një vepër e tillë antinjerëzore? Jo që jo, sepse Serbia dhe Greqia kanë parzmore veçanërisht Europën që mbyll sytë dhe hesht para ngjarjeve që kanë tronditur edhe fëmijën në bark të nënës.

Një histori tragjike e një familjeje

Dituri Zela kërkon të çojë në vend amanetin e gjyshes së saj Baro, e cila kërkonte të gjente vajzën e saj të humbur që nga koha e shpërnguljes nga Çamëria në vitin 1944. Gjyshe Baro ka qenë e martuar në Galbaq të Filatit me Sabri Sulën dhe kanë pasur 3 fëmijë: Ibrahimin, Menzuren dhe Mevludijen. Në kohën kur fëmijët ishin ende shumë të vegjël, Baros i vrasin të shoqin, Sabriun. Pas kësaj fatkeqësie fëmijët e Baros i merr xhaxhai i bashkëshortit të saj që quhej Mehmet (Meçe) Sula. Në fakt, Sabriu ishte djalë i vetëm (thuhet se nuk kishte as vëlla e as motër) dhe në këtë mënyrë fëmijët i mori xhaxhai i tij. Për mbiemër mund të jetë përdorur dhe ai i gjyshit të fëmijëve (nga babai), Braho, siç ka qenë zakon në atë kohë.

Kur filloi shpërngulja e çamëve, për shkak të gjenocidit, Baro vjen në Shqipëri dhe fillimisht vendoset në Sarandë dhe më vonë në Tiranë. Duke qenë se ishte shumë e re në moshë (rreth 20 vjeçe) ajo u martua sërish në Tiranë dhe pati vetëm një vajzë, Bukurien, të ëmën e Diturisë.

Përpara 30 vitesh, teksa Baro ishte një ditë tek ambulanca, takon një çame tjetër dhe në bisedë e sipër ajo i thotë se Mehmeti (xhaxhai i ish bashkëshortit të saj) pas shpërnguljes nga Çamëria, ishte vendosur në Elbasan. Për fëmijët ajo nuk ishte e sigurt nëse kishin ardhur të tre, por për Menzurën ishte shprehur e bindur se ka jetuar në Elbasan bashkë me Mehmetin. Normalisht që Mehmeti tashmë nuk jeton, sepse duhet të jetë në moshë shumë të madhe, por Menzurja është rreth 75 vjeçe.

Fatkeqësisht Baroja është ndarë nga jeta përpara pak kohësh (shkurt 2013) në një moshë rreth 96 vjeçare me një brengë shumë të madhe që nuk arriti të gjejë kurrë fëmijët e saj e mbi të gjitha Menzurën për të cilën i kishin thënë me siguri se jetonte në Elbasan.

Dituria, mbesa e Baros,  por edhe Bukuria, vajza e Baros, kërkojnë tashmë të rilidhen me gjakun e tyre dhe këtë kërkesë ia drejtojnë gjithë komunitetit çam në Shqipëri nëpërmjet ndjesisë se një çam e do çamin e tij në çdo kohë dhe kjo do të shërbejë për të çuar në vend një amanet.

Është kjo një nga ato histori tragjike që shoqëruan familjet çame nga ai tmerr i zi i masakrave të andartëve të Napolon Zervës me ndihmën e qeverisë greke që hesht dhe mbylli sytë kur ndodhi masakra e pashembullt që solli më pas edhe viktimat e panumërta andej dhe këndej kufirit. Janë histori që fatkeqësisht përsëriten në kohë dhe në hapësirë jo vetëm me ne çamët, por edhe me sirianët dhe të gjithë ata që kanë pasur histori të tilla tragjike dhe që janë shoqëruar me mosvëmendjen e Europës që në vend të shqetësimit për dënimin e autorëve të kriminalizimit, por merr në mbrojtje ose buzëqesh me kriminelët edhe kur iu ngrihen përmendore si ajo e Napoleon Zervës.

Përtej realitetit

Për hebrenjtë që pësuan të njëjtin fat si të çamëve nga genocidet, ka pasur gjithnjë interesim për të çuar deri në detajet e fundit padrejtësinë që u ishte e bërë duke vënë gishtin në plagë dhe pikat mbi “i”. Ndërkohë që, për komunitetin çam dhe genocidin ndaj tij heshtet dhe bëhet një sy qorr e një vesh shurdhët, siç thotë një fjalë e urtë shqiptare. Përse, lind pyetja, në një kohë që edhe pse në rrugë zyrtare çështja çame konsiderohet si “mos ekzistuese” kjo nuk i ndal deri dhe vetë historianët grekë të prononcohen hapur dhe në detaj rreth saj! Shqetësimi tyre është shumë i madh, pasi “Çamët kanë qenë në ato anë dhe kanë pasuri shumë të mëdha”, thonë ata, duke e akuzuar qeverinë greke për neglizhencë dhe pakujdesi.

Historiani Mihalopoulos thotë “Çamët ishin pronarë tokash dhe ishin të fuqishëm. Dhe ngaqë janë shqiptarë dhe dinak dhe të aftë, mund t’i marrin pasuritë e tyre dhe do zotërojnë fuqi ekonomike shumë të madhe në rajon. Prandaj ekziston ligji i luftës që të bllokohen pronat”, thotë ai. Ndërsa fjalët e tij i plotëson edhe drejtuesi i emisionit: “Mund t’i marrin sepse ne, thotë, duke firmosur Traktatin e Lisbonës njohëm dhe Kartën e të Drejtave të Njeriut. Çamët do vinë dhe do thonë: Më shkele të drejtat e njeriut dhe më more pronat, tani m’i kthe mbrapa. Dhe do t’i marrin bashkë me dëmshpërblimet. Dhe mos harroni se çamët i kanë titujt dhe janë pronarë trojesh të konsiderueshme”. Biseda vijon me kritika dhe akuza ndaj qeverisë greke, që të dy duke i lënë asaj barrën për këtë neglizhencë që nuk i lanë “hesapet” kur duhej, por ranë vetë në grackën e tyre! Nga ana tjetër nëse një europian merr vesh se një grek apo serb ka probleme me shtetin shqiptar apo atë kosovar, nuk lenë gjë pa lëvizur që të shkojë e drejta tek i zoti dhe shkelet çfarëdo lloj parimi universal i respektimit të të drejtave dhe standardeve apo i barazisë mes popujve që hebrenjtë e përmendin edhe në Jatt Vashem për të nderuar ndihmësit e tyre gjatë Luftës II Botërore. Edhe pse kanë kaluar mbi 72 vite të shpërnguljes së madhe nga Çamëria, ende sot e kësaj dite kemi të pavendosur në kohë dhe në hapësirë një ngjarje që ka përmasat e genocidit dhe të mosdhënies së drejtësisë  jo nga grekët, se ata këtë gjë nuk e duan, por nga europianët që flasin e bërtasin për të drejtat e njeriut e çfarë nuk kërkojnë tjetër për sytë e botës.

Nëse vërtet kemi një histori tragjikë të një familjeje çame që përshkruam më lart, është e kuptueshme se e gjithë popullata çame e ardhur në Shqipëri ka historinë e tragjizmit të vet që përballet fatkeqësisht edhe me autorët e tragjedisë, por edhe mosvëmendjen dhe tendencën për të heshtur dhe mos folur, si një udhëzim për përdorim të brendshëm të komunitetit ndërkombëtar të Europës. Kush nuk e kupton se diplomacia europiane ka standarde bashkëkohore dhe vizione për të respektuar të drejtat e njeriut, por që këtë respektim nuk ia kërkon Greqisë ose ia kërkon ndonjëherë sa për të kaluar radhën.

Përkundër kësaj ndodhet Shqipëria që për një grusht romë ka një sensibilizim ndërkombëtar kur as i ka vrarë njeri, as i ka dhunuar njeri, në një kohë që komunitetit çam ende nuk i janë mbyllur plagët mbi 72 -vjeçare të një genocidi që ka në brendësi të vet rreth 3 mijë të vrarë dhe rreth 3 mijë të tjerë të vdekur, pa llogaritur humbjet e pasurisë dhe personalitetit njerëzor.

Si përfundim

Shpesh thuhet se kemi marrëdhënie të mira, deri edhe të shkëlqyera me Greqinë, që nuk janë të tilla në fakt, sikur edhe të dëshirojë maksimalisht qeveria shqiptare. Para së gjithash, marrëdhënie të mira do të thotë që mos të vesh kushte për integrimin e Shqipërisë për të shpikur varre inegzistente me ushtarë grekë duke na grabitur kockat e gjyshërve tanë për t’i mbushur ato; marrëdhënie e mirë është të respektohen vendimet e gjykatës sonë kushtetuese për marrëveshjen e ujërave; marrëdhënie e mirë është që t’i dorëzohen drejtësisë shqiptare ata që vijnë në Himarë me siglën e “Agimit të Artë” fashist për të prishur rendin kushtetues në emër të Vorio-Epirit. Marrëdhënie të mira do të thotë së fundi të rikthesh të drejtat legjitime dhe ato njerëzore popullsisë çame që u përzu me dhunë dhe sot nëna kërkon ende bijën e saj dhe nuk e gjen.

SHKARKO APP