Kriza detyroi shqiptarët të konsumojnë më pak

Vrojtimi i Standardeve të Nivelit të Jetesës kryhet një herë në disa vjet në Shqipëri nga Instituti i Statistikave. Rreth 5 mijë familjeve të shpërndara në të gjithë Shqipërinë u kërkohet të plotësojnë një libër me shpenzimet e tyre ditore për një periudhë të gjatë me synimin për të krijuar një panoramë të gjendjes ekonomike të familjeve shqiptar si dhe për të matur pabarazinë.

Rënia e konsumit gjatë viteve të krizës 2008-2012 i ka detyruar shqiptarët jo vetëm që të konsumojnë më pak, por edhe t’i kufizojnë shpenzimet në konsum ushqimor ndërsa konsumi joushqimor ka pësuar rënie edhe më të madhe.

Prodhimi i Brendshëm Bruto mat vlerën e shtuar të realizuar në një ekonomi pa marrë parasysh nëse kjo vlerë e shtuar përbëhet nga fitime kapitale apo përbëhet nga rroga e përfitime për konsum. Përgjatë të gjithë dekadës së fundit, PBB ka pësuar rritje të fuqishme, por konsumi i popullsisë ka pësuar rritje shumë më të vogël ndërsa për vitet e krizës ekonomike dhe financiare botërore, konsumi ka pësuar rënie të konsiderueshme.

Rënien më të madhe të konsumit e ka shënuar kryeqyteti, Tiranë, ndërsa zonat malore, shfaqin vijimin e rritjes së konsumit për frymë. Ndonëse ngjan si kontradiktë, vijimi i rritjes së konsumit në zonat malore mund të jetë pasojë e bazës shumë të vogël ekonomike të këtyre zonave, bazë që duket se nuk është prekur nga kriza financiare që ka goditur pjesën tjetër të vendit.

Ndërsa zyrtarisht Shqipëria nuk ka pësuar krizë për shkak se ekonomia e saj nuk përjetoi për asnjë vit rënie, konsumi në fakt rezulton se ka pësuar krizë, madje një krizë të rëndë.

SHKARKO APP