Kriza, tani janë shqiptarët që u dërgojnë para’ emigrantëve

Nuk janë vetëm emigrantët jashtë vendit që u dërgojnë para të afërmëve të tyre në Shqipëri. Edhe familjet në Shqipëri po ndihmojnë të afërmit e tyre jashtë vendit, ndonëse me shuma disa herë më të vogla në raport me ato që marrin.

Statistikat e bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se në gjashtë muajt e parë të këtij viti, të afërmit nga Shqipëria u kanë dërguar emigrantëve 2 milionë euro, shumë kjo që është dy herë më e lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Përshkallëzimi i krizës në Greqi duket se ka ndikuar që emigrantët të kërkojnë ndihmën e të afërmëve të tyre në Shqipëri. Një tjetër grup që marrin para nga të afërmit nga Shqipëria janë dhe studentët.

Edhe azilantët që i janë drejtuar shteteve të BE-së, në një moment të parë vlerësohet se kanë pasur nevojë për të marrë para nga Shqipëria.

Rriten dhe të ardhurat që emigrantët sjellin në Shqipëri

Edhe emigrantët kanë dërguar më shumë para tek të afërmit e tyre në Shqipëri gjatë gjysmës së parë të këtij viti.

Për gjithë gjashtëmujorin e parë, remitancat arritën në 304 milionë euro, duke u zgjeruar po me rreth 18%, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Që prej gjysmës së dytë të vitit të kaluar, remitancat kanë shënuar rritje, duke e kthyer këtë tendencë rritëse në të qëndrueshme. Situata është krejt e ndryshme nga periudha 2007-2013, kur prurjet e emigrantëve, pasi arritën kulmin e tyre në 2007, filluan rënien e pandalshme. Kjo rënie përkonte me ciklin e emigracionit, kur pas 15 vitesh, emigrantët fillojnë e shkëpusin lidhjet e tyre me vendin mëmë.

Ekspertët e lidhin këtë rritje me rigjallërimin e ciklit të emigracionit gjatë tre viteve të fundit.

SHKARKO APP