Kriza tjetër për David Kameronin
Mbretëria e Bashkuar, është në mesin e anëtarëve më të mëdhënj, më të rëndësishëm por edhe më të pakënaqur të BE-së, dhe kryeministri i sapo rizgjedhur Dejvid Kameron ka premtuar të mbajë një referendum në fund të vitit 2017, mbi atë nëse Britania duhet të vazhdojë të mbetet apo jo në union. Në vend të rrezikut të bezdisjes së votuesve britanikë, me dy vite përplasje brenda Partisë Konservatore lidhur me këtë çështje, Kameroni duhet të veprojë shpejt për ta mbajtur këtë premtim. Dhe BE-ja nuk duhet të humbasë kohë, duke e ndihmuar atë të bindë votuesit britanikë të qëndrojnë në union.
A do të largohet Britania nga BE?
Grupi hulumtues “Open Europe”, vlerëson se ka vetëm 17 përqind shanse që Britania e Madhe të dalë nga Bashkimi Evropian, dhe sondazhet e opinionit publik tregojnë vazhdimisht, se 45-56 përqind e britanikëve janë në favor të qëndrimit.
Në të njëjtën kohë, Partia për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar, duke patur zgjedhjet e saj të para, arriti të fitojë 13 përqind të votave mbi një platformë anti-emigracion, me gjurmët e më shumë se një aluzioni mbi racizmin dhe ksenofobinë.
Kameron, ka nevojë të trajtojë pakënaqësinë gërryese në lidhje me ritmin e emigracionit, veçanërisht nga vendet më të reja anëtare dhe njëherazi më të varfra të BE-së, së bashku me alarmin shoqërues për të ashtuquajturat përfitime të turistëve.
Do të ishte e gabuar të vendosej një afat kohor, dhe do ishte qesharake për Britaninë të bënte kërkesat jorealiste ndaj BE-së, veçanërisht mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve në të gjithë kufijtë brenda bllokut. Por Kameron, ka nevojë të kapitalizojë momentin e tij.
Ai e ka njohur rëndësinë e çështjes, duke i dhënë përgjegjësinë për negociatat me BE-në, Kancelarit të Thesarit Xhorxh Osborn. Këto bisedime nuk do të jenë të lehta, sikurse e dëshmoi edhe ministri gjerman i Financave, Volfgang Shojble javën e kaluar, kur ai e qortoi Osborn për ndërhyrje “budallaqe” dhe “të panevojshme” në krizën e borxhit të eurozonës.
Përsa i përket çështjes më të gjerë të reformimit të BE-së, tha ai, ndoshta Gjermania dhe Britania e Madhe, mund të punojnë së bashku për t’i “bërë disa gjëra më pak burokratike”. Shojble nuk do të fitojë ndonjë pikë për ambicje, dhe aq më pak për një konkurs popullariteti. BE-ja ka nevojë të përdorë egoizmin e vet të ndriçuar, në mbajtjen e Britanisë në klubin evropian.
Shikoni krizën e shkaktuar, nga mundësia e thjeshtë që Greqia mund të ketë për të lënë euron – një mundësi për të cilën vetë BE-ja, duke dështuar të ofrojë lëshime, kur ato mund të kishin rëndësi, nuk mban asnjë pjesë të vogël të fajit.
A dëshiron me të vërtetë BE të “flirtojë’ me mundësinë e humbjes së Mbretërisë së Bashkuar? Së paku Presidenti i Komisionit Evropian, Zhan-Klod Junker nuk duket i gatshëm. “Unë nuk dua që Britania të largohet nga Bashkimi Evropian”- i deklaroi ai zoti Kameron, në mesazhin e urimit pas zgjedhjeve parlamentare në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo lë vend për optimizëm, edhe pse Junker ka deklaruar gjithashtu se nuk do që Britania t’i imponojë BE-së axhendën e saj. Dhe do t’i takojë Kameronit, të gjejë një terren të mesëm, në mes lënies pas dore të rrymave anti-evropiane në gjirin e parties, dhe gjetjes së një bazë të përbashkët me liderët e tjerë evropianë, të cilët mund të mbështesin në mënyrë të heshtur reformat, por nuk do të bënin publike pjesë të amendamenteve të këtyre traktateve.
Në zgjedhjet për në Parlamentin Evropian vitin e kaluar, partitë që bënë fushatë kundër BE-së morën mbështetje të mjaftueshme, për të sugjeruar se shumë vende të tjera evropiane, kanë dyshime në lidhje me kalimin e më shumë sovraniteti në Bruksel.
Nëse BE-ja është serioze, dhe dëshiron që Britania të qëndrojë në zemër të Europës, ajo ka nevojë të ndihmojë zotin Kameron në betejën e tij për zemrat, mendjet dhe votat e publikut britanik. Dhe Kameron ka nevojë ta vendosë sa më shpejt çështjen evropiane përpara popullit, ndërsa ndodhet në pozitën më të fortë të mundshme për të fituar argumentin – dhe votën.
"Bloomberg View"