
Elbasani mirëpriti Takimin e IV të Komitetit të Përbashkët Konsultativ BE–Shqipëri, një forum dialogu mes përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe pushtetit vendor, ku në fokus ishte roli i qeverisjes vendore në procesin e integrimit evropian. Në takim morën pjesë kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, bashkëkryetari i Komitetit, Antonio Mazzeo, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe evropiane.
Në fjalën e tij, Llatja theksoi se integrimi evropian nuk ndërtohet vetëm në nivel qendror, por edhe përmes punës së përditshme të bashkive, shërbimeve për qytetarët dhe forcimit të institucioneve vendore. Duke iu referuar zhvillimeve të ditëve të fundit, ai i cilësoi shqetësuese aktet e dhunës dhe dëmtimin e investimeve publike, si ndriçimi, infrastruktura arsimore dhe sinjalistika, të ndërtuara ndër vite në shërbim të komunitetit.
Sipas tij, këto veprime cenojnë jo vetëm pronën publike, por edhe sigurinë, besimin e qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit. Llatja nënvizoi se hapësirat dhe institucionet publike nuk duhet të kthehen në mjete për shprehjen e pakënaqësive në mënyra që cenojnë bashkëjetesën dhe sigurinë e komunitetit, duke theksuar se demokracia kërkon jo vetëm respektimin e të drejtave, por edhe përmbushjen e detyrimeve qytetare.
