Kryebashkiaku Ndreu: I japim zgjidhje trafikut me investimin në Milot-Balldren dhe baypass-in e Shëngjinit
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu vlerëson mbarëvajtjen e sezonit turistik, i cili sipas tij, edhe këtë vit shënoi rritje të numrit të turistëve në Lezhë. Bashkë me prefektin e Lezhës, Taulant Malshi dhe drejtorin e Policisë Vendore, Altin Mena, Ndreu zhvilloi një takim me përfaqësues të bizneseve, ku analizoi ecurinë e sezonit turistik.
Sipas tij, Shëngjini dhe Tale edhe këtë vit u identifikuan për pastërtinë, shërbimet dhe çmimet konkurruese. Ndreu vlerësoi bashkëpunimin e dëshmuar nga të gjitha strukturat në terren për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Kryebashkiaku i Lezhës theksoi se sektori i turizmit shënoi sërish rritje, ndërsa falënderoi bizneset për bashkëpunimin. Ndreu nënvizoi rëndësinë e projekteve madhore infrastrukturore që pritet të nisin, si autostrada Milot–Balldren dhe bypass-i i Shëngjinit, të cilat do t’i japin zgjidhje dhe problemit të trafikut.
“Në datat 2-3 tetor do të shpallet fituesi për nisjen e punimeve në aksin Milot-Balldren. Këto ditë del edhe leja që të nisë puna në baypass-in e Shëngjinit, që shmang lëvizjen e mjeteve nëpër qytet”, theksoi Ndreu. Prefekti i Lezhës, Taulant Malshi, u shpreh se bashkëpunimi mes të gjithëve e ktheu sërish Lezhën në epiqendër të vëmendjes turistike.
KOHA JONË SONDAZH

