Kryeministri fermerëve: NIPT-i vetëm ju legalizon, s’keni taksa
Kryeministri Edi Rama ka parë progresin e ndërtimit të dy unazave rrugore prej 40 kilometrash me vlerë 8 milionë dollarë, në shërbim të integrimit të fermave prodhuese të Myzeqesë me pikat e grumbullimit.
Nga ajo që njihet si Zona e Tre Urave në Grabian, kryeministri shpjegoi se çfarë përmban programi më i ri i qeverisë “Mbështetje për fermerët”.
“Ne do të bëjmë të mundur që në ciklin e tre viteve të jetë në dispozicion të çdo lloj sipërmarrësi dhe fermeri që ka një projekt, një fond prej 300 milionë eurosh. Një fond që mund të thithet më shpejt, apo më ngadalë, në vartësi të projekteve dhe cilësisë së tyre, por që do të bëjë të mundur që ajo që sot është e kufizuar për shkak të buxhetit tek AZHBR-ja të jetë shumë më e zgjeruar si mundësi. Pra, nuk do të shkojnë fermerët tek banka, por do të shkojë shteti në emër të tyre dhe fermerët do të marrin kredi me kushte shumë lehtësuese, jo siç do t’i merrnin sot ose siç i kanë marrë ata që kanë shkuar në bankë me kushte tregtare. Gjithashtu, për projekte të veçanta ne do të paguajmë krejtësisht edhe të gjitha interesat”, deklaroi Rama.
Duke bashkëbiseduar me fermerët e zonës, Rama përsëriti rëndësinë e marrjes së NIPT-it nga fermerët.
“Mos dëgjoni horrat që ju tregojnë përralla me gogol, që po morët NIPT-in do paguani taksa. Po morët NIPT-in do të hyni në sistemin formal dhe do të mund të merrni rimbursimin nga TVSH-ja, që sot e merr grumbulluesi sepse ju jeni të paformalizuar. Duke u formalizuar, në momentin që ti i jep grumbulluesit një sasi prodhimi në bazë të çmimit, i kërkon mbrapsht edhe përqindjen e TVSH-së. Pra, nuk e merr më grumbulluesi, por e merrni ju. Me NIPT-in jo që nuk do paguani më shumë, por do fitoni atë që në fakt sot e merr grumbulluesi, sepse ai është i formalizuar. Nuk kemi dhe nuk do të kemi asnjë taksë për prodhimin e fermerit. Asnjë taksë. Mos dëgjoni kukuvajkat që duan vetëm natë dhe që ju shqetësojnë natën”, tha Rama.
Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri Bujqësisë Panariti dhe drejtoresha e AZHBR-së Suela Popa, vizitoi në zonën Savër-Këmishtaj sipërmarrjen “Agrolev 2”, e specializuar për imputet bujqësore e që është një prej përfituesve të granteve të AZHBR-së. Sipërmarrësi Nikoll Ndoni tha se tashmë nevojitet një laborator për tokën, për të cilën kryeministri premtoi mbështetje.