Kryeministri Rama: Në këtë rrugë nuk jemi vetëm, kemi partner Bashkimin Europian
Kryeministri Edi Rama ka mirëpritur në Tiranë Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, duke e vlerësuar atë si një mbështetës të palodhur të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Në një konferencë të përbashkët për mediat, me presidentin Costa, Rama deklaroi se Shqipëria nuk është vetëm në rrugën e integrimit europian, por ka partner Bashkimin Europian. Ndër të tjera, Rama u shpreh se janë dakordësuar për të gjitha çështjet, edhe për mbylljen e kapitujve, lidhur me negociatat.
“Për herë të pestë në Tiranë, në Shqipëri, mirëpresim një mik gjithnjë e më të vendosur dhe të çmuar të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor; një mbështetës të palodhur, që nga ditët e para në krye të Bashkimit Evropian, të procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Mirë se erdhe, i dashur Antonio. Është gjithmonë kënaqësi të të kemi mes nesh, jo vetëm për hir të protokollit, por edhe sepse çdo takim me Presidentin është një mësim.
Një mësim që vjen nga një përvojë e madhe dhe, pa dyshim, nga një njohje e thellë e çështjeve të Evropës dhe të botës. Dua ta falënderoj për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe të palodhur, në një kohë kur të gjithë së bashku përballemi me shumë sfida, të cilat po bëhen gjithnjë e më të përbashkëta”, tha Rama.
“Kemi folur për përvojën e Portugalisë para dhe pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për sfidat me të cilat u përballën fermerët gjatë procesit të përshtatjes, të shoqëruara me vështirësi, por që më pas u pasuan me sukses për fermat e tyre. Ajo që ma bën të vështirë të zgjatem më tej është fakti se kemi dakordësi të plotë për të gjitha çështjet, për detyrat që duhet të përmbushim, për nisjen e procesit të mbylljes së kapitujve, për funksionimin e rajonit si një kolektiv bashkëpunues, si edhe për faktin se në këtë rrugë nuk jemi vetëm, por kemi partner Bashkimin Evropian.
Nuk dua të zgjatem më tej. Nuk kemi asnjë problem apo shqetësim që na ndan. Dua ta falënderoj përzemërsisht”, theksoi ai.
KOHA JONË SONDAZH

