Kryetatimorja: Aksioni i qeverisë, jo luftë ndaj biznesit
Në prag të nisjes së aksionit kundër informalitetit nga ana e qeverisë, drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Briseida Shehaj, në një deklaratë për shtyp ka thënë se ky operacion nuk është luftë kundër biznesit.
Drejtoresha e Tatimeve tha gjithashtu se nga qasja e kësaj administrate është arritur të mblidhen më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit dhe se janë ulur me 30 milionë dollarë gjobat e padrejta karshi biznesit.
“Viti 2014 shënoi një rritje prej 7%, viti më i mirë fiskal nga administratat e mëparshme. Por dhe kemi ulur ndjeshëm gjobat e padrejta që vendoseshin nga administrata tatimore sipërmarrjes shpeshherë në shenjë presioni apo kërkesë për ryshfet. Në vitin 2014 u ulën me 30 mln dollarë gjobat e padrejta karshi biznesit”, u shpreh Shehaj.
“Nuk kemi të bëjmë me një luftë kundra biznesit, përkundrazi ky është një aksion që do mbrojë konsumatorin në shumë dimensione. Ky aksion mbron çdo qytetar, që teksa paguan për çdo mall e shërbim që blen duhet të sigurohet që paratë që ai jep për shtetin të kalojnë realisht tek shteti. Kjo bëhet e thjeshtë vetëm duke u siguruar që për çdo produkt apo shërbim që paguajmë të marrim në këmbim një kupon tatimor”, vijoi ajo.
Drejtoresha e Tatimeve ka theksuar rëndësinë e kuponit tatimor si një element tregues “se paratë që qytetarët paguajnë po shkojnë me të vërtetë në arkën e shtetit dhe se në këtë mënyrë rriten rrogat e pensionet, ulen taksat, ndërtohen më shumë spitale, shkolla, çerdhe apo rrugë”.
Shehaj tha se operacioni kundër informalitetit është i rëndësishëm edhe për të mbrojtur të gjitha bizneset të mëdha apo të vogla: “Nëse të gjithë do të paguajnë, jo vetëm qeveria mund të jetë në pozicion më të favorshëm për të ulur taksat, por edhe konkurrenca mes sipërmarrësve do të jetë më e ndershme,” u shpreh ajo. “Dua të siguroj që administrata tatimore do jetë në krah të konsumatorëve dhe sipërmarrësve për të luftuar informalitetin dhe për të dhënë gjithë asistencën e nevojshme që detyrimet të paguhen, publiku të mbrohet, e konkurrenca e ndershme të garantohet”, tha Shehaj në fund të deklaratës për shtyp nderkohe qe nuk pranoi t’i behej asnje pyetje.