Kryetatimorja: Mbresëlënëse të dhënat e operacionit kundër informalitetit
Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Briseida Shehaj, gjatë një konference për shtyp nga ministria e Financave, bëri të ditur sot se nga kontrolli i ushtruar në ditët e para të muajit shtator janë evidentuar 1968 subjekte të licencuara me shkelje, ndërsa janë gjobitur 1440 subjekte.
Shehaj dhe drejtori i Inspektoriatit të Punës, Dritan Ylli, dhanë shifra dhe rezultate mbi operacionin e qeverisë kundër informalitetit në ekonomi.
Sipas Shehajt, gjithsej janë kryer 13 532 kontrolle, ku janë evidentuar 186 subjekte të paregjistruara, ndërsa janë konfiskuar mallrat e 590 subjekteve. Shehaj vuri në dukje se ky nuk është një operacion kundër biznesit, madje shtoi ajo, administrata është palë me biznesin e ndershëm.
“Ka disa udhëzime shumë të qarta për çdo inspektor në terren. Sqaroj se në asnjë rast nuk kemi të bëjmë me represion kundër biznesit. Kemi kërkuar dhe vijojmë të bashkëpunojmë me biznesin. Për ato subjekte ku është evidentuar se është bërë aplikimi apo kontrata për t’u pajisur me kasa fiskale, administrata tatimore konstaton dhe nuk gjobit, por riverifikon pas dy ditësh. Nuk është qëllimi ynë të gjobisim subjektet, duke ulur edhe likuditetet e tyre, por futja në rrugën e formalitetit”, deklaroi Shehaj.
Sipas saj, nga operacioni në 10 ditët e parë të muajit shtator është rritur me 50 % numri i kuponëve tatimore, duke shkuar në 5.6 milionë kuponë dhe është shënuar një xhiro prej 6.6 miliardë lekësh. “Këto shifra janë mbresëlënëse për ne. Të dhënat do të hidhen në sistem për t’u përkthyer në analiza të tjera, ku do të përcaktohet qarkullimi vjetor i çdo biznesi për të cilin do të përcaktohet edhe përgjegjësia tatimore”, deklaroi Shehaj.
Ajo bëri të ditur se ka patur edhe penalizime për inspektorët tatimorë në terren, ashtu sikurse sqaroi se Policia e Shtetit do të mbështesë çdo inspektor në terren. Shehaj paralajmëroi edhe pajisjen me tableta të inspektorëve tatimore si dhe regjistrimin on-linë të subjeteve të lëshuara me qira.