Ksenofobët i fryjnë zjarrit

Nga Timothy Garton Ash

“Fenomeni” Pegida, lëvizja gjermane anti-emigracion, që po lufton për një “Evropë patriotike”, kërcënon të radikalizojë pakicën myslimane, e cila nuk do të integrohet dhe ka për qëllim të luftojë Perëndimin. Përse duhet ndërprerë ky rreth vicioz. Jo, absolutisht jo. Mbi të gjitha, jo kështu. Tre ditë para vrasjes së një të riu nga Eritrea në Dresden, në derën e apartamentit të tij ishte vizatuar simboli i svastikës, kryqit të thyer. Mbrëmjen në të cilën u qëllua më thikë, të hënën e shkuar në qytetin simpatik anës lumit Elba, po mbahej manifestimi më i madh që ishte organizuar ndonjëherë nga ana e lëvizjes ksenofobe, të njohur në mbarë botën si “Pegida”. Në momentin kur në Belgjikë u parandalua një akt terrorist islamik, në vijim të masakrës ndaj “Charlie Hebdo” në Paris, politikanët e së djathtës ekstreme, ksenofobe dhe anti emigrantëve mëtojnë të mbledhin vota në të gjithë Evropën e jo vetëm në Gjermani. Tashmë është real dhe i pranishëm rreziku që shkakton një spirale vicioze, ku pakicat e radikalizuara myslimane dhe anti-myslimane tentojnë të tërheqin pas vetes shumicën e frikësuar të njerëzve, jomyslimanë dhe myslimanë, në drejtimin e gabuar. Për të shmangur këtë është e domosdoshme një përpjekje e përditshme e gjithësecilit.

Fatmirësisht, rasti i Drezdenit nuk është tipik për Gjermaninë. Në epokën komuniste, kjo zonë quhej “lugina e të harruarve”, sepse banorët nuk mund të shihnin kanalet televizive të Gjermanisë Perëndimore. Kronikat tregojnë se deri më sot, protestuesit e Pegida-s janë kryesisht të moshës së mesme, të rritur pra në mjedisin e mbrojtur të Gjermanisë së vjetër Lindore. Prej bashkimit të Saksonisë ka regjistruar në zgjedhjet e vitit 2004, një sukses të pazakontë për një parti të djathtë, duke përfshirë këtu edhe rezultatin tronditës prej 9.2 përqind në favor të NPD (Partisë Nacionaldemokratike të Gjermanisë). Disa madje kanë spekulluar, se bombardimi i qytetit nga ana e anglo-amerikanëve në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ka kontribuar për këtë fenomen, duke nxitur tregimet që e cilësojnë Drezdenin një viktimë. Vetë emri i lëvizjes ka një dozë të fortë anakronizmi. Pegida është akronimi i lëvizjes së quajtur “Evropianët Patriotë kundër Islamizimit të Perëndimit”. Por termi i vjetër “Abendland”, ka një kuptim të fjalëpërfjalshëm “toka e mbrëmjes” (dmth ku dielli perëndon). Osvald Shpengler e titulloi veprën e tij monumentale “Untergang des Abendlandes”, “Perëndimi i Perëndimit’, që është edhe epika e pesimizmit kulturor gjerman.

Edhe me zgjedhjen e termit “evropianë patriotë”,  Pegida përfaqëson një përzierje të çuditshme të maturisë dhe krenarisë kulturore. Zoti mos e dhëntë që qëllimi i tyre është që të vetëpërcaktohen si të krishterë. Dhe ndoshta të bardhë. Të bardhë me nuanca të kafta. Mund të pyesim ndërkohë, se cilët janë europianë jopatriotë. Një prej drejtuesve të lëvizjes, Tomas Talaker, në vitin 2013 do të shkruante në Facebook: “Si i bëhet me turmat, 90 përqind e të cilëve janë të paarsimuara, që mjelin dhe përgjakin statusin tonë social?” Personazh interesant ky Talakeri. E të mendosh që për vite me rradhë, ai qenë një këshilltar bashkiak në qytetin e Meisenit si përfaqësues i CDU-së së Angela Merkelit.  Ndërkohë në Paris, Zhan-Mari Lë Pen shkruan në anglisht në Twitter: “Ruani qetësinë dhe votoni Lë Penin”. Të mësoni se djaloshi i qetë dhe i sjellshëm, që iu sjell picën në shtëpi (sikundër ishte edhe puna e njërit prej vëllezërit Kuashi) është një vrasës islamik, nuk bën gjë tjetër veçse rrit mosbesimin e të ashtuquajturve njerëz të zakonshëm kundër myslimanëve. Në Britaninë e Madhe është konstatuar një rritje e kërcënimeve, të drejtuara ndaj xhamive dhe qendrave islamike. Sipas një studimi të kryer nga fondacioni Bertelsman, 57 përqind e gjermanëve e konsiderojnë Islamin një kërcënim për jetën e tyre. Kjo është një shifër tronditëse. Dhe përreth ka plot politikanë, gazetarë dhe agjitatorë, të gatshëm të ushqejnë këtë klimë dyshimi. Najxhell Farejxh i Partisë së Pavarur në Mbretësinë e Bashkuar, ka folur madje për një “kolonë të pestë” në mes të popullit anglez. E gjitha kjo nga ana tjetër, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të përforcojë ankthin e myslimanëve evropianë, dhe nëse nuk do të jemi të kujdesshëm, do të çojë një pakicë të vogël prej tyre në një radikalizim të mëtejshëm. Manifestimi i Pegida-s, i parashikuar për disa ditë më parë u anulua, mesa duket pas kërcënimeve xhihadiste ndaj njërit prej udhëheqësve të saj. Simptomat e radikalizimit përfshijnë një rritje të sulmeve edhe antisemite, të ushtruara sot me një frekuencë më të madhe nga ekstremistët myslimanë, në dallim nga antisemitët e modës së vjetër, “patriotët evropianë” që vizatojnë kryqe të thyer.

Të dielën e parë pas sulmit në “Charlie Hebdo”, më shumë se 3 milionë njerëz dolën në rrugë në Francë, një shembull i mrekullueshëm sesi një komb i madh Evropian – vetë Kombi Evropian në të vërtetë, dhe këtë ua thotë një anglez – iu përgjigj kësaj sfide.  Myslimanët francezë, burra dhe gra, shpërndanë trëndafila të bardhë për bashkëqytetarët e tyre hebrej, të krishterët dhe ateistë. Pastaj të gjithë kënduan Marsejezën, himnin kombëtar më mallëngjyes në botë. Madhështore! Por kjo ishte vetëm një të diel. Duhet që në gjithë ditët e tjera, ato verore apo të vrenjtura, të shihet nëse do të fitojë apo humbet beteja, për ndërtimin e një Evrope të përbërë nga kombe të qytetëruara dhe gjithëpërfshirëse. Pa u përkulur në kompromise, mbi ato çfarë janë elementet themelorë të një shoqërie të hapur, liria e fjalës përfshirë, ne evropianët jomyslimanë duhet të vazhdojmë t’u dërgojmë sinjale të vogla bashkëqytetarëve evropianë myslimanë, si nëpërmjet internetit ashtu edhe në marrëdhëniet e përditshme. Kështu ne do të fitojmë plebishitin e përditshëm, për të cilin fliste Renani.

“The Guardian”

SHKARKO APP