“Kthehem në Shqipëri, kur të mos ketë më zyra!”
Nga Aleksandër Kocani
Këto ishin fjalët e përgjigjes së një miku të vjetër që ka shumë vite që jeton jashtë, kur unë e pyeta nëse do të kthehej të jetonte në Shqipëri dhe kur do ta bënte këtë gjë. I kam kujtuar këto fjalë këto 2-3 javët e fundit që kam qenë i detyruar të vija vërdallë nëpër mjaft zyra, për shkak të një gabimi pakujdesie të bërë dikur nga një nëpunëse e gjendjes civile. Thjesht në një datëlindje germën “j” të fjalës “Maj” e kishte shkruar “r”. Por edhe kaq mjafton për të krijuar telashe me dokumentet, sepse mund të ndodhë që në një problem që mund të kërkosh të zgjidhësh, të shfaqen dy dokumente që i referohen për të njëjtën gjë dy të dhënave që nuk përputhen. Lypset që të hapësh një procedurë të ndryshimit të dokumentit, e cila të kërkon kohë, mund dhe pse jo edhe disa shpenzime jo modeste.
Për atë germë të shkretë duhet të ndryshosh shumë gjëra, deri në kartën e identitetit dhe pasaportën! Mjaftkush që ka qenë i detyruar t’i nxjerrë ato, i kupton më mirë shqetësimet në fjalë. Për fat të mirë është hequr praktika e dikurshme e korrigjimit të të dhënave me procedurë gjyqësore, se edhe ajo do të duhej! Për hir të së vërtetës, më duhet të pranoj se në 3 gjendjet civile ku kam shkuar (Bashkia qendrore, minibashkia nr.8 dhe ajo nr.7), kam gjetur mirëkuptimin dhe gatishmërinë e nëpunëseve të tyre për të më ndihmuar dhe kjo gjë ma ka lehtësuar disi stresin që të krijon mendimi se je i detyruar “të paguash” për gabimin që ka bërë dikush tjetër.
Këtu vlen të përmendet për humor që, institucioni që kërkoi të bëhej ndryshimi i të dhënave që të kishte përputhje midis tyre, kur i drejtohej me shkresë zyrtare (me firmë dhe me vulë!) personit që i përkisnin këto të dhëna, i ndryshonte krejtësisht mbiemrin! Pra, nga njëra anë, kërkonte rigorozitet për një germë (gjë e kuptueshme dhe e pranueshme!) dhe, nga ana tjetër, vetë transformonte një mbiemër të tërë! Siç thotë populli, “I shtrenjtë në krunde, por i lirë në miell”!
Po përmend këtu një rast tjetër të sorollatjes në zyra për një problem që me pak bonsens e përgjegjshmëri detyre e qytetare mund të zgjidhej lehtësisht.
Dy abonentë të një rrjeti të telefonisë celulare me një kontratë grupi, për ndryshim të disa rrethanave kërkuan që të shkëputen nga grupi, por që të mbanin të njëjtët numra duke kaluar në kontratë të re personale. Kërkesa ishte e arsyeshme, sepse ata dy numra ishin shpërndarë në të njohur e miq kryesisht brenda, por edhe jashtë vendit, dhe ndryshimi i tyre do të krijonte mjaft shqetësime dhe stres. Iu kërkua dy herë gojazi personit që administronte grupin që të jepte lejen që dy abonentët në fjalë të shkëputeshin dhe të mos ishin pjesë e grupit, por ai nuk pranoi me pretendimin se “nuk mund t’i mbante më në kurriz ata”! U bë përpjekje herën e dytë që të sqarohej se abonentët e shkëputur nuk do të kishin asnjë lidhje me grupin e mëparshëm dhe se ata do të lidhnin më tej një kontratë tjetër, personale, me kompaninë përkatëse të telefonisë celulare.
Por personi administrator i grupit, me një pozicion të caktuar në një institucion të nderuar të arsimit për qytetin e Tiranës, ose nuk e kuptonte, ose nuk donte ta kuptonte që një kërkesë e tillë nuk e cenonte aspak grupin që ai kishte në administrim, ose donte të tregonte që ishte Ai që vendoste dhe vazhdonte të refuzonte kërkesën. Më së fundi iu drejtua një kërkesë me shkrim institucionit me argumentet përkatëse ku, midis të tjerave, lutej që të bëhej e mundur edhe që abonentët të paguanin faturat e telefonisë për periudhën që nuk po likuidoheshin ato si më parë në një llogari rrjedhëse bankare. Në vend të përgjigjes me shkrim, që është edhe një detyrim ligjor, pa lëre pastaj edhe shfaqje e qytetarisë, erdhi bllokimi i numrave në fjalë!
Edhe këtë e bën një person në një institucion të nderuar arsimor të Tiranës! Nuk ke se çfarë të thuash më shumë! Nga ana tjetër, është disi e çuditshme zgjidhja ligjore që i ka dhënë kompania përkatëse e telefonisë celulare këtij lloj problemi. Në disa zyra të saj në Tiranë që kemi vajtur dhe “kemi qarë hallin”, na kanë sqaruar se procedurat kërkojnë me domosdo një leje shkëputjeje nga administratori i grupit ku ka bërë pjesë abonenti që kërkon të dalë më vete. Mirëpo, ndërkohë ato lejojnë që të mbartet numri si i plotë (bashkë me prefiksin!) nga një kompani tjetër e telefonisë celulare në atë të tyren! Dhe kjo bëhet që të mbrohen interesat e abonentit, kur ai kërkon të ndryshojë kompaninë, ndërkohë nuk bëhet (sa e vështirë qenka, xhanëm??!!) kur abonenti kërkon jo të ndryshojë kompaninë, por të shkëputet nga një grup abonentësh për të dalë më vete me kontratë të re, personale!!
Nga informacionet që na janë dhënë, nëse ato do të merreshin të mirëqena, del se numrat e abonentëve që nuk u jepet leje për t’u shkëputur bllokohen për një periudhë 1 ose 2-vjeçare dhe më tej u jepen në përdorim abonentëve të rinj. Pyetja që shtrohet këtu është: Përse të mos u lihen ata numra abonentëve që i kishin pasur kur ishin në grup?? Përse të dëmtohen interesat e tyre, sepse, siç thuhet, nuk do shumë mend që të kuptohet që do të ketë edhe një dëmtim të tillë, përveç bezdisjeve dhe stresit të shkaktuar nga ky mospranim irracional? Këto janë pyetje që duhet t’i bëjnë të mendojnë edhe drejtuesit e kompanive të telefonisë celulare, sepse në një të ardhme të afërt moskonsiderimi i tyre mund t’u sjellë ndonjë kosto shtesë.
Panorama