Kthupi: S’ka mekanizëm që përjashton kandidatët nga gara për kryetar! Berisha ka ndërtuar parti besnikësh

Juristi Rezart Kthupi ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u fokusuar te situata brenda PD dhe gara për kryetar, ku kandidati i vetëm mbetet kreu aktual Sali Berisha, pas përjashtimit të personave që kishin shprehur vullnetin për të kandiduar. Sipas Kthupit, situata aktuale në PD është një “betejë pa fitues”, ku humbësja më e madhe do të jetë opozita shqiptare.

”Akuzat publike ndaj njëri-tjetrit janë një betejë që nuk ka fitues. Ka vetëm humbës dhe humbësi më i madh do të jetë opozita. Në vend që të merren me kundërshtarin politik dhe debatet e brendshme të fokusohen te idetë dhe jo te fajet apo mëkatet, opozita po humbet terren. Duhet të prodhojnë shpresë”, u shpreh ai.

Juristi ngriti shqetësimin për mungesën e një identiteti të qartë politik brenda PD-së, duke theksuar se partia sot funksionon pa një ideologji të përcaktuar. ”Të dy palët pretendojnë se janë në garë për drejtimin e PD-së, por në fund nuk ka fitues. PD nuk ka ideologji sot. Askush nuk di ta thotë, madje as vetë Berisha. Nuk është i vërtetë as konservatorizmi që është pretenduar. PD ecën pa një busull politike dhe gjithçka rrotullohet rreth individit. Sot, ideologjia e vetme e PD-së është Sali Berisha”, deklaroi Kthupi në ”News 24”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai komentoi edhe aspektin statutor të procesit zgjedhor në parti, duke theksuar se statuti i PD-së nuk parashikon mekanizma për përjashtimin e kandidatëve nga gara për kryetar. Në përfundim, Kthupi theksoi se zgjidhja e krizës në PD kalon përmes vetë Berishës, duke e cilësuar strukturën aktuale të partisë si një “parti besnikësh”. ”Sali Berisha ka ndërtuar një parti besnikësh. Vullneti i njëshit dikton gjithçka. Në një parti ku ka vendimmarrje kolektive, vullneti i kryetarit nuk duhet të ketë këtë peshë. Por në një parti ku askush nuk guxon të shprehë mendim ndryshe nga kryetari, rezultati është ky: ajo që thotë kryetari bëhet ligj”, përfundoi juristi.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush është problemi; Edi Rama apo Sali Berisha?