Ku gatuhet analiza politike në Shqipëri?

 

 

Nga Ilva Tare.

Për shkak të motit të ndryshuar në verë të klimës së maxhorancës, analistët politikë patën mundësi të hedhin dhe rrëzojnë përmes editorialeve hipoteza mbi të ardhmen e qeverisë dhe koalicionit. Një pjesë e këtyre analizave ja arriti t’u paraprijë zhvillimeve të mëvonshme, që sic u pa në ditët pasuese kërkuan impulse dhe një marrëveshje të re brenda dy drejtuesve të shumicës qeverisëse.

Të tjerë shkrues opinionesh e kanë pasur të mangët analizën edhe për faktin se liderët e politikës është e vështirë t’i lexosh përmes xhesteve dhe akteve publike, nëse nuk ke njohje të afërta me ta dhe nuk je pjesë e prapraskenave ku ndërtohen strategjitë e bashkëpunimit. Pasi, në më të shumtën e rasteve ata veprojnë dhe reagojnë në takime të fshehta, me apo pa prani të ndërmjetësve, që më pas kur i duhen politikës, bën përzgjedhjen e emrave që do t’i përdorë si lajmëtarë të të rejave më të fundit.

Një pjesë e mirë e analistëve që formojnë opinione në vend janë të çertifikuar nga politikanët e lartë të vendit. Me certifikim nënkuptohet dhënia e besimit dhe e informacioneve që i interson palës së caktuar për t’u hedhur në tregun e mendimeve si argument i pavarur, me qëllim që kundërshtari të marrë mesazhin e duhur për levizjen e radhës. Për këtë grup njerëzish e rëndësishme është edhe shpëlarja e trurit që duhet t’I bëhet opinionit publik me teza të përgatitura në zyrat e politikanëve dhe të paraqitura si ide apo analiza të individëve që në sytë e publikut nuk kanë interesa të drejtpërdrejta politike. E gjitha kjo lojë konsumohet brenda pak zyrave ose kafeneve ku politikanë dhe analistë të njohur vendosin në bashkëpunim shenjestrën e radhës.

Me përjashtim të portalit më të madh që siguron ekzistencën në treg nga pena e mprehtë dhe njohja e thellë e botuesit të të gjithë spektrit politik në vend dhe disa inisitativa të tjera profesionale, mendimi editorial në Shqipëri është përgjithësisht i kompromentuar dhe në disa raste qëllimisht i manipuluar. Dhe jo rastësisht emrat e atyre që përdoren për këto sulme janë të lidhura me incidente të rënda dhe të pandëshkuara, sepse këta janë të shantazhueshëm dhe shumëpërdorimësh.

Duhet thënë se publiku shqiptar është mëse i vetëdijshëm për personazhet që parakalojnë në paradhomat e politikës përpara se të prodhojnë analiza të porositura dhe ky fakt  ia ka zbehur vlerën analizës profesionale në vend. Edhe nëpër rrjete sociale ka filluar të jetë e pranishme një valë zemërate ndaj njerëzve që kanë mision të përpunojnë opinionin publik përmes analizave dhe qëndrimeve editoriale. sTirana është një qytet i vogël dhe qytetarët shohin dhe informohen për gjithcka ndodh, që nga takimet disa orëshe të analistëve në zyrat e krerëve partiakë e deri tek sponsorizuesit e borderove të disa prej emrave që kanë marrë detyrën e eprorëve politikë.

SHKARKO APP