
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka bërë të ditur se dy kongresmenë republikanë amerikanë i janë drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për të kërkuar sqarime lidhur me shqetësimet për korrupsionin në nivelet e larta të qeverisjes në Shqipëri. Sipas Bardhit, në fokus të kërkesës së ligjvënësve amerikanë janë zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Dy kongresmenët, të cilët drejtojnë përkatësisht Komisionin e Helsinkit në SHBA dhe Nënkomitetin për Europën në Kongres, i kanë kërkuar administratës amerikane të shqyrtojë edhe mundësinë e vendosjes së kufizimeve të vizave për zyrtarët shqiptarë ndaj të cilëve ekzistojnë informacione të besueshme për përfshirje në korrupsion të rëndësishëm.
Në reagimin e tij, Bardhi e cilëson këtë zhvillim si një sinjal të vëmendjes që po marrin shqetësimet për korrupsionin në nivelet e larta të pushtetit në Shqipëri edhe në institucionet amerikane.
Postimi i plotë
KORRUPSIONI NË SHQIPËRI NË RADARIN E KONGRESIT AMERIKAN!
Kryetari i Komisionit të Helsinkit në SHBA dhe kryetari i Nënkomitetit për Europën në Kongres, dy kongresmenë republikanë amerikanë, i janë drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke kërkuar sqarime mbi shqetësimet për korrupsionin në nivelet e larta të qeverisjes në Shqipëri. Në fokus të kërkesës së tyre janë Belinda Balluku dhe ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Dy ligjvënësit amerikanë kërkojnë që administrata amerikane të shqyrtojë edhe mundësinë e vendosjes së kufizimeve të vizave ndaj zyrtarëve shqiptarë për të cilët ekzistojnë informacione të besueshme mbi përfshirjen në korrupsion të rëndësishëm.
Ky është një sinjal i qartë se shqetësimet për korrupsionin në nivelet e larta të pushtetit në Shqipëri po marrin vëmendje edhe në institucionet më të rëndësishme të SHBA-së. Llogaridhënia, transparenca dhe lufta kundër korrupsionit nuk mund të mbeten thjesht premtime politike, por duhet të shndërrohen në standarde të panegociueshme të qeverisjes.
Shqipëria ka miq dhe partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë. Miqësia e vërtetë me SHBA-në forcohet përmes institucioneve të përgjegjshme, sundimit të ligjit dhe një lufte pa kompromis kundër korrupsionit, pavarësisht emrit apo funksionit të kujtdo.
