Kukulla e Kadaresë
Në librin e fundit të Ismail KadaresëMëngjeset në kafe Rostand tërheq vëmendjen proza Kukulla, Portreti i nënës. Vështirë se mund ta përfshish ndër veprat më të arrira të autorit, por akoma më e vështirë është të përmbash ngasjen për të diskutuar një varg dukurish që dëshmojnë dorë mjeshtri.
Nga Çapajev Gjokutaj
Semantika e titullit
Pranëvënia e fjalëve kukull dhe nënë qysh në titull dhe nëntitull krijon befasinë e parë dhe të nxit të hamendësosh ç’lidhje mund të ketë mes nënës dhe kukullës.
Në hapin e parë hamendjet mbeten të pakta ngaqë semantika e shqipes nuk të sugjeron ndonjë gjë të madhe. Fjalori ofron vetëm dy kuptime të parme: lodër fëmijësh dhe marionetë teatri. Këtyre u shtohet edhe një kuptim i figurshëm: vegël në duart e tjetrit, p.shqeveri kukull. Ky i fundit lidhet kryesisht me marionetën dhe mbart gjurmë të dukshme të ligjërimit politik, ndaj vështirë se mund të përdoret për të karakterizuar diçka të afërt e intime si nëna.
Siç ndodh rëndom me tekstet letrare, arsyetimi fillon të operojë në rrafsh intertekstor, të vjen ndër mend se në tekste feministe hasen jo rrallë përqasjet me kukullën dhe në këtë hulli të kujtohen shkrimtarë si Henrik Ibsen, Katherine Mansfield etj. Por edhe kësaj here zhgënjehesh shpejt ngaqë kujtohesh se, në kësi tekstesh me kukullën nuk përqaset nëna por gruaja.
Kur ikën nga fjala kukull dhe shkon te simboli, kur ikën nga semantika dhe shkon te semiotika, efekti është i kundërt, por rezultati i njëjtë. Të kujtohen rrëmbyeshëm dhjetëra përdorime simbolike për kukullën, por thuajse asnjeri prej tyre nuk kënaq dukshëm pranëvënien nënë – kukull.
Gjithsesi simbolika e kukullës është e pasur dhe shpesh gjithë ambiguitete, si e tillë të fton ta eksplorosh në të gjitha kthinat me shpresë se mund të zbulosh diçka që nuk duket në sipërfaqe, por që mund të justifikojë lidhjen nënë– kukull në tekstin e Kadaresë.
Fëmijët, sidomos vajzat e vogla, gjejnë tek kukulla një nga lodrat më tërheqëse. Ky ngashënjim përftohet nga një varg arsyesh, mes të cilëve shquan fakti se kukulla shërben si medium që lehtëson ikjen nga realiteti, kalimin në një botë pegjasme. E gjithë kjo ka diçka nga krijimi artistik, loja dhe arti shkrihen në një duke i mundësuar vajzës së vogël një nga kënaqësitë më të mëdha që provon njeriu, kënaqësinë e krijimit.
Fëmijën e lodh tutela e më të mëdhenjve, ndaj ëndërron kohën kur do jetë i rritur dhe i lirë si ata. Kukulla mundëson realizimin virtual të kësaj ëndrre, e shpie vajzën e vogël në një botë imagjinare ku, krahas kënaqësisë së ikjes nga tutela përjeton edhe diçka misterioze e drithëruese njëheri: shndërrohet në nënë, kënaq instinktin mëmësor.
Në kohët moderne dhe sidomos në këto postmoderne, kukulla është bërë objekt hulumtimesh të shumta estetike. Duket se arsye kryesore ka qenë fakti që perceptohet si përzierje të kundërtash dhe rrjedhimisht edhe burim tensionesh të brendshme, aq të lakmuara nga arti dhe teoritë e tij. Në rrafshe të ndryshme të dijes këto të kundërta marrin trajta të ndryshme, por gjithherë janë aty si një strukturë bazike mbi të cilën secili sendërton pamjen që i vjen për hosh.
Kështu p.sh, në rrafsh empirik kukulla është përzierje e frymorit me sendin, e të gjallës me inerten, e jetës me vdekjen. Sa herë që për njërën ose tjetrën arsye kjo përzierje del në sipërfaqe, kukulla zbeh pafajësinë e një lodre fëminore dhe nxjerr në pah drithërimën e misteriozes. Ndër efektet e përsëritura të filmave horror p.sh janë edhe ato me gjymtyrë të shkëputura kukullash, me fytyra të plasaritura etj.
Për antropologun, përzierja e të kundërtave materializohet në bigëzimin funksional: kukulla ka shërbyer e shërben edhe si lodër fëmijësh, edhe si mjet për magjinë e zezë. Brenda të njëjtit objekt përziehen dy funksione krejt të kundërta: njëri lidhet ne pafajësinë fëminore, kurse tjetri me malinjitetin demoniak.
Për psikologun dhe sidomos për psikanalistin, kukulla përzien diçka tejet familjare me diçka misteriozisht të huaj e rrënqethëse. Në anën e dukshme, të artikuluar, krijon komoditet, kurse në anën e fshehtë sjell shqetësim e parehati. Frojdi, në esenë Das Unheimiliche, e përdor kukullën si shembull kryesor për të ilustruar këtë përzierje. Sipas këtij perceptimi kukulla gjeneron tension të brendshëm ngaqë në rrafsh koshient lidhet me pafajësinë e moshës fëminore, kurse në rrafsh inkoshient lidhet me panginjësinë seksuale të fëmijës, instinkt ky që kënaqet në rrugë skandaloze e amorale duke përdorur herë nënën, herë babain e herë vetveten.
Një qasje të këtyre ujërave ofron edhe eruditi spanjoll Juan E. Cirlot kur, në fjalorin e tij aq të njohur A Dicitonary of Symbols, shënon se kukulla në disa raste shenjon devijimin nga instinkti mëmësor ose thënë ndryshe ngecje, regresion në një stad fëminor.
Pavarësisht sa dakord je me njërin apo tjetrin interpretim, e ke vështirë të mohosh thelbin e tyre të përbashkët: kukulla është e lakmuar në art, veçanërisht në atë surealist dhe postmodernist, nga që struktura e saj kuptimore ngërthen elementë kontrastues dhe krijon tensione të brendshme.
Thyerja e tabusë
Në tekstin e Kadaresë fjala kukull ngjan si emër i dytë për nënën, një lloj nofke, por funksioni i saj i vërtetë është të gjenerojë një varg metaforash. Thuajse gjithë kuptimet që porsa shtjelluam shpërfaqen në një masë apo tjetrën. Gjithsesi teksti nuk mbetet rob i këtyre semiotikave, merr shkas prej tyre për t’i shtjelluar në shtresa të reja, gjithë befasi dhe emocion.
Fjala vjen semiotika, që e sheh kukullën si medium për të kaluar në botën e lojës dhe të artit, në një realitet pegjasme, shquhet në asociacionet nënë – spektakël që teksti i përshfaq në një varg sekuencash duke nisur nga procesioni teatral i vizitave në shtëpinë e babëzotit shoqëruar nga cigania Vito, lidhjet e supozuara me Teatrin Popullor, loja kukullash me vajzat e deri tek shfaqja e fundit kur, nëna në arkëmort asociohet me kukullën në arkën e lodrave, intertekst i dukshëm me poezinë antologjike “Vdekja e gjyshes” të Fatos Arapit.
Përzierja mes të gjallës dhe inertes, mes jetës dhe vdekjes strukturohet në paradigmënkukull – gips – mister – ftohtësi. Më se një herë flitet në tekst për “mister prej kukulle”, “tmerr i fshehtë i gipsit”, “një tmerr prej kukulle, një përzierje ftohtësie, bardhësie prej gipsi”, “një mister prej kukulle, por pa tmerr” etj.
Gjithsesi marrëdhënia mes kësaj proze të Kadaresë dhe shumësisë së kuptimeve që ofron semiotika e kukullës, nuk është sasiore por cilësore. Më shumë se morinë e shfaqjeve, teksti ka funksionalizuar thelbin: tensionin e brendshëm. Në shumicën e rasteve ky tension buron nga një varg shmangiesh. Kukulla e Kadaresë, duke qenë nënë që ngjason me kukullat, u shmanget modeleve që lexuesi ruan në memorie për mëmësinë, modele që janë krijuar nën ndikimin e kulturës tradicionale.
Kështu p.sh, në mendësinë tonë prej lexuesi, kultura ka krijuar një lidhje mes kukullës, vajzës së vogël dhe instinktit mëmësor. Siç e thamë edhe më lart, kukulla shihet si medium që ndihmon kalimin në botën e lojës dhe, mes të tjerash vajzën e vogël e shndërron në një nënë virtuale, nga fëmijë e bën grua. Përqasja nënë – kukull në tekstin e Kadaresë duket se ka funksion të kundërt, ngjan si grackë prej gipsi që ka kapur e konservuar vajzën, adoleshenten e dikurshme dhe nuk e lë të bëhet grua.
Po kështu kultura ka krijuar në shekuj një lloj afrie deri në shkrirje mes nënës dhe shtëpisë. Kjo e fundit perceptohet rëndom si mbretëri e nënës, hapësirë private ku ajo shfaqet dhe realizohet jo vetëm si amvisë, por sidomos si faktor dhe aktor që ndihmon rritjen e fëmijëve në të gjitha rrafshet: fizik, emocional, mendor e moral. Babai përkundrazi realizohet jashtë shtëpisë, në hapësirën sociale, mes peripecish e aventurash.
Kukulla e Kadaresë shënon shmangie kontrastuese edhe nga ky model kulturor: ka një tjetërsim të dukshëm me shtëpinë. Edhe në moshën e vajzërisë, në shtëpinë atërore, Kukulla nuk është shquar për amvisë, merret me mend ç’ndodh kur vjen në shtëpinë e stërmadhe të Kadarenjve. Madhësisë së shtëpisë i shtohen edhe arsye të tjera që, në një mënyrë apo tjetrën, e fuqizojnë tjetërsimin. Kështu riparimet pafund bëhen burim shtrëngesash ekonomike, sherresh e mërish; shtëpia përthith gjithë vëmendjen e të shoqit ndaj në disa shtresa të tekstit merr trajtën e shemrës etj. etj.
Në kulturën tradicionale shpesh shtëpia zëvendësohet nga një pjesë e saj: vatra e zjarrit, vatra familjare. Kjo sinekdokë të shtyn të përfytyrosh sa mbretërinë e nënës që synon bashkimin, kohezionin e familjes, aq edhe ngrohtësinë mëmësore. Përkundër këtij modeli, me një shmangie ku befasia përzihet ne tronditjen, Kukulla e Kadaresë shquhet për ftohtësi.
Në fakt teksti e thotë në mënyrë eksplicite se kemi të bëjmë me një ftohtësi të veçantë. Nuk është se Kukullës i mungon ngrohtësia prej nëne, “dhembshuria e saj ndihej që larg. Kujdesi gjithashtu. Mungesa ishte gjetkë …, kishte të bënte me pengesën e shfaqjes, e kapërcimit të një pragu që, me sa dukej, ajo e kishte të pamundur. Shkurt, qysh herët e kam ndier se nëna ime, më shumë se atyre të vjershave, i ngjante një lloj vizatimi apo skicimi, prej të cilit nuk dilte dot”.
Po ta përkthenim këtë në një regjistër shkencor do të thoshim se Kukulla ka një prapavajtje psikologjike (regression) në kuptimin që psikanaliza i jep këtij mekanizmi mbrojtës, i cili bën që disa individë të mbeten në një stad të mëhershëm zhvillimi që zakonisht përkon me fëmininë dhe adoleshencën. Sipas Frojdit prapavajtje të tilla shkaktohen nga frustrime në zhvillimin e hershëm psikoseksual. Në ato që bën dhe thotë Kukulla ka shenja të dukshme infantiliteti, por teksti mënjanon prerë çdo detaj që, në një mënyrë a tjetër do të asociohej me seksin.
Gjithsesi mangësitë e Kukullës, më shumë se thyerjen e skemave të krijuara për nënën nga vjershat dhe hartimet shkollore, të sjellin ndër mend atë që Simone de Beauvoir e shihte si thyerje të një tabuje. Legjendat dhe përrallat e të gjitha kulturave krijojnë dhe lartësojnë modelin e nënës ideale, që është ar i pastër, përmban vetëm dhembshuri, ngrohtësi dhe, sidomos, vetësakrifikim. Absolutizimi në këtë rast është aq i madh dhe aq i dobishëm për mendësinë patriarkale sa që krijon tabu. Ligjërimi përjashton anët negative të mëmësisë, krejt të justifikuara në një marrëdhënie tokësore. Tensioni që krijon ky përjashtim zbutet nga përralla e mite që gjenden në të gjitha kulturat dhe që i transferojnë të këqijat e nënës tek dy personazhe alternative: njerka dhe vjehrra, figura që nuk i mbron ndonjë tabu.
Modeli i nënës ideale është tejet i fuqishëm përderisa ka vepruar në shekuj dhe ka ndikuar në kulturat e gjithë popujve. Të ngrihesh kundër këtij modeli shpesh konceptohet si guxim që fqinjëron me sakrilegjin. Por të dalësh dhe të flasësh publikisht për handikape të nënës sate, të asaj që të ka bërë kokën, kjo është më shumë se sakrilegj. Rreziku bëhet tejet më i madh kur këtë sakrilegj ekstrem e verbalizon në një vend të vogël, mendësia e të cilit ruan akoma shumë vargonj të shoqërisë tradicionale, paramoderne.
Modeli i mëmësisë ideale i ngjan një gracke tinëzare, e lartëson deri në idealizim nënën, për të robëruar tërësisht femrën, duke i mohuar identitete të tjera si grua, kolege, profesioniste etj. Teksti në fjalë i Kadaresë ngjan të jetë indiferent ndaj ngarkesash të tilla sociale ose i përvijon kalimthi në shtresa të largëta kuptimore.
Në pamje të parë kjo indiferencë mund të shpjegohet me faktin që kemi të bëjmë me një tekst autobiografik: e tillë rastisi të ishte nëna, ndaj s’kemi ç’bëjmë, na duhet ta pranojmë siç bëjmë me çdo fakt real. Kur e sheh më thellë zbulon se kjo rastësi funksionalizohet në rrafshe të ndryshme duke nisur nga bota e mesazheve e duke ardhur tek areali estetik e stilistik.
Përzierjet estetike
Mendësia patriarkale e konstrukton mëmësinë si një dukuri ideale, por në realitet ajo është e ndërlikuar, plot kontradikta dhe paradokse. Një prej këtyre paradokseve materializohet në aksin rritje – tjetërsim.
Detyrë e parë dhe natyrore e nënës, e rrënjosur nga historia evolucionare, është të lindë dhe rrisë fëmijën, ta sjellë në jetë dhe pastaj ta nxjerrë në jetë. Rritja e fëmijës dhe sidomos nxjerrja e tij në jetë, duke qenë dëshirë e zjarrtë dhe e sinqertë, është në të njëjtën kohë edhe burim i një shqetësimi të turbullt, shumicën e herëve edhe të paartikuluar, shqetësim që ka të bëjë me frikën e largimit, ftohjes, tjetërsimit. Foshnja në një pikë të jetës është pjesë e nënës, pastaj del prej saj dhe të dyja, nënë e fëmijë, ngjasojnë me brinjët e një këndi, dalin nga e njëjta pikë por largohen e largohen.
Kukulla ka arsye të posaçme ta përjetojë paradoksin e tjetërsimit më thekshëm se nënat e zakonshme. Ndryshe nga bashkëmoshatarët, i biri nis të botojë qysh herët, pa kaluar tërësisht në adoleshencë. Mjedisi provincial i jep nuanca anekdotike kësaj arritjeje të parakohshme. Bota e letërsisë, gazetave, librave që po ngashënjen të birin, është e largët dhe e huaj sidomos për Kukullën, për naivitetin e saj. Të gjitha këto shërbejnë si serë për të rritur frikën e tjetërsimit mes nënës dhe birit. Nuk është e rastit që fjala moskuptim haset shpesh dhe ngjan të jetë ndër dy-tri fjalët kyç për të hyrë në esencën e Kukullës.
Parë kështu frikërat e Kukullës nga tjetërsimi marrin ngarkesë dramatike, përfaqësojnë në thelb një dramë nëne. Kur vjen puna që ajo t’i artikulojë këto ankthe drama ia lë vendi komikes ose, më saktë, përzihet me të. Nënqeshja e lexuesit zë fill nga elementë substancialë siç janë fjala vjen frika se, herët a vonë, bij të tillë e mohojnë nënën, madje edhe e zëvendësojnë me një tjetër, më të ditur dhe më elitare. Nënqeshja buis dhe merr trajtën e të qeshurës kur Kukulla, për të fashitur frikëra të tilla, përpiqet të komunikojë me të birin duke përdorur “një gjuhë jo të zakonshme, si ajo e titujve të gazetave ose e emisionit ‘teatri në mikrofon’.
Duket se përzierja e dramës me humorin nuk e qetëson narratorin ndaj përbri këtij miksimi pranëve një tjetër përbërës estetik, përpiqet të sublimojë naivitetin e Kukullës, të gjejë aty rrënjët e talentit të shkrimtarit të ardhshëm. “Jo vetëm nuk ndihesha i kufizuar prej mangësisë së saj, por herë-herë… atë mungesë do ta merrja për epërsi. …në këmbënguljen e fëminisë për të mos ikur, fshihej ndoshta zanafilla e asaj që quhej dhuntia e të shkruarit”.
Në vështrim të parë ngjan sikur ky sublimim është sajim i mirëfilltë poetik. Në thelb nuk kemi të bëjmë kryekëput me trill poeti, dekada më parë psikanalisti dhe studiuesi i artit Ernst Kris fliste për lidhje shkak-pasojë midis prirjes për të mbetur fëmijë dhe procesit krijues.
Si rregull humori është shenjë dashamirësie, mundëson të nxjerrësh në pah të meta a handikape të tjetrit, t’i qesëndisësh butë por gjithnjë duke e trajtuar bartësin e tyre me përkujdesje dhe dashamirësi. I përdorur kështu humori është edhe mjet tolerance e humanizmi, të ndihmon ta pranosh tjetrin ashtu siç është duke pohuar se dashuria humane tejkalon çdo paragjykim të përcjellë nga skema, modele a tabu.
Analizuar në këtë rrafsh Kukulla fqinjëron me personazhe klasikë të llojit të Mr. Dick, atij të fandaksurit që jeton në lidhje të thella humane me David Koperfildin dhe teze Betsey-n.Gjithsesi Dikensi, kur plazmon personazhe si Mr. Dick, përzien humorin me nota të dukshme sentimentale, kurse Kadareja e përdor humorin për të shterur çdo burim sentimentalizmi.
Bie në sy kjo sidomos në ciklin e vendlindjes. Rikrijimi i vendlindjes dhe fëminisë, kujtimi i njerëzve të afërt që s’janë më etj. prej natyre gjeneron nostalgji e sentimentalizëm. Kjo do të vinte ndesh me prirjen konstante të narracionit të Kadaresë për objektivitet, distancë dhe ftohtësi, ndaj për të shmangur kakofoninë përdoret humori që shumicën e herëve përzihet me dramatiken dhe grotesken.
Humori që drejtohet ndaj të afërmve, ndaj kadarenjve, dobatëve, gushove, babait dhe tash së fundi edhe nënës ka ardhur në ngjitje; nga i kursyer tek Kronikë në gur, bëhet shpërthyes tek Çështje të marrëzisë dhe ngjall iluzionin e blasfemisë tek Kukulla. Natyrisht mosha dhe statusi i arritur prej autorit kanë rolin e vet në këtë shkallëzim, por burimi primar mund të gjendet tek një prirje e hershme dhe konstante e gjithë krijimtarisë së Kadaresë: qëndrimi kritik ndaj traditës.
Besnik i kësaj prirjeje, narratori që si në shumicën e teksteve autobiografike pretendon të jetë autori, funksionalizon edhe autoironinë. Detaje të goditura si reklamat e romaneve të pashkruara, lidhjet personale me Shekspirin a Kafkën etj., shërbejnë për të qesëndisur veten, natyrisht të dikurshmen.
MAPO