Kupa e Afrikës, lojtarët e Bregut të Fildishtë priten si heronj (Foto)
O Sa mirë me qenë nga Bregu i Fildishtë! Krenaria që karakterizon tifozët kuqezi për kombëtaren e tyre, duket shumë e zbehtë krahasuar me atë të tifozëve të Bregut të Fildishtë, të cilët i kanë pritur si heronj lojtarët e kombëtares së tyre , për suksesin që sapo korrën, duke fituar Kupën e Kombeve të Afrikës. Me qindra mijëra tifozë dolën në aeroport për të mirëpritur lojtarët e kombëtares së Bregut të Fildishtë, si dhe rrugët e kryeqytetit Abidjan ishin mbushur plot. Skuadra Afrikano-Perëndimore fitoi për herë të parë Kupën e Kombeve të Afrikës në historinë e vet, duke mundur fqinjët e tyre, Ganën, 9-8, pas goditjeve dramatike të 11-metërshave, pasi edhe koha shtesë e ndeshjes finale përfundoi në barazim pa gola. Tifozët e kishin parë ekipin e tyre, i njohur ndryshe si “Elefantët”, edhe dy herë të tjera në finale, por pa mundur dot të shijojnë trofeun, ndaj dukeshin të etur më shumë se kurrë, për të festuar si të çmendur, që prej ditës së djeshme gjatë natës dhe deri sot ë mëngjes . Pas luftës civile që shoqëroi këtë vend dy dekada më parë, ekipi i futbollit i ka bashkuar edhe më shumë dhe njerëzit thonë se duan paqe dhe suksese të tilla. Për t’i dhënë më shumë kuptim festës, President i Bregut të Fildishtë, Alassane Ouattara, i cili udhëtonte mes turmës për t’i përshëndetur, e shpalli ditën e djeshme, një ditë pushimi për kombin. Ai ftoi ekipin e futbollit në stadiumin kombëtar të vendit, për t’i nderuar dhe për t’i cilësuar heronj të vendit. Yaya Toure, me shokë, as nuk mund ta kishin imagjinuar një pritje të tillë.