Kur Nard Ndoka thotë të vërtetën…

Nga Skënder Minxhozi

Është kthyer prej kohësh në një sport të vërtetë kombëtar, sidomos nëpër rrjetet sociale, ironizimi (në të shumtën e rasteve pa të keq), i figurës së Nard Ndokës. Për të ka dhjetra batuta, barcaleta e shpoti të të gjitha llojeve. Gjithsesi vetë Ndoka është një politikan që përtej opinionit të një pjese të opinionit publik, ka ditur të notojë në ujrat e turbullta të politikës shqiptare për më shumë se një dekadë. Natyrisht duke lundruar herë djathtas e herë majtas, me “varkën” e tij modeste demokristiane.

Para dy ditësh, Nard Ndoka komentoi për Javanews situatën brenda opozitës së sotme, duke afishuar një konkluzion që sot e ndajnë një masë e madhe njerëzish që merren ose janë të informuar për punët e politikës në Shqipëri. Ndoka tha me pak fjalë se e vetmja shpresë dhe e vetmja strategji e opozitës së sotme, është sesi të ndajë Edi Ramën nga Ilir Meta. Pra, me fjalë të tjera, sesi të shfrytëzojë gabimin e kundërshtarit, pa qenë në gjendje ta ndërtojë vetë rrugën drejt suksesit.

Ky koment i Nard Ndokës është i vjetër sa edhe aleanca mes PS dhe LSI. Pra, daton që nga pranvera e vitit 2013, kur u zyrtarizua divorci i Metës me Berishën dhe kur i pari kaloi gardhin e shumicës së asaj kohe për t’u bashkuar me Ramën. Në fakt bashkimi i PS me LSI ka pasur në themelet e tij një llogaritje të thjeshtë matematikore, e cila e ka shtyrë kreun e PS të shprehet se e mori nismën për krijimin e “aleancës së qelbësirave”, për shkak se pa LSI e majta e ka shumë të vështirë të vijë e vetme në pushtet. Numrat thonë se një bashkim mes dy partive në fjalë, ja bën thuajse të pamundur PD rikthimin në pushtet. Dhe Ndoka e nënkupton këtë rrethanë, duke kritikuar Bashën e Berishën për diversionin që po përpiqen të ushqejnë brenda qeverisjes aktuale.

Nga ana tjetër, kritikat e Nard Ndokës nënvizojnë edhe një aspekt tjetër, që e tejkalon aritmetikën e votave. Si një dëshmitar i brendshëm i dy kampeve, ai po vëren në këtë rast pa shumë vështirësi, sesa bosh dhe pa ide është aktualisht lidershipi Basha në krye të partisë më të madhe të opozitës.  Dhe në këtë pikë është shumë e vështirë të thuhet se Nardi “po ja fut kot”…

(Java)

SHKARKO APP