Kur plasi gjylja e madhe … Tragjedia që u prodhua me ligj

Nga Ben Andoni*

Punëtorë, bujq, dasmorë… njerëz të thjeshtë,  në orët dhe minutat e një dite të zakonshme që do të  shndërrohej në një makth të paharrueshëm në historinë kombëtare dhe identifikohej këtej e tutje si Gërdeci ‘08

Gërdec, 15 mars 2008, ora 11.50

Më 16 mars dikush lajmëroi në Vorë se po vinte një shpërthim, më i madh se një ditë më parë në Gërdec, që bëri katrahurën. Familjes së Ikbales, Ramazanit, Ruzhdiut e shumë e shumë fshatarëve, nuk iu bëri asnjë përshtypje. Më shumë se ajo që u ndodhi më 15 mars nuk kishte se ku të shkonte. U kthyen të shikonin ç’kishte mbetur nga tmerri.

Ismeti, gruaja, djemtë, me makinën e një miku të tyre, që kishte ardhur për t’i parë në Vorë, mbërritën në Tiranë duke mbledhur vetëm pak sende të nevojshme. Lekët e xhiros së merkatës së tij, 48 vjeçari, i fshehu në kasafortën shtëpiake… që e kishte për dreq pa çelës. Ikën të gjithë. Kurse, ushtria dhe policia morën në dorë Gërdecin gërmadhë.

Një ditë më parë shpërthimi i Gërdecit, familjes së Ismetit i ka thyer të gjithë fasadën e merkatës dhe berberhanën e djalit. Shumica e skamnorëve nga Gërdeci, matanë rrugës, janë borxhlinj tek ai. Tani pak rëndësi ka. Mori fund gjithçka. Hajdutët plaçkisin të qetë…

15 Mars 2008, Ora 05.30

Shtëpia 300 metra nga uzina e vdekjes – Ikbale Alliu, 47 vjeç, u ngrit pikërisht të shtunën e një jave më parë në pesë e gjysmë. U shtriq edhe pak në krevat dhe deri në orën gjashtë, i bëri përtesë ngritjes. Pak më vonë, pasi mbaroi gjërat më të nevojshme shkoi të milte lopën. Hodhi një sy nga dhoma matanë. Të tre djemtë ishin në gjumë. Më i vogli i ka lënë porosi se do të shkojë diku. Duhet ta ngrejë para orës tetë. Bash në të njëjtën orë, ajo bashkë me fqinjën poshtë shtëpisë, duhet të shkojnë në një vaki në Maminas. Duhet të mbërrijnë dhe pastaj të kthehen herët. Është zgjuar dhe i shoqi, ndërsa i duhet të shkojë tek një kushëri i sëmurë në një spitalin në Tiranë. Dy djemtë e tjerë do të rrinë në shtëpi. Pas vdekjes së vjehrrit dhe vjehrrës ka menduar që shtëpinë e thjeshtë, me dy dhoma, njërën syresh dhomë fjetjeje, ta përshtasë për djemtë. Dy djemtë e mëdhenj janë të fejuar. Burri nuk punon, por ka ngritur një kolibe, anës shtëpisë, ku shet mallra të ndryshme. Në 5 – 6 dynymët e tokës ka mbjellë pak gjëra sa të marrë një thes me patëlxhan dhe speca. 2 dynymë të tjerë janë me jonxhë… Djemtë punojnë. I vogli ka qenë disa kohë në uzinën përballë. Iku. Nuk i pëlqeu.

Restoranti 400 metra nga uzina  – Kuzhinieri, që punon në restorantin e ri të Fatmirit në qendër të fshatit, ka një ditë të lodhshme. Ndaj nuk është zgjuar ende. Ka një dasmë në Gërdec dhe do ketë bajagi njerëz. Parashikon një ditë të lodhshme.

Shtëpia 500 metra larg – Ramazani, 60 vjeçar nuk është zgjuar akoma në fshatin e Bërxullit. Do shkojë nga paraditja tek e bija në Gërdec, të cilën e ndihmon nga pak. Kohë më parë ka vrarë aksidentalisht të shoqen. Shoferi është i traumatizuar nga jeta, nga pamundësia. Dhëndri ka marrë borxh dhe ka bërë një punishte duro-alumini në fshat. Burri do të merret me fëmijët e vajzës sot, që ka ikur pasi mundohet vazhdimisht t’i jape një dorë.

Shtëpia 150 metra nga uzina – Ruzhdiu nuk ka punë sot. Po fle i qetë. E zgjon për pak fëmija i vogël, por sërish koten të dy në gjumë. Gruaja është lodhur. Ka punuar dje me gjërat e shtëpisë. I duhet të shikojë makinën,  por puna pret. Është në ditë pushimi. Do rehatohet pak…Një javë e lodhshme e pret.

Në fshat kanë filluar të këndojnë gjelat e parë, vetëm se moti nuk duket i mirë. Kalojnë re mbi fshat, disa syresh të errëta. Më të moshuarit janë ngritur në ditën e re me dhimbjet e kockave. Kurse shumë prej të rinjve që punojnë në uzinën e municioneve kanë filluar ditën e re të punës. Në një apel, që do të lexohet më vonë, në një shtab emergjence 125 prej tyre, sot paradite do të jenë në uzinën e armëve. Askush nuk di gjë të saktë për qëllimin e saj. Fshatarët i shikojnë makinat, por nuk flasin. U duhen lekët. Në një turn, çdo syresh merr 5.00-1.000 Lek. Në fakt është një si biçim farkëtarie, që është e rrethuar me panele llamarine. Ka fëmijë, gra dhe kuptohet edhe burra…

Ora 08.00

Ikbalja është bërë gati. Bashkë me komshien marrin rrugën që është sipër fshatit, për të dalë tek shinat. Zbresin poshtë fshatit. Për 15 minuta janë në rrugë. Pas pak në Maminas. Në rrugë kalojnë mbi klubin e fshatit rregulluar gati për dasmë. Shikojnë kuzhinierin, por nuk i flasin… Bëjnë pak fjalë me njëra-tjetrën për dasmën në fshat dhe Ikbales i shkon mendja te dy djemtë që i ka të fejuar dhe se duhet t’iu rregullojë shpejt shtëpinë. Dy djemtë e mëdhenj janë 27 dhe 24 vjeç. I vogli është vetëm 15 vjeç. “Të erdhi dita t’i gëzosh”, i thotë gruaja tjetër. Ikbalja i kthen një buzëqeshje me mirënjohje.

Kuzhineri ka lënë gati që një ditë më parë të gjitha mezet. Nuk i ndjen gratë. Ka marinuar mishin. Ka përgatitur patatet dhe fërgesën. Me të tjerët janë marrë ndihmësit. Kur të ngrihet vallja e parë i duhet të nxjerrë tavat e dheut. Nxiton pak. Është lokal i ri dhe duhet të tregojë që e justifikon punën. Do të marrë me vete edhe djalin e vogël. “Pse e mundon”– i ka thënë e shoqja. “Duhet të shikojë vetë si bëhen gjërat”, i është përgjigjur. Rrugës shikon Ramazanin. E shqetëson pak nervozizmi i tij.

Ramazani ka bërë punët e përditshme në shtëpinë e tij në Bërxull. Është pastruar dhe pas pak do të niset për tek e bija. Do merret me fëmijët sot. Kështu mendon se e lehtëson të bijën, që bashkë me dhëndrin lufton për mbijetesë. Paguajnë shumë taksa dhe kanë borxhe. Nuk është i qetë. Ka ankth. Të jetë prej motit vallë?! E shikon nga larg kamionin e Ruzhdiut, që zbret nga sipër.

Ruzhdiu është zgjuar me shumë përtim. Ka marrë kamionin. Nuk e tërheq shumë pika e ofiçinës që është poshtë shtëpisë, ndaj do të dalë njëherë afër autostradës. E presin ca miq. I duhet t’i dalë para javës së punës që në fundjavë.

Pak orë më vonë Ruzhdiu përshëndetet me Ikbalen dhe fqinjën e saj, që nguten të kthehen në shtëpi, ndërkohë tutje në Gërdec bëhet dasmë. Kuzhinieri ka shërbyer antipastat, që bashkë me mjedisin i kanë dhënë hijeshi lokalit. Pak më tutje kalojnë disa makina me furnizim armatimi. Ca të tjera shumë më herët. Janë mësuar. Ramazani u hedh një vështrim admirimi. E ka marrë pak malli për një makinë asosh.

Ora 10.30

Vakia mbyllet. Gratë bëjnë qokat e fundit. Nisen. Ikbalja dhe fqinja duhet të jenë në shtëpi shpejt. Kjo e dyta ka dy fëmijë të vegjël. Ikbalja i ka të rritur, por i duhet t’i menaxhojë. Zoti ‘i ndihmon’ të jenë në shtëpi në kohën e duhur. Bën një kafe dhe me të fejuarën e djalit të dytë po bëjnë pak muhabet te veranda. E kishte marrë malli për të renë.

Shikojnë poshtë, ku fillojnë tingujt e parë të kitarës dhe dasmorët që vijnë zhurmshëm.

Kuzhinieri ka pritur dasmorët e parë. Disa të rinj po rregullojnë me ngut tavolinat. U kanë vënë një kordele të kuqe të gjitha karrigeve. Po shpërndajnë Fantat, Coca-Cola… Rakia do të vijë më vonë. Kuzhinieri ka vënë fërgesën dhe antipasta e ftohtë pret gati. Duhet t’i dalë mirë, mendon. Ka ardhur dhe orkestra dhe po bën përgatitjet. Perkusioni është gati. Tinguj të hareshëm elektrikë i ngjiten qiellit, që mbetet indiferent.

Ramazani, e ndjen këtë mjedis dasme dhe sapo ka mbërritur në shtëpinë e të bijës, ka marrë situatën në dorë. E ndihmon që prej 17 vjetësh pasi i duhet të mbulojë një borxh prej 20 milionë lekësh. I mban fëmijët por edhe dhëndrit i gjendet shpesh në ndihmë. I vjen keq për sakrificën e tij. I paguan shumë shtetit dhe nuk është fare i qetë. Që nga fatkeqësia që i ka ndodhur, shpirti nuk i gjen rehat. Pak më tej, dikush martohet. Nuk është se i hyn shumë në punë. Dhe, ai është martuar njëherë.

Ruzhdiu, që është ulur matanë rrugës, po flet me disa miq… për dasmën. Është fare i qetë. Nuk ka punë atë ditë dhe në shtëpi ka lënë të vetëm babanë, vëllanë me gruan dhe fëmijët e tij. Gruaja e vëllait është shtatzënë. Nusja e tij është me dy fëmijët.

Jo shumë larg tyre, në uzinë, punët nuk janë mirë. Një incident, që ka të ngjarë të mos zbardhet kurrë… ka ndodhur. Punëtorët janë në panik. Ikin mbrapsht edhe makinat me municion, që kanë ardhur për t’u shkarkuar.

Ora 11.45

Befas. Errësohet. Tundet dheu. Tmerr. Dëgjohet një shpërthim i madh. Është i pari. Vjen një valë e madhe goditëse. Ankthi pushton. Pak minuta më vonë, shikohen njerëz që vrapojnë. Të parët nga uzina. Zhurma. Ulërima. “Sefte isha te veranda. I thashë djalit të madh të dalim nga shtëpia. Erdhi komshija bashkë me një fëmijë. Kam dhe një fëmijë tjetër sipër, më tha”, – kujton Ikbalja.

Flaka e parë duket bajagi e tmerrshme. “I thashë nuses së vogël nisu dhe merr fëmijën e komshijes dhe ajo erdhi dhe mori të dy fëmijët. Ikëm”. I kap një panik i patreguar. E kanë përfolur disa herë “uzinën” tutje. Lë bukën në zjarr, i derdhet kafja. E pushton tmerri. Dasma ka filluar ahengun, por zhurma i ngrin. Thyhen xhamat. Kuzhinierit i mbeten pjatat e fërgesës në dorë. Ka llogaritur që t’i shërbejë rreth orës dymbëdhjetë, por zhurma e ka kapur të shtangur. Ka marrë fëmijën e tij dhe e ka futur në një qoshe. “Më mirë të shpëtojë ky ka thënë”. Ka ndjerë tmerrin e vërtetë. Vala ka thyer xhamat e makinave përpara dhe i ka trandur dasmorët, që janë përplasur kudo keq. Panik. Të gjithë bien mbi njëri-tjetrin. Ramazani, 100 metra tutje dasmës, del dhe nxjerr fëmijët. Zhurmë. Por nuk e kupton pse është ndalur muzika. Njerëzit kanë filluar të ikin. Kalojnë makina. Nxitojnë të gjithë. Ik. Të ikim, dëgjohet kudo. Ka marrë edhe ai ç’të mundet. Nga lokali vijnë shumë njerëz. Të tjerë kanë mbetur aty të shokuar. Nusen e largojnë. I kalojnë para syve, si ndonjë film thriller. Ruzhdiu, teksa shikon nusen dhe dasmorët, që ikin, shtanget një moment. Pastaj merr makinën dhe afrohet në shtëpi menjëherë. Ruhet të mos bëjë ndonjë përplasje rrugës. Po i shkon vetë vdekjes. Vëllai i madh e di se sot duhet të jetë në punë në të ashtuquajturën Uzinë. Fëmijët dhe gratë janë në shtëpi.“Rreth orës dymbëdhjetë pashë flakë në repartin ushtarak dhe u nisa me shpejtësi këtu, se e dija që kisha vëllain tim atje. Por ai nuk kish shkuar atë ditë. U futa në terrenin ku kishte tashmë forca policore dhe kur erdha i mora në kamion njerëzit të gjithë e familjes,” rrëfen orë më vonë me fytyrën e plagosur.

Gërdeci është në panik. Kanë ikur disa makina që do të derdhnin ngarkesën e tyre me armatime. Rendin të gjithë. Nusja, fëmijë, pleq, të rinj. Qielli errësohet më tej. Një shtëllungë me forma të llahtarshme u rri mbi kokë. Po afron kataklizma.

Ora 12.12 e përtej

Ora e shtëpisë së Ikbales mbetet këtu. Përbindëshi i zjarrit ngjitet mbi shtëpinë e saj. Të gjitha që ka dëgjuar nga fëmijëria, thënie, përrallat, feja i bëhen njësh. Ikën. Në fund ndalet fare pak. “I thashë djalit të madh të më shpëtonte lopën”. Ai nuk mund të hyjë, ndërsa vritet në sy. Rrugës i bie një këpucë. Mbetet e vetme. Minuta më pas i gjen sërish të vetët. Mbërrin gjysmë e shpërfytyruar te ura e Limuthit… (fillon të qajë). “Djali tjetër, i dyti, më doli përpara dhe i kërkova dhe djalin tjetër”. I treti nuk është. Takohen të gjithë më vonë te ura e Limuthit. Humbasin konceptin e kohës. Dy shokë të të birit mbërrijnë nga Fushë-Kruja dhe pastaj me celular gjejnë se ku ndodhet edhe djali tjetër. Disa komshinj e kanë marrë në Domje. Mbrapa, në dyqanet te hekurudha, te Autostrada. “Zoti, Zoti, – pëshpërit. Prej atje më ka çuar një shok i djalit bashkë me fëmijët e vegjël të komshies në Domje. Atje kam qëndruar dy orë”. Tek ura e Limuthit ka mbërritur edhe i shoqi nga Tirana.

Pak minuta më vonë, i vëllai e ka marrë në Budua të Fushë-Krujës prej nga ka dhe origjinën. Fqinja shkon tek i biri në Tiranë. Të gjithë ikin. Por nga Delitë nuk kanë parë kënd. Orë më vonë do marrin vesh se … janë shuar. Tv-të flasin vetëm për ta.

“Kam qenë këtu dhe jena turr dhe kena ik. Në vend të iknim në Tiranë shkuam në Durrës. Në Shijak. Gjithçka na kapi te hekurudha. Shyqyr që ishte e vogla, pastaj erdhi bubullima e atij kriminelit”, – kujton Ramazani, që vetëm bërtet, dy ditë më vonë.

Ruzhdiu ka çarë mes njerëzve dhe nuk ka pyetur. Përballë i vinte një kamion. E ka shmangur. “Pasi hypa në kamion ndodhi shpërthimi i parë dhe nga fuqia e shpërthimit u përplas në fytyrën time, pastaj e ktheva kamionin në Vorë”. Nga shpërthimi i parë deri në shpërthimin e tretë ka një farë kohe. Kjo ka bërë që të shpëtojë shumica e njerëzve.

Në dasmë është bërë katrahurë. Kuzhinieri është futur në një kthinë. Vala e madhe goditëse e shpërthimit ka lënë të rënë një nga muzikantët. Shtrihet pas shtyllës. Të tjerët, sipër njëri-tjetrit. Buka është e lyer me gjak kurse tavolinat janë përplasur si me komandë të gjitha përballë. Edhe vdekja ka rregullat e saj dhe është më e disiplinuar se t’gjallët. Re tymi. Kaos.

* JavaNews

SHKARKO APP