Kur puthesh me profetët
Që nga koha kur në botë mbërriti profeti i parë, e deri më sot që pretendohet se cikli i tyre është mbyllur, – e në ardhtë Jezusi për herë të dytë në Tokë nuk dihet se çdo të ndodhë, – dilema nëse Zoti ekziston vërtet dhe a janë Ata të dërguarit e tij, ka qenë e pranishme jo vetëm tek dyshuesit e pandreqshëm, por dhe tek ata që janë marrë gjerësisht me zbërthimin e doktrinës. E megjithatë, që prej Koncilit të Parë të Nikeas më 325 e deri më sot, t’i kundërviheshe Zotit apo të besoje më shumë se tek Ai në Ateizëm, merrje përsipër një risk të madh. Por dhe nëse bëje veprime ndesh, inkuizicioni të hidhte në turrën e druve, ndërsa ca më vonë diktaturat e sofistikuara të hiqnin qafe me dy plumba pas bythe, siç ndodhi me Federiko Garcia Lorkën në kohën e fashistit Franko.
Kjo ishte dhe një pjesë e thelbit të asaj çfarë kërkonte Mustafa Nano të përcillte te ndjekësit e tij, pikërisht në këtë kohë oportune të emancipimi shoqëror të shqiptarëve, ku diktatura ka 25 vite e rrëzuar, e ku bashkëjetesa mes feve të mëdha e filialeve të vogla nuk xhelozon as ateistët, që më siguri pas fabrikimit të pas vitit 1967 nuk janë aq të paktë në numër.
Much Nano me “ch” sipas versionit të ftesës që mora në duar, apo Muç Nano me “ç” sipas asaj që i thërrasim çdo ditë, nuk pati ndonjë problem të rikonfirmonte paanësinë e tij ndaj fesë, edhe pse auditorit që i drejtohej, kishte nga të gjithë: katolikë e myslimanë, ortodoksë e bektashinj, nga ata që thjesht besojnë në Zot dhe nga ata që nuk dëgjojnë nga ajo anë. Pra një show për një shoqëri të hapur.
Në një plate të mbushur plot me fytyra të njohura e gjysmë të para, e lozha gjithashtu, pritej të binte “gongu’. Muçi doli në skenë, ashtu siç e pamë ca e ca të hynte në passkenë, këmishë blu lisho të nxjerrë nga rripi, pantallona kafe si punë linoje dhe atlete shumëngjyrëshe, pak blu, pak të zezë e pak vishnje. Veshje tipike për kohën e lirë e të shpenguar. Nuk mund të pritej ndryshe, në një premierë që Mustafai e kishte bërë krejt për qejf të vet dhe jo i shtrënguar për të plotësuar normën e shfaqjeve të vëna në skenë apo për të bërë një dorë para. Pra mungonte dhe kostumografi. Ndoshta dhe regjisori… Kështu Muçi duhet ta ketë parë të udhës të mos kontraktohej brenda një veshje shik i tipit: frak, papion e këmishë të bardhë, e cila padyshim në vend të seriozitetit kishte gjasa ta nxirrte fare nga moda. Për më tepër që gjatë performancës, autori me një gjatësi rreth 180 centimetra e peshë të paktën 100 kilogram, u zhgërrye nja dy-tre herë në dyshemenë prej dërrase të skenës së Akademisë së Arteve, të cilën duhet ta kishte marrë me qira.
Në një shfaqje të titulluar “Dhe profetët dinë të puthin…” e me një shtesë të konsiderueshme në kllapa “një show për jofetarë”, Mustafa Nano, ky gazetar fort i njohur televiziv, por që karrierën e tij më së shumti e ka pasur në gazetë, nisi monologun e tij të gjatë prej më shumë se 60 minutash, me ulje e ngritje të domosdoshme, kulminacione dhe pauza që kalonin me kollitje të lehta nën gurmaz, humor e seriozitet mendues, pak banalitet të domosdoshëm që shtyhej çdo 7 apo 8 minuta me nga një gllënjkë ujë “Trebeshina”. Ky i fundit me siguri do të ketë qenë sponsor, përndryshe do të duhet t’i kishte hequr etiketën, gjë që s’ndodhi. E gjitha kjo nuk e bënte aspak të mërzitshëm performancën e tij, edhe pse Muçi s’ma do mendja të ketë marrë as dhe një orë të vetme leksioni të tipit “kupa me kapak, kupa pa kapak” për ta çuar më përpara mjeshtërinë e tij prej aktori. Se, ç’është e vërteta, edhe tema që kishte zgjedhur ishte ca më “spec”. Një temë ku u fol ca për fenë, por dhe për blasfemitë e mëdha, ca për profetët e për ata që s’i kishin besuar asnjëherë, ca për artistë e filozofë të përbotshëm e ca për homoseksualë, gei e lesbike bashkë. U përmendën veprat e mëdha të Mikelanxhelos e Da Vinçit, pa harruar që mjeshtri i skulpturës nga Toskana që kishte gdhendur një David të madh me “bibilush” të vogël, e kishte çuar herezinë e tij në kulminacion duke peneluar në Kapela Sistina të Vatikanit shëmbëlltyrën e vetë Zotit, atë që s’e ka parë kush mbi dhe. Më pas u vijua me citatet e Aristotelit dhe Volterit, sinteza nga veprat e Uitmanit e Dostojevskit. Kadare dhe Koliqi u përmendën, por dhe vetë Lek Dukagjini me Kanunin e tij. E që t’i mbledhësh në një thes, duket ca e vështirë. Do ca mund, por dhe njohuri përtej bazës, që padyshim nuk transmetohen në mënyrë të besueshme vetëm se i ke të skeduara në një synopsis.
Duke i lidhur të gjitha ngjarjet me Shqipërinë e sotme, Arbëri deri dje e ca më tej Ilirinë, Muç Nano doli në përfundimin e pandryshueshëm për të, se Kombi është mbi gjithçka, gjë të cilën ai e ka bërë të qartë dhe në librin e tij “Pax Albanica” bazë prej të cilës ngrihej i gjithë show në fjalë. Dhe ndoshta, në këtë pikë Shqipëria ndryshon disi nga kombet e tjera, ku simbolin e dy feve të mëdha e mbajti vetë heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, kristian e muhamedan bashkë.
Por kur flet për kombin dhe shqiptarët, Muçi pranon se në pika të tjera ne jemi krejt të ngjashëm me pjesën tjetër të botës, qoftë te një fragment i Kanunit, ku të drejtat e gruas nuk afroheshin kurrkund me lëvizjen feministe, aq dhe te orgjitë e meshkujve me njëri-tjetrin, të cilat për hir të së vërtetës nuk paskan qenë të përhapura vetëm në Berat, Gjirokastër dhe Elbasan, por dhe në Veri të vendit. Praktika otomane??? Jo o jo. Homoseksualë na paskan qenë burra të mençur të kësaj bote, dhe trima gjithashtu, Aleksandri i Madhi i maqedonasve, britaniku Rikard Zemërluani që udhëhoqi dhe një kryqëzatë, gjeniu Mikelanxhelo, por dhe vetë poeti i madh spanjoll Lorka, i cili u masakrua jo vetëm nga skuadra e pushkatimit, por sidomos nga dufi i njërit prej ekzekutorëve që në inat e sipër e qëlloi dy herë në një vend që s’ia vlen të thuhet më. E pra, ne shqiptarët nuk paskemi shumë ndryshim nga pjesa tjetër e botës. Por me harmoninë fetare ia kemi dalë, madje aq shumë sa jo vetëm një vajzë katolike mund të dashurohej me një djalë mysliman, por se ka ndodhur që një djalë ka ndërruar fe vetëm se këtë ia ka kërkuar i dashuri i zemrës, thënë shkurt dylberi i tij.
Të gjitha këto u thanë në show-n e Much Nanos, dhe ca të tjera që me sa duket nuk i mbaj mend mirë. Por ajo që i bëri më shumë përshtypje publikut, ishte pikërisht shprehja përmbyllëse: Kombi mbi të gjitha. E për ta bërë të besueshme të gjithë këtë, Muç Nano ka preferuar të tregojë që në ëndërrimet e tij të pafre a fare të çakërdisur, ka pranuar të vetmen puthje në buzë prej meshkujsh, aspak erotike duhet theksuar. Dhe kjo ka ndodhur prej dy burrave të cilët kanë ndikuar më shumë se kushdo në jetën e mëpasme të njerëzimit, Krishtit dhe Muhametit, të cilët po sipas imagjinatës kapriçoze të Muchit apo Muçit thënë ndryshe, i dhanë të drejtë shpjegimit të tij tip “Pax Albanica”: Kombi mbi gjithçka.
Sikur të ndodhte vërtet kështu?!
Muçi mund të jetë lodhur në performancën e tij të gjatë, dhe duhet të jetë lodhur, por asnjëri prej nesh që ishte në sallë nuk u lodh duke e dëgjuar. Guxim i tepruar kjo që sapo shkrova, mora përsipër të flas në emër të të gjithëve. Por njeri të dilte nga salla nuk më zunë sytë, dhe duartrokitjet e herë pas hershme them se i dhanë qytetarinë e merituar spektaklit. Dhe nuk duhet më shumë se kaq që ai të quhet i suksesshëm.
Por gjithsesi, edhe mes përqafimesh dhe urimesh të rastit, autori nuk harroi të thoshte se një show të tillë e bënte për herë të parë, por dhe për herë të fundit. Nuk ishte premtim, ndaj unë shpresoj që Muçi, siç e njohim ne, apo Muchi siç duan ta njohin të tjerë, të harrojë atë që tha dhe të hipi sërish në skenë për të na dhënë një show të ri.
Leonard Veizi
"Respublica.al"